Ester Naomi Perquin – Raporti për Dëmin!

RAPORTI PËR DËMIN!
Ester Naomi Perquin [ 1980, Holandë ]

Zoti njëditor është zgjuar. E njeh mbase
kufirin e fundësisë së vet, nxitimin e vet. Njerëzit
këshillojnë njëri-tjetrin, dhe bëhen tok.
Është dita e tij. Shansi i tij. Kaosi i vogël tashmë duke vibruar
në dorën e tij, kërbaç që përthith dhe ndëshkon.
Kolosët që ia zënë udhën i fshikullon, çatitë i lartëson,
pemët i përthekon. Tallet me vetë gravitetin
dhe me ditën e punës – asnjë mur, dritare,
asnjë çiklist s’ia cenon vrullin.
Po aq rraqurina ngelen pas, boshllëku.
Ndonjëherë njerëzit shohin lart dhe i këlthasin tërbimit.
Fare nonsens, falë Zotit. Asgjë s’është e jona.
Gjunjëzohemi dhe i fshijmë rrugët tona
në vendin ku, orë më vonë,
çdo gjë prehet në qetësi.

– – –
© E. N. Perquin, Dichter des Vaderlands, Januari 2018, Nederland
© nga holandishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, J 2019