SG – S’ka perla në thellësi të lotit, 2006

S’KA PERLA NË THELLËSI TË LOTIT
S. Guraziu, 2006

(poeti bën t’jetë qaraman, nëse qan do jenë “elegji”, por “vetë muzat qajnë” s’bën të thotë, assesi)

Mos lejo humbje kontrolli, kalamendje, çoroditje busullash poetike, nga asfarë mashtruesish mos u tremb, në fakt mashtroji ti, ngul këmbë – në lojë e sipër provo, insisto, disiplino këso engjëj ndjenjash, pa mëshirë ndrydhi, thirravajet e tyre mos dëgjo, as çfarë thonë, donë të të blejnë por janë fals, mashtrues pra, sheqerka fort të ëmbla në shije, të bindin, pa ndalë betohen se janë “sugar free”, i reklamojnë… mos beso, kategorikisht refuzo – kam frikë endesh si nimfë e ndrojtur pastaj… cepave të syve-përlotur, strukur në mjegullën e përhirtë të mërzisë, mëngjeseve, pasditeve… përditshmërisë, ngjeshur-puthitur si “pixels”, xixash tek pulsojnë, mini-llambash, një milion ngjyrash harlisur, yje të disiplinuar qiellit të vrenjtur, hieroglife ëndrrash, gravurash qelqi, shkrepëse shkëndijash kot, fërkim stralli digjital, përvëlim malli, gjurmë gishtërinjsh në tastet – dhe padashur direktivë e “gjuhës” të tradhton, zhgënjehesh, e ti mbetesh e trullosur, si ndonjë flutur sillesh, sorollatesh rreth dritës e përhumbur… kundron për një çast “termo-vulat” në ekran, gjurmë izotopesh nga yje të djegur, kaherë të tretur, pakthyeshëm – “çdo gjë është moderne dhe e bukur xham”, do klithësh, dhe do shtosh pastaj: “lokalizëm i dalë boje tashmë”, ndërsa matesh të hidhesh lëngut njelmak, opium-shfryrje, lehtësim sadopak, shih, ti vërtetë s’përmbahesh, e pastër si rrezja syprinës, i përshkon kristalet e kripës si shigjetë drite, nuk ndalesh deri në dhimbje, pse sforcon timpanët, mos aq thellë… deri në pëlcitje, mos harro shtypjen vrastare, respektoji ligjet e hidrosferës, sepse kot, s’ka asfarë perlash në thellësi të lotit, apo jo, poeti bën t’jetë qaraman, nëse qan do jenë “elegji”, por “vetë muzat qajnë” s’bën të thotë, assesi…