Alexandria Peary – Arkitekturë e Poezi-Dashurisë

ARKITEKTURË E POEZI-DASHURISË
Alexandria Peary [ ShBA ]

Parmak i dashurisë, ballkon i dashurisë,
ca fjalë të hekurta që ende mund të shihen në lista
dyqanesh ushqimore, në rrobat varur të thahen mes dy objektesh,
në një e-mail, në një apologji-kërkimfalje, në një mendim rreth motit
këto fjalë të ndryshkura, porta të ndryshkura të para-frymës,
Stoike në mëngjesin e ftohtë, në shkallët blu
të ftohta, me një curril kafeje e sheh fjalën Dashuri
shkruar skaj Farmacisë me germa “italike” e me shijen
e qershi-vaniljes, sepse aty e kishte vendin dikur
poezia e dashurisë, ç’jam duke thënë tani
është formësuar fshehurazi rreth poezisë së dashurisë,
fosilet e një kupole, ndërtesat rozë me vijat ndarëse,
me ndërprerjet e me tri-pikëzat e kuqe, Ti, personi tjetër rozë
me kapakët që mund t’i hapësh me thoin
si të një kalendari-kohëlinje shpikjesh për t’i parë skenat
e banesave brenda: një ngrohëse, një krah zhveshur,
dy gota pranë vetvetes mbi tryezë.
Mendja “papafingore” e nënçatisë ende këmbëngulëse,
uji meditues dhe karriget kuvendojnë me heshtjen.
Tani është rrënojë rozë, tulla rimuese dhe një ballkon
i paligjshëm, zemra e kishte një ashensor të tillë
që filloi të dukej si një kafaz zogjsh, dhe një herë
në mjegullën me aromë limoni afër pemëve të freskëta
pranverore, i dëgjova dy njerëz tek thoshin:
“Lule të verdha me formën e puthjes, lule telefonike,
bien nga goja ime tani”.
Tani, një brez ndërtesash banimi me mostrën kaltër-bardhë
të katrorëve, probleme matematikore prej tetë katesh
histori, një ndarje gjatoshe që tejzgjatet si ndotje
e lavanderisë qiellore, derdhje nga nën-kapakë
zierjesh, këmisha kostoje të benzinës, teori apo argumente
të dashurat & të dashurit, gej-teori të dashurish & të dashurit,
lesbo-teori të dashurash & të dashurat, të gjitha lëvarur
përjashta nga dritarja që e hape ti.

– – –
© 2008 A. Peary – Burimi: Fall Foliage Called Bathers & Dancers (Backwaters Press, 2008) – via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2019