William S. Merwin – Ndarja

NDARJA
William S. Merwin [ 1927-2019, ShBA ]

Mungesa jote ka përshkuar nëpër mua
si peri përmes vrimës së gjilpërës.
Çdo gjë që bëj qepet me ngjyrën e tij.

– – –
© W. S. Merwin – Burimi: The Second Four Books… (Copper Canyon Press, 1993), via Poetry Foundation, USA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2019

– – –
Notë:
…ca javë më parë, më 15 Mars 2019 u nda nga jeta njëri nga poetët më të shquar amerikan i gjysmëshekullit të fundit, W. S. Merwin, ishte “Poet Laureat” i ShBA, fitues i dyfishtë i çmimit Pulitzer për Poezi, i çmimit Bollingen, i çmimit Wallace Stevens… dhe i plot shpërblimeve të tjera – poezia e shkurtër “Ndarja” (ose në fakt, 1 varg i vetëm i thyer si “trini”) nga fondacioni “Poetry Foundation” qe ndarë sot si “Poezi e Ditës”…

…”Poeta Laureatus” është nderimi më i madh që mund t’i bëhet një poeti, është funksion, mirënjohje dhe nderim i madh kombëtar, poeti nderohet zyrtarisht nga një qeveri (ose nga një institucion akordues i shtetit). Një formë identike sa i përket funksionit “Laureatus” e kanë Britania e Madhe, ShBA, Holanda e shtete të tjera. Në Greqinë e lashtë me degëza dafinash (laurus nobilis) thurej një kurorë me të cilën kurorëzoheshin-nderoheshin poetët dhe heronjtë. Ky zakon qe berë traditë, bazuar në mitin e lashtë të Dafinës dhe Apollonit.

Në botën anglishtfolëse titulli njihet si “Poet Laureate”, në Britaninë e Madhe ky nderim-funksion e mori statusin zyrtar mbretëror që në v. 1668. Në ShBA ky nderim ekziston që nga v. 1937, një “laureate” është Poet konsulltues për Poezinë pranë Librarisë së Kongresit (laureati aktual i ShBA është poetja Tracy K. Smith, “laureati” i 22-të me radhë i ShBA). Në Holandë quhet “Dichter des Vaderlands” (Poet i Atdheut), dhe ekziston që nga v. 2000, kandidati zgjedhet çdo 2 vite, për v. 2017-2019 ky nder i madh i takon poetes Ester Naomi Perquin.
(s.guraziu)