Borxhi “elektrik” 25-vjeçar – Lajm i “çuditshëm”!

S. Guraziu, Ars Poetica, M 2024

[ ngjitur: diç si foto-montazh, via Gettyimages, duke aluaduar në “garimin” surreal të lajmeve, në vrapin për bujë e pompozitet – nganjëherë një elefant i ububushëm ua kalon dhe vetë “kampionëve” si lajme serioze ]

***
Çudia është njëfarëlloj “parametri” subjektiv, kuptohet dhe kjo – secilikush i përjeton lajmet në mënyrën e vet. Secili lexues i lexon, i dëgjon, i kupton, i analizon, i gjykon… në mënyrën e vet.

E di se ka lloj-lloj lajmesh; ka lajme të mëdha, aso “big news” (apo si duhet thënë – psh. lajmi i zbritjes së njeriut në Hënë, zbulimi i ujit në Mars etj.), ka lajme tronditëse, ka lajme të ububushme (dmth. aso që janë bujë a la artifiça, thuase “vese” mediatikësh, diç si nerv euforik, lajme u thënçin por s’janë lajme mirëfilli, s’e meritojnë as vëmendjen, në fakt na e vjedhin vëmendjen… jo se ua “falim” me vullnet, më shumë janë diç si “infotainment”, pothuaj diç si “lajme argëtuese”). Nganjëherë një elefant i ububushëm ua kalon dhe vetë “kampionëve” si lajme serioze.

Pastaj ka aso lajmesh “breaking news” (sidomos CNN-i e ka këtë ves, ata thjesht s’munden pa befasira, në pikë të ditës a të natës, qofshin dhe në brek-ushet na mahnitin me “breaking news”, thjesht e këpusin dhe hoooop na e shpalosin ngjarjen e befasishme, kudo që t’ketë ndodhur, në Azi a në Antarktidë).
E di se ka dhe lajme interesante, ka aso lajmesh 1 milion herë të rëndësishme (psh. të ngjashme me lajmin e heqjes së vizave etj), etj. etj. plot të tjerash. Por desha të them se nganjëherë qebesa ka dhe lajme të “çuditshme”.

Për mua lajmi më i “çuditshëm” i kohëve të fundit vinte nga Kosova. Çështja e furnizimit dhe e faturimit të energjisë elektrike për 4 komunat e Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok) ishte lajmi më i çuditshëm që kam hasur kohëve të fundit. Dmth. e kam fjalën në rrafshin personal, me aq sa mund të informohet njeriu sa u përket lajmeve (afërmendsh që njeriu s’mund t’i kapërthejë të gjitha lajmet e kësaj bote).
Tema e “lajmit të çuditshëm” ka t’bëjë me faktin që banorët e këtyre komunave (dihet se të banuara kryesisht nga serbët) nuk e kanë paguar elektricitetin e konsumuar që nga v. 1999!

Ndër vite (për nja ~17-18 vjet) borxhin e tyre elektrik e kanë paguar qytetarët e komunave tjera të Kosovës (dmth. e kanë paguar shqiptarët, dhe minoritetet tjera si përbërës të shoqërisë kosovare).

Dhe 6-7 vitet e fundit, që nga v. 2017 borxhin e tyre e ka paguar gjoja qeveria e Kosovës. E saktë kjo si detaj teknik, por nëse dihet se qeveria për t’paguar “diç” shërbehet kryesisht me paratë e taksapaguesve, me paratë e qytetarëve, atëherë dmth. prapë i bie se për 25 vjet energjinë elektrike të serbëve të Kosovës e kanë paguar “kryesisht” shqiptarët.

Andaj desha diç si “krahasim”, sepse lajmi duhet kuptuar drejt dhe nga evropianët, pra me shpresën se “krahasimi” do kontribuonte sadopak në zbutjen e çudisë. Për hir të krahasimit, le t’ia fillojmë duke e cekur se 4 komunat e veriut të Kosovës (Mitrovicë e V, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok) i kanë rreth 42.000 ~ 45.000 banorë. Imagjinoje tani kantonin e Ticinos së Zvicrës, njërin nga 26 kantonet e konfederatës zvicerane. Kantoni ndahet në 8 rrethe dhe tutje në 126 “komuna”. Komunat atje quhen pothuaj ngjashëm si në shqip “comuni”, këto grupohen në qarqet (circoli), tutje këto janë pjesë të distrikteve (distretti) apo të rretheve… bukur, sa u përket termave.

Mirëpo (duke i patur ndërmend faturat elektrike, faturat e borxhit elektrik) që të arrihet demografia pakashumë e njëjtë, komunat e Kosovës nuk duhet krahasuar me “komunat” e Ticinos. Por duhet krahasuar me “rrethet, distriktet” e atjeshme (pasi në Ticino dhe 1 fshat me 70, me 130, me 200 banorë është “comuni”). Nëse t’i bënim bashkë 4 distriktet veriore të Ticinos (Vallemaggia, Leventina, Blenio, Riviera) do kishim përafërsisht ~ 32.000 banorë, ndërsa Bellinzona e vetme si distrikt i ka rreth ~ 43.000 banorë. Pra me demografinë e 4 komunave të veriut të Kosovës më bukur përafrohet Bellinzona e Ticinos, si 1 distrikt i vetëm.

Ose dhe, meqë thjesht në funksion të “krahasimit”, mund ta “zvogëlojmë” demografinë e 4 komunave e veriut të Kosovës, ta reduktojmë në ~32.000 banorë (shembulli thjesht si shembull, s’prish gjë punë, sa më afër saktësisë shembullore dhe ia vlen). Tani imagjinoje furnizimin me energji elektrike të rretheve zvicerane Vallemaggia, Leventina, Blenio, Riviera për 25 vjet, banorët atje qofshin italianë a kroatë s’e kanë paguar asnjë cent, janë kënaqur me elektrikat çyl për 25 vjet me radhë.

Po, po… tani s’jam duke fshehur gjë, lajmin kosovar jam duke u munduar ta konvertoj në “lajm zviceran, në lajm evropian”. Sepse lajmet e Kosovës janë dhe të Evropës, sepse kosovarët mund t’ishin në EU qëmoti, sepse dhe ata janë evropianë, sa të “rinj” duke u marrë me shtet-mëkëmbjen dhe me konsolidimin politik, njëkohësisht janë dhe evropianët më të vjetër, nëse deri sot s’ishin zyrtarisht në EU, nesër do jenë dhe ata.

Imagjinoji tani “lajmet” e Zvicrës, imagjinoji qeveritarët konfederal atje në Bernë, a ku janë… do ishin “çmendur” qëmoti nga absurdi. S’do arrinin kurrë ta kuptonin, vallë si mund t’jetë e “mundur”, do e kapnin kokën me duart… do çuditeshin! Për 25 vjet Vallemaggia, Leventina, Blenio, Riviera… s’e kanë paguar energjinë. Imagjinoje nëse t’na ishte fakt përnjëmend, realistik – 25 vjet t’mos i paguash elektrikat në Zvicër : )