Vetëdija Fenomenale Animalistike – Shkenca, Njeriu dhe Etikat

(S. Guraziu – Ars Poetica, Korrik 2024 – Vështrim, përsiatje – Deklarata e re mbi “vetëdijen” e kafshëve, New York 2024)

Shkenca më e re, më e aktualizuar, thotë se njerëzit nuk janë unikë në zotërimin e substrateve neurologjike që gjenerojnë vetëdijen. Ndoshta arritja më e madhe shkencore e njeriut deri sot është pikërisht “vetëdijësimi” ynë se dhe insektet, peshqit, zvarranikët dhe kafshët tjera janë të “vetëdijshme”, apo e posedojnë një formë të vetëdijes fenomenale, si shkallë bazike. Tani për tani njeriu ka shumë më tepër gjëra të përbashkëta me insektet e “vetëdijshme”, madje dhe me mushkonjat gjakpirëse, sesa me sistemet e super-avacuar të Big Data dhe të AI (Inteligjencës Artificiale). Meqë, për fat të mirë, tani për tani AI s’është as afër “vetëdijësimit” të rrezikshëm

***
Deklarata mbi Vetëdijen e Kafshëve u nënshkrua më 19 Prill 2024, në New York. Një grup biologësh dhe filozofësh të shquar u takuan, biseduan, kuvenduan, u morën vesh dhe deklaruan se, sipas tyre ekziston “mundësia realiste” që insektet, oktapodët, peshqit dhe kafshë të tjera ta përjetojnë vetëdijen. Deklarata fokusohet në llojin më themelor të vetëdijes, të njohur si “vetëdije fenomenale”.

Mbase s’është dhe aq “shkencore” (në thelb), por më shumë si arritje grandioze filozofike dhe etike. Duhet cekur dhe kjo, akoma pa ia filluar, qëkur siguria absolute për “vetëdijen” e kafshëve aktualisht nuk është e mundur me gjithë plotësinë, e vështirë t’jesh 100% i sigurt.
Madje shkenca e sotme (sado e avancuar, me kohëlinjën mbi 400-vjeçare të zhvillimit) s’e ka “idenë” si funksionon as vetëdija e njeriut. Ka shumë probleme në këtë drejtim dhe bota shkencore-filozofike sikur ecën binarisht, në binarë – njëra këmbë andej, tjetra këndej : )

Gjithsesi (përkundër mangësive evidente) një mundësi realiste e ndjeshmërisë së kafshëve është e mjaftueshme për t’u “garantuar” konsiderata serioze morale (dmth. nga ne, nga shkencëtarët, nga filozofët e moralistët, nga ana e njeriut) – thonë eskpertët.
Deklarata i pranon provat shkencore në rritje e sipër se një gamë e gjerë kafshësh, duke i përfshirë gjithë vertebrorët dhe shumë jovertebrorë, ka të ngjarë t’jenë specie të vetëdijshme, të afta që në mënyrë subjektive ta “përjetojnë” botën (dmth. pothuaj njësoj siç e përjeton dhe njeriu – subjektivisht).

Mirëpo s’ishte kjo hera e parë që nga shkencëtarët të deklarohej “vetëdija e kafshëve”, kësaj i printe deklarata pararendëse e Kembrixhit. Një dekadë më herët, në v. 2012 “Deklarata e Kembrixhit mbi Vetëdijen Animalistike” thoshte se një sërë kafshësh, duke i përfshirë por pa u kufizuar në gjitarët dhe zogjtë, e kanë “aftësinë për t’shfaqur sjellje të qëllimshme, dhe se njerëzit nuk janë unikë në zotërimin e substrateve neurologjike që gjenerojnë vetëdijen”.

Tani, deklarata e re e përqafon zyrtarisht këtë pikëpamje të deklaratës pararendëse. Dhe dmth. i bie se është “aktualizim” i përpjekjeve më të fundit për një “pajtim” të gjerë shkencor mbi vetëdijen e kafshëve. Deklarata e re sikur e “zgjeron” sadopak qëllimin e deklaratës së dikurshme, madje thuhet se është formuluar me kujdes e me takt – “jo shkencë me diktat, përkundrazi, mirëpo kërkohet seriozitet i mirëfilltë, duhet marrë seriozisht vetëdija e kafshëve, dhe duhet përparuar etikat adekuate të njeriut”.

