ODE PËR ÇORAPET E MIA
Pablo Neruda [ 1904-1973, Çile ]
Maru Mori m’i solli
një palë çorape që ajo
i thurte me duart e saj
prej bareshe, dy
çorape të buta si lepujt.
I zhyta këmbët në to
si në dy strajca thurur
me fijesh të muzgut
e të lëkurës së dhisë.
Çorape flakëruese,
këmbët e mia ishin
dy peshq të leshtë,
peshkaqenë të detit
kaltrosh, përshkuar
me perin e florinjtë,
dy zogj masiv, dy topa:
kështu qenë nderuar
këmbët e mia nga ato
çorape qiellore.
Dhe aq të përshtatshme,
për herë të parë gishtat
e këmbëve më dukeshin
të papranueshëm si dy
zjarrfikës të molepsur,
zjarrfikës të padenjë
për atë zjarr të endur,
për çorapesh mërdhezur.
Megjithatë i rezistova
tundimit të mprehtë
për t’i mbajtur diku
siç kalamajtë e shkollës
i ruajnë xixëllonjat,
siç shkollarët e ditur
i mbledhin tekstet
e shenjta, i rezistova
impulsit të çmendur
për t’i vënë në një kafaz
të artë dhe çdo ditë
t’u jepja fara zogjsh,
copëzash pjepri rozë.
Njësoj siç eksploruesit
në xhungël
e përshkojnë një dre
të gjelbër fort të rrallë
në hell dhe e hanë
me keqardhje,
unë i shtriva këmbët,
i vesha çorapet
e mrekullueshme
pastaj dhe këpucët.
Morali i odesë sime
është ky: bukuria
është dy herë bukuri,
dhe ajo ç’është
e mirë është dyfish
e mirë, kur bëhet
fjalë për dy çorape
të leshta në dimër.
– – –
© P. Neruda – Burimi: Neruda & Vallejo: Selected Poems (Boston: Beacon Press, 1993)
© në anglisht nga Robert Bly – shqipëruar nga S. Guraziu – Ars Poetica, 2013
(notë – sguraziu)
…pra Neruda na i lehtëson gjërat, ai vetë na e jep dhe “moralin” fabuloz, na shpjegon se aludonte në dyshen e “ngrohtë” çorapeske që shkojnë mes vete pandashëm, në harmoni si një çift të dashuruarish, mbase dhe afërmendsh, kur ka dashuri në mes, dhe nese dikush të dhuron diç, qoftë dhe një puthje të vetme, sikur gjithçka dyfishohet, bukuria bëhet dy herë bukuri, e mira bëhet dyfish e mirë, ngrohtësia dy herë ngrohtësi, madje ndoshta dhe dashuria bëhet dy herë dashuri… etj etj. e sidomos kur fjala është për çorape të leshta që të falin ngrohtësi…
frymëzuar nga çorapet e tij, edhe feministja amerikane Erica Jong ua pati kushtuar një “ode” këpucëve të saj, këpucëve që e çonin fluturimthi drejt dashurisë, e qartë Jong donte t’ishte origjinale, s’donte t’i përzihej në “çorapet”, megjithatë, troçësia e saj poetike sikur ua kalon për një nuancë çorapeve të “parfumosura” të Neruda, anise Jong nuk i pati thënë “…ore ti romantiku që na sillesh rreth-e-rrotull zjarrit në dimër, shkrepe nëse ke guxim… mos vallë me modestinë pandeh se na qenke më romantik sesa një “afërditë” feministe…”, jo pra, s’ishte ky qëllimi i saj 🙂