Maarten van der Graaff – Poezia me kohë të fiksuar

POEZIA ME KOHË TË FIKSUAR…
Maarten van der Graaff [ 1987, Holandë ]

(Poezia e nëntëmbëdhjetë me kohë të fiksuar, në të cilën i provoj rrobat)

18:30
E kam zbuluar një vrimë
në zemër të viteve nëntëdhjetë,
ku unë, nëse të jetoja (atëherë),
do t’përshtatesha mirë në të.

18:34
E tashmja jonë kërcimtare,
këto horizonte të pafund.

18:36
Do rri me to shtrirë në tokë, me
kafshët e mia, kafshët e mia të fshehjes.
Kam frikë se

18:37
hiper-fokusi im
do t’jetë shkaktari i vdekjes së dikujt.

18:38
Shkrim mikroskopik, kohërrahje
për kah brendia.
Nuk ka asnjë formë tani,
flas si një fantazmë që nxjerr frymën jashtë.

18:39
Kush mund ta përshkruajë kohën
kaq fantazmagorike sa unë?
Kush mund të bëjë një gabim kaq
gjatë, ndërsa t’mos i rikthehet
fare, kundrejt dritës duke pulitur
dhe në errësirë të zhduket?
Vazhdo gjallimin dhe bridh dyqaneve.
Dua të blej dyqaneve dhe të ndiej
ç’do të thotë të jesh njeri.

18:43
Jam një aktor dhe provoj rroba.
I veshë shumë e shumë rroba të trasha
në një dhomëz të ndriçuar me shije.
Trupi im është i ngazëllyer, i zgjuar.

18:46
Këto rroba. Kjo dhomë provash.

18:47
I bie barkut si daulles
dhe vërej se organet e mia ekzistojnë.
I mbaj organet ngrohtë
me rrobat që i blej.
Një marketing i tillë ëndrrash ekziston.

18:49
Dikush më thirri, dëgjova diç.
Flakët mund të zbresin
secilën minutë dhe ta bëjnë vrimën
ku do t’jem vetë unë.

18:51
Se kullat janë rrënuar
është një gjuhë e fuqishme, me egërsi
magjike aq sa rinia ime prej saj
duhet t’jetë përshkuar.
Mbaj mend imazhe të kokërrzuara,
por e shoh veten duke ecur me nënën
qendrës tregtare në Roosendaal
ose duke qëndruar para shkollës.
Koha ime gjysmë e vdekur shkollore.
Vetëm tregu më mbush jetë,
më furnizon me përvojat.

– – –
© M. van der Graaff – Burimi: “Dood werk” – Botues: Atlas Contact, Amsterdam, 2015 – via Poetry International – Rotterdam, 2016
© Për përkthimin S. Guraziu, Ars Poetica, Q 2016