Mahmoud Darwish – Kush jam Unë, pa Mërgimin

KUSH JAM UNË, PA MËRGIMIN?
Mahmoud Darwish [ Palestinë, 1941-2008 ]

I huaj buzë lumit, si lumi… uji
më lidhë me emrin tënd.
Asgjë s’më kthen nga larg-koha
tek palma ime: jo paqja dhe as lufta. Asgjë
s’më bën të hyj në ungjijtë. As dhe
një gjë… s’ka asnjë shkëlqim zbatica e ndjesisë
dhe të rrjedh mes Eufratit e Nilit. Asgjë
s’më bën të zbres nga lundrat e faraonit. Asgjë
s’më mbart a frymëzon ta përcjell një ide: jo përmallimi
dhe as premtimi. Çfarë do t’bëj? Ç’do
t’bëj vallë pa mërgimin, dhe pa sytë e natës
së gjatë ngulitur ujit?

Uji
më lidhë
me emrin tënd…
Asgjë s’më merr nga fluturat e ëndrrave
drejt realitetit: jo pluhuri dhe as zjarri. Ç’do
t’bëj vallë pa trëndafilat nga Samarkandi?* Çfarë
t’kërkoj në një teatër që këngëtarët i lëmon
me gurët e vet hënor? Pesha është lehtësuar
si shtëpitë tona në erërat e largëta. Jemi bërë si dy miq
të çuditshëm, krijesa në retë… dhe tashmë jemi liruar
nga graviteti i identitetit të vendlindjes. Çfarë do t’bëjmë?
Ç’do t’bëjmë vallë pa mërgimin, dhe pa natën
e gjatë që vështron ujin?

Uji
më lidhë
me emrin tënd…
Asgjë s’ka ngelur nga unë përveç teje, dhe asgjë nga ti
përveç meje, i huaji e përkëdhel kofshën e të huajit: O
i huaj! çfarë do t’bëjmë me qetësinë që ka ngelur
për ne… dhe me dremitjen mes dy mitesh?
Asgjë s’na zhvendos: as rruga dhe as shtëpia.
Ishte kjo rrugë gjithmonë kështu, që nga fillimi,
apo ëndrrat tona e gjetën një pelë diku në kodër
mes kuajve mongolez dhe na shkëmbyen për të?
Dhe çfarë do t’bëjmë?
Ç’do t’bëjmë vallë
pa mërgimin?

* Samarkandi – qytet në Uzbekistanin lindor, ndoshta një nga vendbanimet më të vjetra në Azi, themeluar në shek. III apo IV p.e.s., ishte një nga qendrat plot begati e prosperitet përgjatë rutës tregtare të njohur si “Rruga e Mëndafshit”, në shek. XIV u bë kryeqyteti i perandorisë mongole të Tamerlanit.

– – –
© 2008 M. Darwish (në anglisht nga Fady Joudah) – Burimi: The Butterfly’s Burden (Copper Canyon Press, 2007), via Poetry Foundation, USA
© Për shqipërimin (nga angl.): S. Guraziu – Ars Poetica, 2019