Erica Mann Jong – Ode për Këpucët e Mia

ODE PËR KËPUCËT E MIA
Erica Mann Jong [1942, ShBA]

(Frymëzuar nga Neruda, i cili na i la çorapet e veta)

Poetja e vetmuar
është duke shkruar një ode
për këpucët e veta —
këpucët e saj të cilat
vetëm ajo mund t’i mbathë mirëfilli,
këpucët e saj prej kamoshi vjollcë dhe lëkure të gjelbër,
ngjyrë e gjethishtes së palmes,
çizmet e saj me diamantesh zbukuruar,
çizmet “cowboys” me puplash hijeshuar,
çizmet prej “shtatë legash” të poezisë epike,
çizmet haiku të vogla prej argjendi,
me takat e ulëta që shkëlqejnë,
çizmet e saj “platformë” të vetës së parë,
dhe pandoflat e xhamta pa shpinëz,
modeluar sipas atyre të Cinderella
(njëra e humbur… në mesnatë,
për shkak të një burri që vraponte),
çizmet e saj “të gjuetisë” prej gome indiane,
çizmet e të dashurit përngjitur në kyç,
si pranga të farkuara këmbësh,
këpucëzat rozë të bebeve, bronzuar
për gjeneratat e së ardhmes,
atletet “reebok” të së bijes flakëruar,
mokasinkat pa toja të të dashurit
harruar në dollapin e dhomës së pritjes
që ajo t’i puth
për çdo vit
vit pas viti.

Këpucë të zemrës,
këmbë të dashura
dhjetë gishtërinj t’më lëvizin
drejt dashurisë sime të vërtetë,
“fuck me” është pompë për mbushjen e pasionit të tij,
takat “stiletto” për ta shpuar
nëse ai devijon.

Këpucët na i thonë të gjitha.
Këpucët flasin gjuhën time.
Tap-tap-tap e tyre në pistën e aeroportit
ma shpalosë rrëfimin
për një grua të dashur, të vetmuar e cila fluturon pas dashurisë —
Histori e vjetër kjo, e vjetër
në një palë këpucë
të reja.

– – –
© Erica Mann Jong – Burimi: “Becoming Light: Poems New and Selected”, 1991
© Për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2013

Notë:
Erica Jong është një poete dhe shkrimtare amerikane, u bë e njohur veçanërisht me romanin “Fear of Flying” (Frikë nga Fluturimi), publikuar në v.1973. Libri u bë i famshëm për qasjen mjaft “kontradiktore” rreth qëndrimeve të saj ndaj seksualitetit femëror dhe artistikisht ndikoi dukshëm në zhvillimin e të ashtuquajturës “second-wave” (valës së dytë) të feminizmit. Jong konsiderohet njëra nga autoret më të shitura feministe në ShBA, sipas Washington Post, libri “Fear of Flying” është shitur në mbarë botën, duke tejkaluar mbi 20 milionë kopje.

– – – shih po ashtu >

Pablo Neruda – Ode për Çorapet e Mia