(s. guraziu – ars poetica, g 2024 – koment)
(…“e panjohura është ajo që përcakton ekzistencën e njeriut, njerëzit janë vazhdimisht në kërkim, jo vetëm të përgjigjeve rreth pyetjeve të tyre, por dhe në kërkim të pyetjeve të reja” – gjoja thënie e Benjamin Sisko, personazh imagjinar i Star Trek, duke e përshkruar specien e njeriut, dmth. padyshim duke ua sqaruar alienëve natyrën njerëzore… )
***
Shikuar nga aspekti i “dizajnit”, nëse analizohen idetë pararendëse dhe vazhdimësia (dmth. e mëpastajme, “tradicionale”), sipas meje dalin në pah ca detaje mjaft interesante – mbase detaje në dukje të “padukshme”, mirëpo sapo t’i kemi pikasur thuase ia fillojnë dhe duken “interesante” : )
Bie fjala, sipas meje iPhone (mobilofoni i Apple, produkt i avancuar i së tashmës realistike) duket 1 “milion” herë më i avancuar sesa “Tricorderi” i Star Trek-ut imagjinar. I cili, kuptohet, qe supozuar i super-avancuar, meqë ngjarjet e imagjinatës së Star Trek ndodhin diku nga shek. 22 e deri tek shek. 32.
Mirëpo, për çudi skematika vizuale e iPhone (butonat e thjesht të iPhone) sikur janë 1 “milion herë më të prapangelur” sesa bie fjala “okudagramet” e Star Trek.
Vallë si është e mundur pra kjo “çudi”, kjo mospërputhje, pse një e tillë mospërputhje me parapritjet : ) Madje sikur mund të thuhet që iPhone s’ka fare ndonjë “ndërfaqe grafike”, por thjesht ca butona si “katrorë pa kënde”. Thuase përkryeshmëria e iPhone fuqizohet, realizohet pikërisht sepse s’ka fare “dizajn”.
Thjesht një katërkëndësh, thuase njësoj si ato “monolitet misterioze” të Stanley Cubrick, që padukshëm fluturojnë, shfaqen sa në Tokë, sa në Hënë sa në orbitat diku të hënës Europa (në rregull, si saktësi duhet përmendur sa Cubrick sa Arthur Clarke, pasi ishte paralelisht nga të dy, por unë thjesht më lehtë ia them “Cubrick”).
Njëherë pata shkruar diku si koment se “iPad-at” (ose produktet e Apple) ndoshta thjesht janë “kopje të Pad-it” të S. Cubrick (e pata quajtur si shaka “Cub-Pad”, pra nga filmi 2001-Odiseja Hapësinore, 1968).
Ajo çfarë po aludoja atëbotë ishte se, edhe Cubrick e po ashtu edhe Apple e qartë se qenë ndikuar nga filozofia e dizajnit “Bauhaus”. Nëse thjeshtësohet deri në “thelb”, mund të thuhet se dhe Cubrick e edhe Steve Jobs, që të dy po e kopjonin të njëjtën bukuri, të njëjtën dizajn-filozofi, ishin duke i ndjekur thjesht “kushtet e modernizmit”, paradefinuar qëmoti nga “Bauhaus”.
Të njëjtën, absolutisht, do e bënte dhe Star Trek, s’kishte asgjë të “re”, anise Star Trek mbase do ishte më “vonë se Odiseada” e Cubrick, dhe shumë më “herët”, me dekada më herët, se shijet e Steve Jobs.
Aparatet moderne kompjuterike të dorës, të ashtuquajtur “tableta” (si PlayBook, iPad, Nexus 7, Amazon Fire etj.) janë krahasuar me PADD-in fiksional të Star Trek (PADD – shkurtesë, Personal Access Display Device). Mirëpo njësoj mund të krahasoheshin dhe me Pad-at e Cubrick, akoma më afër “origjinalitetit”.
Në universin e Star Trek, skematika vizuale “LCARS” qe përdorur shpesh dhe për kompjuterat e dorës të ashtuquajtur “PADD”.
Skematika-ndërfaqja grafike e ashtuquajtur “LCARS” qe dizajnuar ose krijuar nga Michael Okuda. Kjo pamje e minimalizuar grafike qe krijuar për t’ofruar përshtypjen se teknologjia tashmë ishte shumë më e avancuar (sesa dikur në seritë origjinale të Star Trek).
Si homazh për krijuesin, dizajnerin, për ideatorin Okuda, ky stil vizual ndër fansat e Star Trek do bëhej i njohur si “okudagrame-t”.
Në universin imagjinar të Star Trek, skematika grafike LCARS (shkurtesë kjo për Library Computer Access-Retrieval System) është gjoja një sistem operativ kompjuterik. Skematika e GUI (prapë shkurtesë, Graphical User Interface – nuk di nëse “graphical interface” do bënte të thuhej në Shqip si “ndërfaqe grafike”, nëse po bukur : ) e sistemit kompjuterik imagjinar “LCARS” do përdorej gjoja në disa prej anijeve të Starfleet.
Kjo e fundit, termi “Starfleet” bën të përdoret shkurt për “United Federation of Planets Starfleet”, pasi në Star Trek dihet, jo të gjitha… por planetet dhe sistemet janë të “federalizuara”, e kanë një komandë të “centralizuar” për flotën yjore – flotë e maaadhe, imagjinatë e paskajshme, sa e sa planetet, sa e sa speciet, sa e sa botët e universit… por ja që nën 1 Admiralitet.
Anise jo të gjitha, e cekëm dhe këtë, patjetër se ka dhe specie armiqësore, universi ka dhe botë që nuk “nënshtrohen”, s’i durojnë të gjitha qeniet diktatet e tokësorëve, s’i detyron dot alienët ambiciozë po aq sa dhe njeriu vetë, ata prore të rrezikshëm dhe e cenojnë paqen aneskaj kuadranteve galaktike : )
“… gjëja më e rëndësishme për t’kuptuar lidhur me njerëzit (me specien humanoide) – e panjohura është ajo që përcakton ekzistencën e njeriut, njerëzit janë vazhdimisht në kërkim, jo vetëm të përgjigjeve rreth pyetjeve të tyre, por dhe në kërkim të pyetjeve të reja” – gjoja kështu pati thënë Benjamin Lafayette Sisko, duke e përshkruar specien e njeriut (dmth. padyshim duke ua sqaruar alienëve natyrën njerëzore).
Thjesht thuase po doja ta “theksoj se pajtohem”, më duket fort e saktë. Nuk di sa mund ta kenë “kuptuar” alienët por mua si njeri më tingëllon mjaft e përafërt : )
Përndryshe Sisko ishte personazh i famshëm imagjinar (i portretizuar nga aktori Avery Brooks), lexova se paska qenë personazhi kryesor i TV-serialit “Star Trek: Deep Space Nine”, Sisko ishte një oficer i Starfleet (dmth. siç sqaruam, United Federation of Planets Starfleet) i njohur për detyrën e tij komanduese 7-vjeçare në stacionin kozmik “Deep Space 9”, diku theeeeellë në sektorin Bajor, të imagjinatës së Star Trek, aq thellë në univers sa këmba e njeriut s’pati shkelur kurrë deri “atëherë”, madje as me mendjen, me imagjinatën, sa për realisht hiç se hiç : )