Projekti “Shtetet e Mira”, për një botë më të mirë!

S. Guraziu – Ars Poetica, S 2018

(…vallë ç’janë shtetet realisht? Ekzistojnë ato vetëm për t’iu shërbyer interesave të qytetarëve? Sipas Simon Anholt, ky debat është mjaft problematik, nëse përgjigja është “po”, atëherë jemi të gjithë në kthetrat e një problemi të madh. Nëse përgjigja është “jo”, atëherë sipas Indeksit (themeluar nga ai) Holanda është “shteti më i mirë” i botës – Për herë të parë në histori, duke përdorur një gamë të dhënash nga OKB, njerëzimi e ka një Indeks matës për vendet e botës që të shihet sa kontribuohet për të mirën e përbashkët të njerëzimit…)

***
Me progresin e jashtëzakonshëm në të gjitha frontet, në të gjitha fushat e jetës, në të gjitha shkencat, sikur jemi mësuar të mendojmë se përpara nesh qëndron një e ardhme e shkëlqyer, për gjithë njerëzimin. Përparimet janë evidente në çdo drejtim, në aspektin social, kulturor, teknologjik etj. Mostra jonë e “mendimit” mbase është fare ok, s’ka diç që s’përputhet me parapritjet tona, përparimet e mëdha teknologjike, përparimet shkencore sjellin dhe pasuri e mirëqenie. E dimë këtë, jemi dëshmitarë të paktën për 150 vjetët e fundit të “revolucionit industrial”. Anise parahistoria e progresit ishte një rrugë mjaft “e gjatë”.

Është svidente, kemi ecur aq shumë përpara, sot jemi më të avancuar se kurrë më parë. I kemi me mijëra universitete anembanë botës, panumër mendjesh brilante… shkencëtarë të shkëlqyer tek i japin “shtytje” përparimit çdo ditë, secili në fushën përkatëse. Duhet t’jetë e vërtetë, e ardhmja e njerëzimit s’ka si t’jetë ndryshe por e shkëlqyer – dhe pra gjithmonë jemi optimistë.
Sepse tekefundit s’është fare “e vështirë” t’jesh optimist, ndoshta një “pjesë” e madhe e qenies sonë është e bio-programuar ashtu, ekzistojnë madje dhe ëndrrat !

Megjithatë, diku thellë brenda nesh sikur jemi pakëz të shqetësuar, e dimë që disa gjëra s’janë zhvilluar aq sa do duhej. Në shumë drejtime kemi ngeluar aq “mbrapa”. Sikur ashtu mëvete persiasim: sa mirë do ishte sikur njerëzimi t’i ndalonte luftrat përgjithmonë. Sa mirë do ishte sikur njerëzimi të vepronte së bashku, si një bashkësi “organike” në mbrojtjen e kësaj bote të bukur, në mbrojtje të planetit, në mbrojtje të të gjitha specieve.
Sepse kemi prirjen të jemi dhe realistë, jo vetëm ashtu “optimistë”, symbyllur, duke injoruar realitetin. Sikur jemi të “vetëdijshëm” dhe shpresojmë, ka ardhur koha që shtetet e botës ta gjejnë disi mënyrën e bashkëpunimit për të mirën e mbarë njerëzimit.

Katër vjet më parë në TED, Simon Anholt e pati startuar një debat global rreth çështjes se ç’janë shtetet në fakt? Mos vallë shtetet ekzistuakan thjesht për t’iu shërbyer interesave të qytetarëve të vet (me çdo kusht), apo në mënyrë aktive janë dhe duke u kujdesur për mbarë njerëzimin?

Tani për herë të parë në histori, duke përdorur një gamë të gjerë të dhënash gjeneruar nga OKB dhe nga organizatat e tjera ndërkombëtare, njerëzimi e ka një Indeks matës për vendet e botës që të shihet sa kontribuohet për të mirën e përbashkët të njerëzimit, sa jep një shtet si kontribut dhe sa i kthehet si “shpërblim”, varësisht nga madhësia. Projekti është titulluar “Indeksi i Shteteve të Mira”! Në qasjen e projektit të Indeksit s’ka asnjë lloj gjykimi moral për shtetet. Me “Shtet i Mirë” thjesht nënkuptohet një shtet që kontribuon për të mirën e mbarë njerëzimit. Një shtet që, në radhë të parë u shërben interesave të popullit të vet, ama pa i dëmtuar – dhe mundësisht duke i avancuar – interesat e njerëzve në shtetet tjera gjithashtu.

Top-3 “Shtetet e Mira” (në krye të listës prej 163 vendeve – publikuar në v. 2017) sipas Indeksit janë Holanda, Zvicra dhe Danimarka.

