SG – Vocërrakë nën ombrellë, 2006

VOCËRRAKË NËN OMBRELLË
S. Guraziu, 2006 (Skicë…)

E vërteta – gozhdë e ndryshkur në zemër, “s’ka komfort në të, vetëm dhimbje do gjesh”, njësoj si dikur në “…whispers”, e mban mend?
Dhe po, dhemb, padurueshëm thumbon, përvëlon, e hidhur kjo ditë, e mësove të vërtetën tonë – por arsyeja flet, tash si miq të mirë, pa asnjë lot, vocërrakë të pafajshëm nën ombrellë, pajtueshëm të ndahemi nga ky qafim, nëse vonohemi vetëm dhe një frymë do insistosh pastaj me arsye të dehur, ose më mirë: do t’pretendojmë që të dy, si shërbëtori Jernej të përhumbur me të “drejtën tonë”, do t’pandehim: nëse diç e huaj është, na përket, na takon për hir të devotshmërisë, për hir të bindjes absolute, shërbimit – e zemrat s’janë padronë, s’kanë nevojë për shërbëtorë, do t’bëhet vonë, ndoshta tepër vonë, pastaj si protagonistë kryeneçë kafkaeskë, s’do besojmë në “perfeksion” të asnjë sistemi, aritmi e rastit, do themi – s’ka disiplinë pa veshë muzikal, mbase dështim ta marrim seriozisht se muzikat e zemrës arie universi janë, do çirremi si të çmendur me lëpirëset në duar, derisa në dhimbje të tretemi, derisa ndër buzët të shkrihemi – refuzim total, e kotë, ligjet e zemrave s’thyhen dot, “proceset” e tyre s’janë aso kafkaeske (montuar për hir të novelës sime), duhet sa më parë të shkëputemi – akorduar me të rrahurat e zemrës sate dëgjohet e njëjta arie në secilën zemër, si ndër zemra delfinësh larg në Havajet, edhe në Ibizza netëve të ngrohta, ndër dance-terasat plot dashuri sezonale. Andaj të lutem… bëj çmos, të lutem shumë, “shpëtoje zemrën nga një hajn” si unë.