Sylvia Plath – Monolog Solipsistik

MONOLOG SOLIPSISTIK
Sylvia Plath [ ShBA, 1932-1963 ]

Unë?
Eci e vetmuar;
Rruga e mesnatës
Vërtitë vetveten nga nënkëmbët e mia;
Qepallat rrëzohen
Këto shtëpi që ëndërrojnë të gjitha janë shuar;
Përmes një feksimi të mendjes
Tej këndeve kulmore qepa qiellore e hënës
Kalavaret lart.

Unë
I bëj shtëpitë të zvogëlohen
Dhe pemët të imtësohen
Duke vajtur larg; treshe e shikimit
Mban lëvarur njerëzit-kukulla
Të cilët, pa hetuar se si treten,
Qeshin, puthin, dehen,
As t’iu shkrepë që nëse unë zgjedh pulitjen
Ata vdesin.

Unë
Kur në disponim të mirë,
Barit ia jap gjelbërsinë e tij
E fisnikëroj bluqiellin, dhe e pasuroj diellin
Me flori;
Por, në damarin më dimëror, ruaj
Fuqinë absolute
Ta bojkotoj ngjyrën dhe ndaloj cilëndo lule
Të ekzistojë.

Unë
E di, përshfaqesh
Gjallërisht skaj meje,
Duke mohuar lindjen nga koka ime,
Duke pretenduar që ti ndjen
Dashuria e zjarrtë mjaftueshëm të dëshmohet
prekja realisht,
Edhe pse mjaft e qartë
Gjithë bukuria jote dhe mendja, dhuratë
është, i dashur,
Nga unë.

– – –
© Sylvia Plath – Burimi: “Soliloquy of the Solipsist” – Përmbledhje Poezish)
© Për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2013

– – –

Notë:
…monolog i bukur “solipsistik”, meditim i patrazuar, diç si paragjendje shpirtërore, një veshje e përkryer e imagjinatës me petkat e ndjesisë (apo dhe anasjelltas), poetja e përthekon bukur poetikisht “të folurit” solipsistik me të dashurin imagjinar…

***
…poetja vuante dhe qe katandisur në një gjendje të rëndë depresive, i mori jetën vetes në moshën 30 vjeç duke lënë prapa 2 fëmijë të vegjël, dhe vëllimin “Ariel”… si doreshkrim mbi tavolinë – libri qe publikuar dy vite më vonë, dhe i solli famë gjithandej – burri i saj Ted Hughes (edhe ai poet i famshëm, që “rrinte” me të mëdhenjtë si T. S. Eliot, W. H. Auden etj) u ndesh me akuza për braktisje, për censurim, për abuzim te saj… etj – sa ishte gjallë, për talentin e veçantë poetik poetja njihej vetëm nga një grup i kufizuar njerëzish, dy librat e botuar qenë pritur me dashamirësi por nuk shiheheshin si diç e jashtëzakonshme, shumica e poezive që ajo i niste për gazetat e revistat refuzoheshin – fama e Sylvia Plath erdhi vetëm pas vdekjes së saj.

* Solipsizmi – (filoz.) Teori filozofike se vetja jonë është e vetmja gjë që mund të jetë e njohur dhe e verifikuar plotësisht – teori apo pikëpamje se vetja është realiteti i vetëm si dëshmi.
(sguraziu)

[ Grafika: Adam Ponter – Portret i Sylvia Plath ]

Adam Ponter – Portret i Sylvia Plath