Kenneth Koch – Për Ty

PËR TY
Kenneth Koch [ 1925-2002, ShBA ]

Të dua si ndonjë Sherif që
një gëzhojë arre kërkon,
e cila vrasjen e pazgjidhur
prej vitesh do ta ndriçonte,
pasi vrasësit i pati rënë
në borë, aty pranë dritares,
përmes së cilës e shihte
kokën e saj lidhur me
supet, me ndihmën e qafës,
dhe ia pati vënë një
Kulm të kuq në zemër.
Prandaj dhe jetojmë njëmijë
vjet; për këtë dashurojmë,
jetojmë sepse dashurojmë,
s’jemi brenda Shishes, falë
mirësisë! Të dua si një
fëmijë që e kërkon një dhi;
më i çmendur se fund-cepat
e këmishës në erë, kur afër
të kam, je Ti era që fryn
nga deti blu e i madh, aq
shkëlqimtar, aq i thellë
dhe aq ndryshe nga ne;
ndjehem si çiklist që fluturon
përmes Afrikës së gjelbërimit
dhe fushave të bardhësisë
pranë teje t’jem, gjithmonë,
madje dhe këtu në zemër
kur zgjuar jam, zemra kah Ti
noton, po ashtu besoj
pafundësisht e meriton
besimin, si trotuari që më
drejton kah vendi ku rishtas
për Ty mendoj, Harmoni
e re mendimesh! Të dua
si rrezet që e ngrohin
gjysmë-trupin mbi ujë të
velores tek shket nga Hartford
për në Miami, dhe më së miri
të dua në agshol, ende kur…
para se i zgjuar t’jem
Dielli veç më pranon brenda
pyetjesh, që prore Ti i zgjon.

– – –
© 2006, K. Koch – Burimi: The Collected Poems of Kenneth Koch ( Alfred A. Knopf, 2006 – via Poetry Foundation, USA)
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2019