( s. guraziu – ars poetica, g 24 – humoreskë )
Vallë a nuk është e çuditshme që Amerika as 1 Miss-Presidente, kuuuurrrë, kaluan shekuj dhe afro 50 Presidentë varg e varg – ndërsa Kosova vetë shembullorja e urtësisë, gjatë demokracisë “newborn” (pothuaj ende me cucëll, me biberon) i zgjodhi jo 1… por 2 Miss-Presidente (pata shkruar në humoreskën dikur, në Maj 2022).
Dhe tani, siç e dimë desh e likviduan ish-Presidentin Trump, pothuaj në sy të botës, jo natën as tinëz… por në pikë të ditës. Krijohet përshtypja se Amerika kurrë s’ka qenë më e “përçarë e më e ndarë”. Siduket ka ardhur koha që Kosova t’i jep “leksion” Amerikës sa i përket demokracisë dhe avancimeve politike : )
Po ashtu, bota e tendosur, plot trazira, mosmarrëveshje, luftra, plot padrejtësi; Izraeli, Palestina, Ukraina… gjithandej vrasje, bombardime, viktima!
Andaj m’u kujtua mustakologu Niçe dhe humoreskat e mia lidhur me ngutulushizmin, me vonesat e Zotit. Vetë jam apolitik, s’marr vesh nga politikat por uroj kësaj radhe (pas largimit të Presidentit Biden nga kampanja presidenciale) të fitojë ndonjë “grua demokrate”, ndonjë zonjë e mençur, largpamëse.
S’jam kundër z. Trump (jo vetëm sepse apolitik, s’jam as amerikan madje, s’më takon as të votoj) mirëpo ai veç ishte President 1 x, ndenji në “Shtëpi…” plot 4 vjet, s’është nevoja të fitojë Trump 2 herë… e ndokush tjetër asnjëherë, politika s’është sport por duhet sadopak dhe “fair” apo jo.
***
Mustakologu i madh, Niçeja dikur e quante Zotin “ngutulush”, sipas tij Zoti qe ngutur dhe pati gabuar të paktën 2 herë. Gabimi i parë… dihet (s’dua ta përmend, qëkur femrat e dinë) – ndërsa i dyti si gabim trashanik i Zotit, femrat.
Dmth. ishte ky gjykim i Niçes, s’kemi si ta dimë sa kishte të drejtë. Ndoshta dhe ai vetë ishte ngutulush, ngutej me gjykimet… mirëpo qëllimisht vonohej për t’i “qethur” mustaqet e veta.
Ndërsa kohët e fundit, thuase mençuria e Niçes aspak e “saktë”, fitohet përshtypja sikur dhe vetë Zoti është ndalur e duke dëgjuar. Jo duke u ngutur, por fare e kundërta, absolutisht e kundërta, thuase për inat të Niçes, duke u vonuar qëllimisht.
Nëse jo totalisht konfuz, atëherë sëpaku i përhumbur nga konfuzioni. Thuase tokësorët me lajmet e tyre, me kakofoninë mediatike, me luftrat e mosmarrëveshjet, me një milion kanale të “eterit”, ia kanë bërë mendjen lëmsh. Thjesht është ndalur dhe ai, duke mbajtur shënime në bllokun e vet – siduket s’ka dëshirë të ngutet.
Me vonesen e gjatë sikur na sugjerohet se Zoti vërtet ka vendosur t’mos ngutet më. Gjykimet e tij zgjasin më gjatë se ato të tribunalit në Hagë. Thjesht vetë ka vendosur t’mos ngutet.
Përndryshe s’ka si sqarohet vonesa e tij me gjykimet rreth padrejtësive dhe luftrave. Edhe nëse t’na ketë harruar aty-këtu (s’përjashtohet mundësia), s’ka si u shmanget ca “rregullave” ujdisur nga ai vetë. Disa gjëra i kanë mbase ato veset “antropike”, mirëpo ca të tjera vetë i pati lidhur me kauzat, me kauzalitetin.
Ai vetë e pati lënë të natyrshme rregullën më bazike, “nëse foshnjat qajnë… nënat vrapojnë”. Sepse kuptohet nënat kanë dhe tjera brengash, ndonjëherë mund të hutohen me hekurosjen, me telefonatat, me telenovelat etj etj.
Ose ja një shembull tjetër, le t’jemi origjinal, për “inat” të Niçes. Thonë se thëniet e popullit janë fjalë të mençura, nuk thuhet kot “thënie e urtë e popullit”, apo jo.
Thuhet sepse janë thënie ngjeshur me përvojë e me urtësi. Psh. popullit në Kosovë i takon autorësia rreth thënies “femna i ka ment e shkurta”. Dhe shih, thuase populli na qenkësh ngutur me “thënien e urtë”, gjatë demokracisë “newborn” (pothuaj ende me cucëll, me biberon) i zgjodhi jo 1… por 2 Miss-Presidente.
Ndërsa Amerika, gjoja zemra e demokracisë moderne, që nga vetë filli i fillimit, që nga Washington-i i Parë, si Presidenti i parë me “1 dhëmb” (njëdhëmbaxhiu), kaluan shekuj dhe afro 50 Presidentë varg e varg… populli amerikan as dhe një “mendjeshkurtër” s’e zgjodhi si Miss-Presidente!
E qartë, disa gjëra sikur vërtet s’kanë sqarime… as ngutulishizmi i Zotit (sipas mustakologut Niçe), por as vonesa e tij lidhur me luftrat dhe padrejtësitë. Sikur dhe as shembulli ynë “origjinal” (pa qenë nevoja ta kopjojmë Niçen), dmth. ngutulushizmi i popullit me thëniet e “urta”.
(ngjitur: portret i Znj. Klinton, bërë me ndihmën e IA)