Maarten van der Graaff – Listë njerëzish në gurin e ftohtë

LISTË NJERËZISH NË GURIN E FTOHTË
Maarten van der Graaff [ 1987, Holandë ]

(…do dëshiroja ta organizoj një takim ilegal poetik / mirëpo meqë rebelizmi dhe fshehtësia / fetishizohen nga prodhuesit kulturor, / më pëlqen të heq dorë…)

S’dua të jem sipërmarrës kulturor
dhe të thërras nga guri i ftohtë dua dashuri.
Jam i vetë-punësuar. Dua dashuri dhe art të lirë.
Ka para në poezi
i dua paratë për t’i blerë gjysmëlitërshet,
sepse jam i mërzitshëm dhe i vartësuar nga birra.
Kjo është vartësi e mërzitshme.
Në një tunel imagjinoj
se të gjitha rrugët janë të nëndheshme.
Jo mazohizëm nëpër romanet tutje
apo seri televizive për njerëz të heshtur, të dëmtuar.
Jam duke të folur ty.
Nga guri i ftohtë të drejtohem ty.
Diku një vullnet thyhet.
Çaglar Köseoglu në gurin e ftohtë.
E dua Çaglar-in dhe e dua Léjon Saarloos-in.
Léjon Saarloos në gurin e ftohtë.
Hannah van Binsbergen dhe Matthijs Ponte
në gurin e ftohtë.
Të rrish në gur të ftohtë është dënim.
Mund ta thyesh dhe qafën në gurin e ftohtë.
Do dëshiroja ta organizoj një takim ilegal poetik
mirëpo meqë rebelizmi dhe fshehtësia
fetishizohen nga prodhuesit kulturor,
më pëlqen të heq dorë.
S’kam ardhur të sjellë një gur të nxehtë.
Drita bëhet më e përlyer, dorëshkrimi më i ngulmët.
Arno Van Vlierberghe dhe Mathijs Tratsaert në gurin e ftohtë.
Bert van der Beek në gurin e ftohtë.
Të rrish në gur të ftohtë është dashuri.
Të rrish në gur të ftohtë është vepër arti e krisur.
Unë besoj në përsëritje
dhe nuhas frymëmarjen e heshtur të katastrofës.
Max Czollek vallëzonte nën techno, krijonte techno
dhe pretendoi se shihte diç. Një tjetër shoqëri
(tani ndërton dhoma presioni).
Mina Pam Dick në gurin e ftohtë.
Nga guri i ftohtë jam duke ju folur juve.
E gjithë poezia është borgjeze,
të gjitha përditëshmëritë janë tonat.
Eja tek unë!
Kafshët e mia shtëpiake do t’ngordhin
e unë do shtrihem pranë tyre në tokë.
E gjithë kultura do t’zhduket
dhe unë jetoj në Utrecht, kërkoj punë
dhe ha gjëra.

– – –
© M. van der Graaff – Burimi: “Dood werk” – Botues: Atlas Contact, Amsterdam, 2015 – via Poetry International – Rotterdam, 2016
© Për përkthimin S. Guraziu, Ars Poetica, Q 2016