Ester Naomi Perquin – Arkitektët

ARKITEKTËT
Ester Naomi Perquin [ 1980, Holandë ]

Sot dëgjuar se si ata qysh si fëmijë
shpesh veç e ëndërronin një qytet,
përgjatë shtegut me baltë kulla ndërtonin
me atë ç’kishte në cep a në hendek.

Atëbotë s’mendoi kush për grinë,
e të madhes boshësi të zymtë,
në të cilën i humbisnim shenjat, muret
ku asnjë dorë pikëpamje s’ofronte.
Në ballinat e ndërtesave për zyrat
askush lakoret s’i sforconte.

Çdo gjë akoma ishte nga uji dhe rëra.
Aq e ulët qe toka ku ëndrrat qiellin
duhej ta preknin, aq bosh horizonti –
ata syhapur deri në ditë-lindjen e re.

– – –
© 2007, E. N. Perquin – Burimi: Servetten halfstok, Publikues: Van Oorschot, Amsterdam, 2007
© Nga holandishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, 2013

***
Ester Naomi Perquin – “Poetja e Atdheut”, Laureatja e Poezisë (Dichter des Vaderlands), 2017-19
(s. guraziu – ars poetica, j 2019)

Në Holandë, “Poeti Laureat” quhet “Dichter des Vaderlands” (Poet i Atdheut), dhe ky funksion ekziston që nga v. 2000. “Poet Laureat” është një poet i cili nderohet zyrtarisht nga një qeveri (ose ndonjë institucion akordues i shtetit), dhe nga i cili poet zakonisht pritet të shkruajë poezi për ngjarje dhe raste të veçanta lidhur me atdheun e vet. Në Holandë “laureati” zgjedhet çdo 2 vite, për v. 2017-2019 ky nder i pati takuar poetes Ester Naomi Perquin.

Para saj, që nga v. 2000 laureatë ishin poetët Gerrit Komrij, Simon Vinkenoog, Driek van Wissen, Ramsey Nasr, Anne Vegter. Pas Ester Naomi Perquin (2017-19), për periudhën 2019-21 qe nderuar Tsead Bruinja, për periudhën 2021-23, Lieke Marsman dhe sëfundi, 2023-25 Babs Gons.

Një formë identike sa i përket funksionit “Poeta Laureatus” e kanë Britania e Madhe, ShBA, Holanda e mjaft shtete të tjera. Në botën anglishtfolëse titulli njihet si “Poet Laureate”, në ShBA psh. ky nderim ekziston që nga v. 1937, një “poet laureate” është Poet konsulltues për Poezinë pranë Librarisë së Kongresit. Në Britaninë e Madhe “lauretizmi” e mori statusin zyrtar mbretëror që në v. 1668.

Termi “laureat” në kohët tona pakashumë nënkupton dhe një lloj prestigji akademik, ose tekefundit nënkupton njohjen për përparësinë apo arritjen superiore akademike, shkencore, intelektuale, humaniste etj. (psh nobelistët dhe i quajmë “Laureat i Nobelit”).
Në Greqinë e lashtë me degëza dafinash (laurus nobilis) thurej një kurorë me të cilën kurorëzoheshin-nderoheshin poetët dhe heronjtë. Ky zakon qe berë traditë, bazuar në mitin e lashtë të Dafinës dhe Apollonit.