Sibila Petlevski – Mish që nuk prishet

MISH QË NUK PRISHET
Sibila Petlevski [1964, Kroaci]

Si pavijon i braktisur ku dembeloset një familje
luanësh, kolanë që asgjë s’mban dhe katror me të cilin hapet
guri në dritare, si një copë mishi nga i cili gjaku është larë
me jargët. Kemi ëndërruar dhe ishte sikur t’mos ishte
ëndërr, sikur vërtet bishat e ikura dhe macet
shtëpiake t’ishin së bashku ikanakë. E bërë,
dhe tashmë asgjë s’mund të bëhet që të zhbëhet.
E kryer, ndonëse akoma zgjatë si ushqimi në stomak.

E re, plotësisht e re dhe e pakrahasueshme, sikur
lindur pa amësi në ujin që lulëzon, në ajrin i cili
shpërthen në copa të ngjashme me fluturat aq
fuqishëm, saqë ajo që u krijua pastaj kurrë
s’ia doli të harrojë që sëpaku një herë e pati ditur
fare sigurtë: kurrnjëherë s’do jetë e mundur të zhduket
vetiu, por me ndihmën tonë, dhe meqë jemi këtu,
dëshirojmë ta ndiejmë në gjuhë mishin që nuk prishet.

– – –
© 2004, Sibila Petlevski – “Parullat e harresës” (dorëshkrim) – via Poetry International (Rotterdam)
© Nga kroatishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, 2008

Notë :
…në poezitë “Java e shenjtë”, “Qeni di më mirë”, “Parullat e Harresës”, “Mish që nuk prishet” (etj.) të poetes kroate Sibila Petlevski, ironia “poetike” është e thellë dhe ka t’bëjë me katrahurën e ish-Jugosllavisë, me dridhjen e themeleve të ish-federatës dhe me shpërthimin e luftrave (fillimisht në Slloveni, në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë…), autorja sikur e përqesh natyrën konfliktuoze të njeriut dhe të politikave të veta, sikur tallet se dhe “qeni do dinte ta kufizonte botën e vet”, zonën politike të influencës, perandorinë e vet të interesave, për rikufizim të ca entiteteve tjera politike s’ishte e nevojshme gjithë ajo gjakderdhje, gjithë ajo tragjedi kolektive e popujve, ekzistonte një ngrehinë politike dhe shpresa ishte diç si “lulet mbjellur në asfalt”, për ndarje e ca kufinj të tjerë vallë pse duheshin gjithë ato luftra e gjakderdhje, pse gjithë ajo “…pështjellimë në rrjetin e gjakut, si zemër përjetësisht e uritur që nga gjoksi ulërin”, autorja thuase ironizon me vetë dhimbjen, me copëzimin e përgjakshëm të federates, me nacionalizmat e me ambicjet politike megalomane, me kufijtë e me ngatërresat, me kompleksitetin e “përzierjes” politike, me enklavat politike e demografike të popullsisë kroate, serbe, boshnjake etj…
(sguraziu)