Pikaso-valentiniani, dhe Zhaklina e “400 portreteve”!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2018

(“arroganca pikasiane”, pëllumbi me shkumës, trëndafilat, romanca, martesa…)

Kur Pikaso-xhufurraku e pati parë për herë të parë, ajo në lulen e rinisë, vetëm 26 vjeç, ndërsa ai 72 vjeç. Ose diferenca në moshë ishte jo më pak por 46 vite. Burri i botës na qenkësh “dashuruar” (ec e mos buzëqesh, booo çfarë “arrogance pikasiane” : ) Dhe s’do ndalej me tentativat për ta “mashtruar”, me muaj e muaj do t’i vardisej me durimin e pinguinëve të akullnajave, me atë këmbëngultësinë e mirënjohur “pikasiane”.

I pati shkrepur mendja ta vizatonte me shkumës një pëllumb në shtëpinë e saj, dhe për çdo ditë, për 6 muaj rresht, së bashku me buzëqeshjen ia çonte dhe nga 1 trëndafil të kuq. Gjesti i tij me nga “1 trëndafil” për 6 muaj rresht, dorën në zemër, është një gjest valentinesk se jo shaka.

Natyrisht në historinë e “trëndafilave” bota njeh lloj-lloj storiesh e rekordesh. Bie fjala ai Gunteri i pasur (ai pronari i kompanisë gjermane Opel) s’kishte durim si Pikaso. Ky zotëria gjerman, vetëm një ditë pasi qe takuar me yllin francez Brigitte Bardot, e pati nisur një helikopter mbi shtëpinë e saj dhe e pati mbuluar me mijëra trëndafilash të kuq. Thjesht ashtu i pati derdhur nga qielli mbi shtëpinë, dëshmitarët thonë se e pati skuqur madje dhe oborrin.

Siç pati bërë ky gjermani s’qe kujtuar madje as vetë Amori i mitologjikave, as vetë Zeusi kur e pati mashtruar Europen, asnjë i dashur i Afërdites… edhe pse të gjithë endeshin qiellit (si hyjnorë që ishin), edhe pse mund t’i ujdisnin trëndafilat e botës me një mbyllje qepalle.
Dy muaj më vonë Brigitte i pati thënë “po”. Pra ky pasaniku gjerman s’na ishte vetëm i pasur, por dhe fare origjinal e kreativ, i pati shkurtuar gjërat, s’pati qenë nevoja të “priste” 6 muaj, secilën ditë ik-e-eja, herë nga Shkupi e herë nga Peja, me1 trëndafil në dorë.

E qartë, frymëzimet dhe ekzekutimet trëndafileske mund t’jenë të ndryshme, na ndodhë herë me helikopter e herë me trokitje si varfanjak në derë. Ama rëndësi ka ajo “simbolika valentineske”, rëndësi ka që zemra e të ngratit Pikaso ishte “përskuqur”. Rëndësi ka që ia pati nisur nga 1 lule çdosecilën ditë, ditë pas dite. Derisa Zhaklina më në fund qe “dorëzuar”, derisa qe bindur se vërtet ishte një valentinian i çmendur. Thonë “dashuria është e verbër”, thonë dashuria nuk njeh “moshë” etj etj. Mbase… gjithsesi dashuria xhufurratike a la pikasiane pra duhet të jetë prova se dashuria na qenka thjesht diç si “çmenduri”, paçka se e ëmbël : )

Romanca e tyre pra do ishte e vërtetë, Zhaklina s’e konsideronte të “sëmurë mendërisht” (siç do ta konsideronin më vonë vetë fëmijët e tij). Përkundrazi.
Anise, shikuar me sytë e botës rrotull tij, Zhaklina mund t’ketë patur dhe tjera “motive”. Natyrisht, pse t’mos kishte, afërmendsh që mund t’ketë patur ëndrra e motive.

U martuan disa vite më vonë, në v. 1961. Ai tashmë 79, ajo 34 vjeç. Të martohesh me një 80-vjeçar s’është hap i vogël, s’është as sot e kësaj dite, s’ishte as atëherë. Me 46 vjet diferencë në moshë ndoshta s’do jetë kurrë “hap i vogël”. Për një Pikaso ishte e lehtë, por Zhaklina duhej ta kishte një motiv vërtet të “qëndrushëm”, o në zemër o në mendje. Prapëseprapë, askush i botës s’mund të ketë hyrë në “kokën” e saj – vetëm ajo do ta dinte.

Martesa e tyre zgjati 11 vjet, deri në vdekjen e tij. Pra nëse llogariten dhe vitet para martesës, i bie që Pikaso i kaloi 20 vitet e fundit të jetës me të. Në atë kohë i krijoi më shumë se 400 portrete të saj. Më shumë portrete s’pati bërë për asnjë “muzë” tjetër të mëparshme. Në v. 1963 do ta vizatonte portretin e saj plot 160 herë… dhe vazhdoi me vizatimet deri në v. 1972.

Një vit më pas, 1973 Pikaso vdiq. Zhaklina vazhdoi dhe 13 vite tutje, deri kur do t’bënte vetëvrasje me një armë zjarri, ishte 59 vjeç kur i mori jetën vetes.
Kur Pikaso vdiq, rreth trashëgimisë do të “luftonte” dhe Françoise Gilot (e dashur e mëparshme e Pikasos për 10 vite, nga 1943-53, dhe nëna e dy fëmijëve të tij). Ajo, së bashku me fëmijët e saj, do t’provonin me arsyetimin se Pikaso ishte i “sëmurë mendërisht”, por patën dështuar t’i bindnin organet e drejtësisë. Zhaklina s’i pati lënë madje as fëmijët e Pikaso të merrnin pjesë në varrimin e tij.

Testamentin e Pikasos s’e kam “lexuar” (s’ka patur fare, s’pati lënë ndonjë testament), por si spekulim them se lufta e pretendetëve do t’vazhdonte, letrat e drejtësisë mund t’kenë marrë flakë, duhet t’ketë qenë drejtësi e “zjarrtë”. Fjala ishte për miliona e miliona rreth “trashëgimisë” xhufurratike. Përfundimisht, palët patën rënë dakord për themelimin e “Musée Picasso” në Paris.

Koleksioni i muzeut sot përfshin më shumë se 5000 vepra arti dhe mijëra gjërash tjera nga arkivi personal i Pikasos (arkivin fotografik, letrat personale, korrespondencën, dorëshkrimet autoriale etj). Në v. 2009 qenë nisur punët për zgjerimin e muzeut, projekti duhej t’i “merrte” dy vite, për arsye të vështirësive datat e rihapjes qenë shtyrë disa herë, projekt-zgjerimi i pati hëngër mbi 70 milionë. Pas një pesëvjeçari me dyert mbyllur, në Tetor 2014 muzeu i valentinian-xhufurrakut më në fund qe rihapur për publikun.

Pablo Picasso (1881-1973) – Zhaklina me trëndafilat, 1956
[ Jacqueline Roque (1927-1986) ishte muza dhe gruaja e dytë e P. Picasso ]