Mary Elizabeth Frye – Mbi varrin tim mos qaj

MBI VARRIN TIM MOS QAJ
Mary Elizabeth Frye [ 1905-2004, ShBA ]

(versioni 1)

Mos rri mbi varrin tim dhe mos qaj
Nuk jam aty. S’fle unë në varr.
Jam njëmijë erërat fishkëllore.
Shkëlqimi si diamant i dëborës.
Jam rrezja në kokrrën e pjekur.
Jam shiu i butë i vjeshtës.
Në ngutinë mëngjesore të zgjimit
Jam vrulli i ngritjes, i pezullimit.
Të zogjve të qetë në fluturim “çark”.
Yjet e butë që shkëlqejnë në natë.
Mos rri mbi varrin lot duke derdhur;
Nuk jam aty. Unë s’kam vdekur.

(versioni i mëvonshëm)

Mos rri mbi varrin tim dhe mos qaj
Nuk jam aty. S’fle unë në varr.
Jam në njëmijë erërat që fryjnë,
Jam dëbora që bie butësisht.
Jam butësia e rënies së shiut,
Jam fushat me grurin e pjekur.
Jam në ngutinë e mëngjesit,
Jam në hijeshinë e nxitimit
Të zogjve t’bukur në fluturim “çark”.
Jam shkëlqimi i yjeve në natë.
Jam unë në lulet që lulëzojnë,
Jam qetësia në një dhomë.
Jam në cicërimën e zogjve,
Jam gjithçka e bukur e kësaj bote.
Mos rri mbi varr, lot mos derdh,
Nuk jam aty. Unë nuk vdes.

[ © për shqipërimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2019 ]