Indeksi është formuar duke i kombinuar statistikat e 35 pikave nga të dhënat që gjenerohen kryesisht prej OKB-së. Këto pika të dhënash kombinohen në një matës që siguron një renditje të përgjithshme dhe një renditje specifike në 7 kategori: Shkencë dhe Teknologji, Kulturë, Paqe dhe Siguri, Prosperitet dhe Barazi, Shëndet dhe Mirëqenie, Rendi Botëror, Planeti dhe Klima.
Koncepti si dhe vetë indeksi janë zhvilluar nga Simon Anholt, ndërsa hartimi i Indeksit është kryer nga Dr. Robert Govers me mbështetjen e organizatave të ndryshme.

***
Mirëpo, rishtas, ç’janë shtetet realisht? Ekzistojnë ato vetëm për t’iu shërbyer interesave të qytetarëve? Sipas Simon Anholt, ky debat është mjaft problematik, nëse përgjigja është “po”, atëherë jemi të gjithë në kthetrat e një problemi të madh. Natyrisht, debati është i ndërlikuar, por ama vërtet një debat konstruktiv, një debat i kulluar “humanist”.
Nëse i përdorim fjalët e Anholt, “shumica e problemeve të botës janë vetëm simptoma të një problemi më të madh, themelor: tek ende s’e kemi gjetur zgjidhjen se si të organizohemi pa dallime si njerëz, si specie inteligjente të një planeti“. Ai thotë se “kjo mund të ndryshojë“.

Ka 700 milionë njerëz që mendojnë pakashumë “njësoj” si Anholt. Kjo nënkupton se do ishte një “shtet” i madh plot me njerëz që mendojnë “njësoj” (do ishte kombi i tretë në botë për nga madhësia). Këta janë “njerëz të cilët dëshirojnë që qeveritë të përqendrohen më shumë në bashkëpunimin ndërshtetëror dhe më pak në konkurrimin, njerëz që nuk bëhen mosbesues ose që nuk dyshojnë në njerëzit e tjerë vetëm sepse këta vijnë nga një “background” tjetër, njerëz që shohin një të ardhme të ndritur për njerëzimin, nëse njerëzimi të mësonte për t’bashkëpunuar”.

Pas 4 vjet pune me idenë, studimet tregojnë se të paktën 10% e popullsisë së botës përfaqësojnë plotësisht vlerat e “Shtetit të Mirë”.
Kjo është arsyeja që “Shteti i Mirë” sipas vizionit të themeluesve të Indeksit… do t’bëhet një shtet “i vërtetë” (anise virtual). Synimi tani është të aktivizohet ky komb i madh i padukshëm; për t’ia dhënë statusin e sovranit real dhe për t’krijuar një subjekt të fuqishëm në zemër të bashkësisë ndërkombëtare. Synimi është krijimi i një fuqie të vërtetë sovrane, që harton dhe ekzekuton mënyra novatore për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare.

Jo 1 shtet më tepër sepse kemi nevojë për 1 “Shtet të Mirë”, por sepse njerëzimi ka nevojë për Shtete të Mira që t’krijohet një botë më e mirë. Ky shtet i ri virtual mund t’i “mësojë” ose t’i ndihmojë shtetet reale. Dhe shteti i parë virtual në botë, sa i përket “banorëve” (siç e cekëm) është një shtet i madh, vetëm Kina dhe India janë më të “mëdhenj”, por në të ardhmen dhe kjo mund të ndryshojë.

“Shteti i Mirë” që do t’krijohet do t’jetë një Shtet pa Qeveri. Duket pakëz “utopike”, por ideja përputhet me realitetin, tekefundit është thjesht një shtet virtual. Ky “shtet” virtual mund t’jetë prova pikërisht e asaj që Anholt dhe bashkëpunëtorët e tij janë duke pohuar.
Falë zhvillimeve moderne të Inteligjencës Artificiale (AI), si dhe teknologjive të “Big Data”, sot është e mundur të simulohet gjithçka. Shteti virtual do t’funksionojë si një sistem i cili vetëorganizohet (pasi gjithçka është informacion, fjala është për “Big Data” si materie ndëraktive). Dhe ky shtet virtual mund të bashkëpunojë në mënyrë aktive me Shtetet reale (thjesht bashkëpunim subjektesh të AI, është thjesht ndëraktivitet me databazat e Shteteve reale). Shteti virtual mund t’i “mësojë” Shtetet reale se si t’jenë “Shtete të Mira”, si për qytetarët e vet ashtu dhe për botën në tërësi!

Shteti virtual si realitet do të themelohet gjatë dy fazave, fillimisht duke regjistruar një % të qytetarëve në tremujorin e fundit të 2018. Pastaj duhet siguruar për funksionimin normal, dhe nëse gjithçka shkon mirë, do t’vazhdohet me procedurën në Shtator të 2019, për ta inkuadruar pjesën tjetër të 700 milionë “qytetarëve virtualë” të mbarë botës.