Lawrence Ferlinghetti – Duke Rrezikuar Absurdin (#15)

DUKE RREZIKUAR ABSURDIN (#15)
Lawrence Ferlinghetti [ 1919-2921, ShBA ]

Prore duke rrezikuar absurdin
dhe vdekjen, saherë merret
me performancat mbi kokat
e audiencës së vet, poeti
si një akrobat ngjitet rimes
së vargjeve në telin e lartë
të krijimit, duke u balancuar
në sy-rrezet mbi një det fytyrash,
çapitet për n’anën tjetër të ditës,
me kërcime impulsive valltarësh,
ndonjë truk mashtrimtar këmbësh,
e të tjera akrobacione teatrale
marramendëse, dhe gjithçka
pa gabuar asgjë, e t’na dilte
diç që s’mund të jetë.

Sepse ai është një super-realist
i cili duhet ta përforcojë përceptimin
e së vërtetës së tendosur përpara
ndërmarrjes së çdo strofim-i
ose hedhjes së hapit kah përparimi
i supozuar drejt telëzimit
akoma më të lartë, ku Bukuria
qëndron me hujet e gravitetit
dhe pret të hidhet në kërcim-sfidimin
e vdekjes.

Dhe ai një burrec çarli-çaplin
i vogël i cili ia del ose s’ia del
mbanë ta kap formën e saj
të përjetshme, shtriqur në ajrin
e zbrazët të ekzistencës

– – –
© 1958 L. Ferlinghetti – Burimi: “A Coney Island of the Mind: Poems” (New Directions, 1958) – via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2019

– – –
Notë
[ lindur më 24 Mars 1919, sot pra Ferlinghetti është kthyer në një burrë “shekullor”, është bërë një burrec 100-vjeçar – sipas tij poetët janë burra e burrecër, çarli-çaplinash të vegjël, andaj padyshim duhet t’jetë kjo poezia më e “saktë” (poezia më e ëmbël, diç si çokollatë vërtetësie) e cila nga pikëpamja e së vërtetës poetike mëton t’i përshkruajë poetët, ose vogëlsinë simpatike të tyre : ) ]
(sguraziu)