Susan Donnelly – Nokturnal

NOKTURNAL*
Susan Donnelly [ 1939, ShBA ]

Ta lësh trishtimin
brenda derisa pandeh
e ke tejkaluar, është
njësoj si rikthimi

në pavijonin e natës
të Zoo-kopshtit të Londrës,
ta shohësh lorisin*
e ngadalshëm të vendosë,
për minuta të tërë,

zgjatjen e njërit krah
në degën tjetër, gjithë trupin
ndjekës si balta tek shket
tatpjetës së kodrës,
ta kundrosh llokoçitjen,

me shpresën
se do t’ngadalësojë,
merr aq shumë kohë
saqë mund dhe t’mos
ketë fare lëvizje,

kështu që s’do kesh
vëmendjen tutje më tepër
se ç’e ke tani për yjet

me ato rrëfenjat
e tyre vit-gjata, s’do
ndjesh diç më tepër
sesa mund t’i ndjesh
rrotullimet e tokës.

* nocturnal – (nokturnal), i natës – e kundërta e “diurnal” – veçoria e kafshëve, ose karakteristika e të qënit aktiv natën dhe pasiv gjatë ditës, psh. për kafshët që gjuajnë natën e duke fjetur ditën

* Loris – kafshë nokturnale (e natës), dhe po ashtu arboreale (dmth. që jeton nëpër drunj, pemë), gjendet në pyjet tropikale të Indisë dhe në pjesë të tjera të Azisë Juglindore, lëvizja e ngjitja e Loris është një formë e ngadalshme “kuadripedaliste” (ashtuquajtur – dmth. katërkëmbthi).
(sguraziu)

– – –
© Susan Donnelly – Burimi: “Poetry” Magazine (Qershor 1999), USA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2014