Ndër të tjera, deklarata e re thotë: “dëshmitë empirike tregojnë se ka të paktën një mundësi realiste të përvojës së vetëdijshme tek gjithë vërtebrorët-kurrizorët (duke i përfshirë dhe speciet e zvarranikëve, amfibëve dhe peshqve) dhe shumë jovertebrorë (duke i përfshirë, minimalisht speciet e ndryshme, por madje dhe insektet).

***
Shenja të “çuditshme” sa i përket “gjendjes së vetëdijshme” tek kafshët ka kohë që janë hetuar, dhe natyrisht janë sfiduese për biologët, për shkencëtarët, për ekspertët e fushave përkatëse, për filozofët e për moralistët. Ka me dekada ekziston një pajtueshmëri e gjerë mes shkencëtarëve që kafshët e “ngjashme” me njeriun – psh. majmunët – kanë përvojë të vetëdijes (anise “vetëdija” e tyre ndryshon nga e jona, s’do jetë aq komplekse).

Mirëpo kohët e fundit studiuesit e ndryshëm kanë filluar ta pranojnë se vetëdija fenomenale mund t’jetë reale dhe në mesin e specieve që janë shumë të ndryshme nga njeriu, duke i përfshirë dhe jovërtebrorët (me sistem nervor krejtësisht të ndryshëm, dhe shumë më të thjeshtë).
Nëse një krijesë është “fenomenalisht” e vetëdijshme, atëherë mendohet se kjo krijesë e ka aftësinë të përjetojë dhe ndjenja të tilla si dhimbja e kënaqësia – por jo domosdoshmërisht do jetë zhvilluar ndonjë “gjendje mendore më komplekse” (siç është psh. vetëdija e njeriut).

Studimet thonë se oktapodët ndjejnë dhimbje. Janë hetuar sjellje mjaft komplekse që i shfaqin ato krijesa, si psh. zgjidhja e problemeve, përdorimi i mjeteve, ndjenja-prirja për “lojë” – sjellje këto që mund të interpretohen si shenja të vetëdijes. Oktapodët angazhohen vëmendshëm me gjërat, me ne njerëzit, dhe me objektet, gjë që për studiusit e bën të vështirë t’mos mendojnë se në kokat e oktapodëve “bluhet” diç.

Studimet thonë se sepjet kujtojnë detaje të ngjarjeve specifike të së kaluarës, dmth. memorizojnë, dhe nëse kanë kujtesën i bie sikur janë të “vetëdijshme” për historinë. Studimet e kryera me disa peshq sugjerojnë se e kalojnë një lloj “testi të pasqyrës”, i cili test flet për një shkallë të vetë-njohjes (dmth. i bie se e njohin surratin e vet : ) Një tjetër lloj peshqish përshfaqin shenjash kurioziteti – rishtas, se mos na qenka “ndryshe”, ja tani dhe unë u bëra kureshtar për “kuriozitetin” e peshqve : )

Vetë shkencëtarët e cekin se kishte një debat të madh nëse peshqit janë të “vetëdijshëm”, shumë prej pikëpyetjeve kishin t’bënin me mungesën e strukturave të trurit (siç psh. ekzistojnë tek gjitarët). Por nëse dihet se zogjtë, zvarranikët, amfibet kanë struktura tejet të ndryshme të trurit, e megjithatë disa nga këto struktura neurale e bëjnë të njëjtën punë njësoj si dhe korteksi cerebral i njeriut.

Pra, atëherë del se shenja të vetëdijes “mund të ekzistojnë në një arkitekturë neurologjike që duket krejtësisht e jozhvilluar (krahasuar me arkitekturën trunore të vertebrorëve, e edhe me atë të njeriut). Hulumtimet e fundit (duke i përfshirë speciet si oktapodët, gjarpërinjtë, peshqit) sugjerojnë se vetëdija mund të ekzistojë në një arkitekturë neurale që duket fare bazike, e jozhvilluar, krahasuar me trurin tonë. Jokompleksiteti i trurit nuk duket se është pengesë për ekzistencën e vetëdijes – thonë shkencëtarët.

