Faqet e “dyfytyrësisë”, faqet mozomokeq!

(s. guraziu – ars poetica, sht 2018 – rreth identiteteve profileske në Fb)

(…dihet se truri për ta mbajtur gjallë gjenialitetin e vet ashtu-kështu i kullufit rreth 20% të volumit energjitik : )

Shqiptarët e kanë një “ves” interesant – hapin faqe në Fb në emër të dikuj tjetër, në emër të politikanëve. Padyshim ves unikal, vetëm shqiptarët e kanë – zor ta ketë kush tjetër në botë! Herë e zgjedhin Ramushin, herë Salushin… e herë Çaushin! Politikanët të panumërt, ka sa të duash, por dhe “vesi” ka lloj-llojshmëri e varietete të ndryshme. Ndonjëherë njerëzia e përdorin emrin e tyre (origjinal), ndërsa profilin e stilizojnë me portretin e politikanit favorit – kjo thuase do jetë, ndoshta dhe është, forma më e butë e alter-egos së tyre.

S’e mohoj, isha fort kureshtar lidhur me këtë. Çuditesha, vallë pse do e hapte dikush një faqe “fals” në Fb?! Faqe e “dyfytyrësisë”, pa identitet real, në emër të dikuj tjetër?! Vallë si i menaxhojnë njerëzit nga disa “identitete”, 2, 3, 4, 5… e më shumë sosh!? Madje s’më dukej as e “mençur” kjo punë! Pse do mblidhte dikush miq a mikesha nën emrin e huaj?! Sidomos pse mikeshat… pse do ta çonte dikush ujin në jazin e mullixhiut, nëse misrat e vet shkrumb?!

Çuditesha, si është e mundur, pse kjo faqe fals e Doktorit (e Sali Berishes)! Shihej se fals, i mungonte ajo vërtetësia e “kaltër”, ajo figurina e vockël skaj emrit (gjoja identitet i verifikuar nga Fb)?! E vrisja mendjen, pikëpyetjet e pikëçuditëset vërtiteshin. Mirëpo kot, s’e gjeja dot, pastaj sikur e kërkoja atë “butonin” për ta fikur kureshtjen.

Sepse as vramendja nuk është e lavdërueshme. Madje e dëmshme, aspak e levërdishme, shpenzon shumë energji. Jo se më dhimbsej diç, apo se na qenkam i varfër… s’jam i varfër, por thjesht çështje e racionalitetit. E dhimbshme ta shpenzosh energjinë kot. Dihet se truri për ta mbajtur gjallë gjenialitetin e vet ashtu-kështu i kullufit rreth 20% të volumit energjitik.

Psh. Shqipëria madje dhe hidrocentralet i kursen racionalisht. Vit për vit blen energji, o prej Serbisë o prej Greqisë, energjinë e vet e kursen strategjikisht. Nuk përjashtohet as opsioni i shitjes së hidrocentraleve, as dhënia e tyre me qera, gjoja me interesa të mirëllogaritura. Racionaliteti është flori, u ndihmon dhe shteteve madje, ka lloj-lloj politikash rreth përdorimit, çështje strategjike. Shqipërisë herë i ndihmon të shlyhen borxhet e vjetra, herë ndërtohen hidrocentralet e reja etj. etj.

[ Guri më i rëndë i dhimbjes “alter-sizifiane” (humoreskë) – S. Guraziu – Ars Poetica, Shtator 2018 ]