WA Bouguereau – Agimi, Dita, Mbrëmja, Nata, 1881-83

(s. guraziu – ars poetica, sht 2018)

Sipas artistit Bouguereau, mëngjesi, dita, mbrëmja, nata kështu janë, secila më çubardhake se tjetra, sipas tij për alegorinë “24 orëshe” të ditë-natës (ose të ciklit ditor) duheshin 4 piktura dhe 2-3 vite për t’i përfunduar : )
“Apogjeu” i klasicizmit akademik pati ardhur në jetë nën brushat e kryemjeshtrit William Adolphe Bouguereau, kuptohet, sipas meje : ) Nëse flasim për artin piktural, mendoj se Bouguereau ishte ëndrra dhe “vula” e pakontestueshme e standardit të Akademisë franceze.

Sukseset e hershme të Bouguereau çuan drejt komisioneve të rëndësishme dhe ofertave-angazhimeve të shumta nga shteti francez e nga patronë privatë të pasur, që ndihmuan në rritjen e reputacionit të artistit. Stabiliteti financiar që Bouguereau do ta fitonte, i lejoi atij të ndiqte lirinë e pikturimit sipas shijeve e interesave të veta.

Klasicizmi akademik ose akademizmi (përmendet dhe si “eklekticizmi”, “art pompier” – e fundit si emër përçmues, përbuzës) ishte një stil i arteve të bukura nën ndikimin e akademive evropiane të artit, veçanërisht ndikuar nga standardet e akademisë franceze (Académie des Beaux-Arts), qe praktikuar nën lëvizjet ose shkollat artistike të Neoklasicizmit dhe të Romanticizmit, ishte si përpjekje për t’i sintetizuar të dy stilet ose rrymat.

Bouguereau (student i F. Picot, në Académie des Beaux-Arts të Parisit) ishte vetëm 24 vjeç kur për herë të parë, në v. 1849 ekspozoi në Sallonin e Parisit. Vitin e ardhshëm, 1850, do ta fitonte çmimin prestigjioz “Grand Prix de Rome”, e që ishte një bursë franceze për studentët e artit (fillimisht për piktorët e skulptorët, qe themeluar në v. 1663 gjatë sundimit të Luigjit XIV, më vonë qe zgjeruar dhe për arkitekturën e gravurën), fituesve u ndahej një bursë qëndrimi në Romë për studime të artit prej 3 deri 5 vjet, dmth. me pagesë nga shteti.

Fred Ross pati shkruar se “Bouguereau ia doli t’i kapte shpirtin dhe ndjenjat e subjekteve, ngjashëm si Rembrandti, thuhet se Rembrandti e pati ‘kapur’ shpirtin e pjekurisë a të moshës, Bouguereau shpirtin e rinisë“.


William A. Bouguereau (1825-1905) – Agimi, Dita, Mbrëmja, Nata, 1881-83