Por jo vetëm kafshët, dhe as jo vetëm peshqit, edhe në mbretërinë e insekteve, bie fjala bletët tregojnë sjellje të interesit për lojë, ndërsa mizat e frutave (Drosophila) kanë modele të dallueshme gjumi të ndikuar nga mjedisi i tyre “shoqëror”. Dy vite më parë (v. 2022) studiuesit i vëzhguan bletët duke bërë diç të jashtëzakonshme, mjaft të “çuditshme”. Me sa duket bletët po merreshin me diç si aktivitet që mund të përshkruhej vetëm si “lojë”. Duke ua ofruar ca mini-toptha, si kokrra apo diç si rruaza, bletët i shtynin përreth dhe i rrotullonin gjithandej.

Në rregull, mbase jo “ekzaktësisht” njësoj si futbollistët e UEFA-kampionatit, por sjellja e tyre fort intriguese, s’kishte asnjë lidhje të dukshme me “programimin” (gjenetik) sa i përket shumëzimit dhe as mbijetesës – thonë studiusit. E po ashtu nuk “motivohej” me asgjë si “shpërblim” nga studiusit (pasi është fakt, nganjëherë dhe ua bëjnë me “hile”, ngjashëm siç përdoren bananet për motivimin e shimpanzeve). Aktiviteti i bletëve me topthat ishte, me sa duket, thjesht për argëtim – thuase dhe bletët po loznin “futboll”.

Pra ç’po ndodhte në “mendjen” e bletëve? – qenë bërë kureshtarë studiusit. Mos vallë ekzistonte “mundësia realiste” e vetëdijes, sepse të merresh enkas me lojë si argëtim është konfirmim i diçkaje si sjellje e “vetëdijshme”.

***
E qartë se “Deklarata mbi Vetëdijen Animalistike” ka implikime etike dhe na bën obligativë sa i përket trajtimit të kafshëve, veçanërisht sa i përket parandalimit të vuajtjes së tyre. Mirëpo theksohet se duhet shumë më shumë se kaq – kufiri shkon shumë më larg. Nga ana tjetër (sikur brengosen shkencëtarët dhe moralistët) etiketa e “vetëdijes” për insektet (e dëmshme) do e bënte respektin tonë për insektet mjaft kontadiktor dhe apo “antagonistik”.

Bie fjala, ideja që t’bëhet paqe me mushkonjat (si bartëse të sëmundjeve që janë, si gjakpirëse të pamëshirshme, si shkaktare të miliona vdekjeve) duket pothuaj “ide” e pamundur dhe kontradiktore. Nëse t’mos i luftonim pa kompromis, ato ndoshta do ta cenonin dhe vetë ekzistencën tonë.
Kryesisht mendojmë për mirëqenien e bagëtisë, për të drejtat dhe për respektin ndaj kafshëve shtëpiake, për respektin ndaj kafshëve të egra që janë pjesë e ekosistemeve dhe e mirëqenies së planetit, e madje duhet trajtuar denjësisht dhe minjtë e laboratoreve.
Por tingëllon e tepërt, ekzagjerim i kulluar të mendosh për mirëqenien e insekteve, duket madje dhe qesharake.

E sidomos e pamundur t’kesh respekt për mushkonjat, ruana zot, le t’jenë të vetëdijshme ato gjakpirëse, e çfarë pastaj, sepse dmth. akoma më keq, gjakpirëse të vetëdijshme – thuase kështu duket ajo “barriera morale” e shkencëtarëve lidhur me mushkonjat : )

Shkurt, dhe me fjalë “ndryshe”, tani për tani njeriu ka shumë më tepër gjëra të përbashkëta me insektet e “vetëdijshme” sesa me sistemet e super-avacuar të Big Data dhe të AI (Inteligjencës Artificiale). Meqë, për fat të mirë, tani për tani AI s’është as afër “vetëdijësimit” të rrezikshëm. Sidoqoftë, nëse mushkonjat qenkan të vetëdijshme atëherë del se ato “qëllimisht” qenkan të rrezikshme, i bie se ato vetëdijshëm e kanë zgjedhur jo miqësinë… por armiqësinë ndaj nesh.