Sibila Petlevski – Qeni di më mirë

QENI DI MË MIRË
Sibila Petlevski [1964, Kroaci]

Në fillim s’na është e qartë se mjafton çfarë mbetet
kur t’kenë rënë petalet, pastaj bukurinë t’ia mveshim
tepricës bëhet ves nga i cili s’dimë të lirohemi.
Të bindur se rënia duhet të shkaktohet nga diçka,
themi era është fajtore. Fajtor do t’ishte dhe asfalti
i freskët nëse qeni do ta fiksonte gjurmën e shputës
në të, dhe fajtor do t’ishte qeni që ia doli ta linte
gjurmën e përhershme të shetitjes së rastit, me kusht
që t’ekzistojë rastësia, nga e cila e mundur është

të veçohet përjetësia. Duart më janë plot lule dhe rrënjë,
klithi shitësi i trëndafilave, i cili dukej si fëmijë i vonuar*
kur foli, njëjtë siç do t’thoshte shamani indian,
duart më janë plot rroba me të cilat vishet toka.
Kemi mundur t’i blejmë dhe t’iknim. Kemi mundur t’i blejmë
dhe t’i mbjellim trëndafilat, t’i kapim një nga një në bitumin
e zi, të lagët, për t’qenë fajtorë që rrënjët kurrë s’do t’zënë.
Madje dhe qeni di, më mirë, t’i shenjojë kufijtë e botës së vet.

* …fëmijë i vonuar në zhvillimin mendor

– – –
© 2004, Sibila Petlevski – “Parullat e harresës” (dorëshkrim) – via Poetry International (Rotterdam)
© Nga kroatishtja: S. Guraziu, 2008

– – –

(notë, shënim – s. guraziu)
…në poezitë “Java e shenjtë”, “Qeni di më mirë”, “Parullat e Harresës”, “Mish që nuk prishet” (etj.) të poetes kroate Sibila Petlevski, ironia “poetike” është e thellë dhe ka t’bëjë me katrahurën e ish-Jugosllavisë, me dridhjen e themeleve të ish-federatës dhe me shpërthimin e luftrave (fillimisht në Slloveni, në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë…), autorja sikur e përqesh natyrën konfliktuoze të njeriut dhe të politikave të veta, sikur tallet se dhe “qeni do dinte ta kufizonte botën e vet”, zonën politike të influencës, perandorinë e vet të interesave, për rikufizim të ca entiteteve tjera politike s’ishte e nevojshme gjithë ajo gjakderdhje, gjithë ajo tragjedi kolektive e popujve, ekzistonte një ngrehinë politike dhe shpresa ishte diç si “lulet mbjellur në asfalt”, për ndarje e ca kufinj të tjerë vallë pse duheshin gjithë ato luftra e gjakderdhje, pse gjithë ajo “…pështjellimë në rrjetin e gjakut, si zemër përjetësisht e uritur që nga gjoksi ulërin”, autorja thuase ironizon me vetë dhimbjen, me copëzimin e përgjakshëm të federates, me nacionalizmat e me ambicjet politike megalomane, me kufijtë e me ngatërresat, me kompleksitetin e “përzierjes” politike, me enklavat politike e demografike të popullsisë kroate, serbe, boshnjake etj…
(sguraziu)