Pop-muzika, nën-zhanret dhe vështirësia me emrat

(s. guraziu – ap, m 24 – fundjavë, pak humor…)

(…shqipja vetë, si shqipe, si gjuhë e vjetër, pothuaj si para-gjuhë e të gjitha gjuhëve, s’ka probleme me emrat, përveç me emrat e muzikës…)

…merrem me muzikat që nga kur di për veten, isha kalama kur ia pata filluar me “dëgjimin”, por s’kam ditur se pop-muzika si zhanër i paska kaq shumë nën-zhanre, e dija 1 a 2 sosh (nuk e dija në fakt as këtë, por e merrja me mend, apo le t’jenë dhe 3 nën-zhanre) – mësova sot se “pop-i” si kategori mëvete na i paska + nën-zhanret (indie pop), (synth pop), (power pop), (new wave pop), (dream pop), (noise pop), (experimental pop), (electro pop), (adult contemporary pop), (jangle pop), (j-pop)… dmth. e kemi fjalën vetëm për pop-muzikën, për “muzikën e popullarizuar” nga ku dhe vjen emri i zhanrit pop-muzikë…

…ku di, sikur t’ishin sëpaku emra shqip, kam frikë shqipja s’do ketë emra për gjithë këta “emra”, anise anglishtja tingëllon dhe shqip, sidomos termat shkencor të anglishtes thuase janë “huazuar” nga shqipja – nga njëra anë u gëzova që mësova diç të re, nga tjera anë dhe sikur njëfarë “shije e hidhur”, ndoshta sepse vërtet e tepërt, e tepruar sa s’ka më, me 1001 emra, me 1001 gjoja “stile muzikore”, me 1001 nën-zhanre, s’e kuptoj madje as si ia dalin (ndërkombëtarisht) të merren vesh për emrat, padyshim dhe vetëm për emërtimet do jetë sfidë…

…them kështu duke u nisur nga fakti që njerëzia shpesh ngelin të zënë ngusht për punë emrash, s’dinë si t’i zgjedhin as emrat për foshnjat kur lindin pa le diç tjetër, shqiptarët madje akoma dhe sot e kësaj dite kanë probleme për emra origjinalë, detyrohen t’i zgjedhin emrat e Arabisë a të Turqisë, thuase njësoj siç ia bënin dikur pashallarët shqiptarë të Egjiptit, sepse s’dinë si shpiken emrat shqip, tekefundit nuk dinë aty për për aty, hutohen, ngelin, nuk dinë atëherë kur kanë nevojë, në momentin kyç kur u duhet, pasi t’ketë kaluar treni dhe bëhet vonë…

…ka shqiptarë që madje e lënë, s’lodhen tutje me kërkim emrash, djalin e lindur e pagëzojnë thjesht “shqiptar” (si shembull, dmth), të sigurtë 100% s’jemi tani por si spekulim ndoshta kështu i pati ndodhur dhe vetë xha Demaçit (ndjesë pastë), se mos vetëm atij… dhe shumkujt tjetër, ata që nuk e vrasin fort mendjen dhe mund t’mos e dinë, o mund të kenë pandehur diç tjetër, sidoqoftë, kjo “ngecje për emrin” fatlumnisht kthehet kah e mira e shqiptarizmit, është dhe njëfarë patriotizmi, sepse më mirë ashtu, thjesht “shqiptar” sesa ta pagëzosh djalin me emra turko-arabisht – pra e qartë, e “mira” e shembullit tonë dhe qëndron…

…kur i pyesin pastaj, prindrit justifikohen se pati qenë “zgjedhje” qëllimisht, jo se nuk dinin… por e kishin nga patriotizmi, sipas tyre duke e patur emrin “shqiptar” vuloset që në nismë, pa shkapuritur tutje asnjë detaj, që nga emri nënkuptohet se bëhet fjalë për një patriot “shqiptar”, ashtu-kështu më patriotik sesa vetë patriotizmi s’ka si, më vonë dhe mund t’jenë kujtuar për ndonjë emër “ideal”, mund ta kenë gjetur një emër të bukur shqip, as turqisht as arabisht, mirëpo zakonisht pasi t’jenë regjistruar në librin e amzës, thjesht bëhet vonë…

…shqipja vetë, si shqipe, si gjuhë e vjetër, pothuaj si para-gjuhë e të gjitha gjuhëve, s’ka probleme me emrat, përveç me emrat e muzikës, pagëzoji fëmijët dhe inuit-jupikisht (dmth. me gjuhët eskimeze) no problemos, shqipja i bën të tingëllojnë “shqip”, apo ku ta dimë…. ndoshta e njëjta vlen dhe më gjerësisht-kontinentalisht, ndoshta dhe 500 milionë evropianët (+ 300 milionë amerikanët, + me miliarda kinezë e indianë, + 1 miliard afrikanë me të tjerë aziatë) sapo e dëgjojnë emrin “shqiptar” automatikisht e dinë se fjala është për atë “shqiptarin” për të cilin s’patën gjetur emër, nga inati s’donin ta pagëzonin as turqisht as arabisht…

…kjo dhe është ajo ana e mirë, ajo “merita” patriotike që e përmendëm më lart – pra duket e lehtë me emrat por s’është dhe aq e lehtë, sidoqoftë, ja tani desh harrova ç’desha të them; ah po… e t’u gëzova që i mësova nënzhanret e pop-muzikës, anise do ngelet nxënie kot, meqë s’di si shfrytëzohet kjo që sapo e mësova (pra dhe 1 x kujdes sa i përket ngatërrimit, e patëm fjalën vetëm për pop-muzikën, jo dhe për 1001 tjera degë të muzikës si muzikë : )