Suksesi i madh Kinës, dhe “Hëna e mbarë njerëzimit”!

(s. guraziu – ars poetica, q 24)

Pak ditë më parë Kina i mori mostrat e para nga “ana e largët, nga ana e pasme…” (pothuaj do ishte e saktë të thuhet nga shpina e Hënës, diku rreth belit apo dhe më poshtë : ) e cila siç dihet është fare “ndryshe” nga ana që shihet (nga ana që e kemi vizituar mjaft shpesh). Se si ka ardhur tek ky ndryshim i madh i dy anëve të Hënës kuptohet se çuditen dhe shkencëtarët, kurrë s’e kanë gjetur as shkakun as “pse-n” dhe natyrisht, prore kureshtarë.

Jo vetëm se “korja” e anës së pasme më e trashë, dyfish më e trashë (dhe vetëm ky detaj i çuditshëm sikur prore e rritë kureshtinë e shkencëtarëve), por ka dhe shumë ndryshime tjera të pashpjegueshme, askush s’di ende t’i sqarojë. Andaj sjellja e “steres shpinore” të Hënës u jep shpresë qarqeve shkencore të mbarë botës për gjetje, për filiza idesh, për zbulime, eventualisht për sqarime të thella dhe të plota shkencore.

Kapsula e Chang’e-6 zbriti me parashutë më 25 Qershor 2024 – edhe vetë unë (dmth. unë, pa qenë as shkencëtar, as lunatik as raketolog) sikur po thosha mëvete “pirolla u qoftë kinezëve, sukses i meritueshmi, lajm i gëzueshmi”… Sukses i mbarë njerëzimit, sepse gjatë gjithë historisë zhvillimore (të njeriut si specie), njeriu për herë të parë ia doli dhe i solli “ca gurë nga ana e padukshme, nga shpina e Hënës”.

Kurrë s’ka ndodhur, duhet theksuar se me bujën e dikurshme dhe me poteren e programeve amerikane (pirolla u qoftë dhe atyre, natyrisht se u lumtë, patën sjellur shpesh mostra hënore) secilën herë sikur qe “gërvishtur pakëz hunda e Hënës”, njeriu duhej t’kënaqej me mostrat “hundore”, me anën fytyrore, me anën e ndritshme satelitore.

Tashmë kinezët fare diç tjetër, fitore madhështore tekno-shkencore, jo vetëm sukses dhe krenari kineze por i celebrimi i suksesit i takon mbarë njerëzimit, sepse Hëna është e të gjithëve – thuase pati qenë e shkruar (nga perëndesha Chang’e) të ishin kinezët, e shkruar, e mbaruar, e glorifikuar : )
Vërtet sukses i madh, Chang’e-6 si përmbyllje e 6 misioneve të sukseshme të Kinës – lexova dhe në “Science” të jenë shprehur ekspertët japonezë.

Derisa sondat hënore nga India, Izraeli, Japonia dhe Rusia të gjitha patën dështuar, ekzekutimi i saktë i karakterizon të 6 misionet hënore të Kinës, s’ka patur asnjë dështim madhor, asnjë mision të dështuar.
Pra vërtet arritje e mrekullueshme, arritje e jashtëzakonshme që programi hënor kinez (me emërtimin mitologjik, Chang’e – njësoj si dikur programet amerikane, Apollo), asnjë dështim.

Administrata Kombëtare e Kinës për Hapësirën (CNSA) do i ndajë mostrat e sjellura nga Chang’e-6 me komunitetin ndërkombëtar, ashtu siç ka bërë dhe me mostrat hënore sjellur nga Chang’e-5. Kina i ndan mostrat sepse “Hëna është e mbarë njerëzimit, mostrat dhe të dhënat e eksplorimit duhet të ndahen me gjithë botën” – thuhet të ketë thënë Xiao Long, shkencëtar kinez.

Në Prill 2024, me Chang’e-6 Kina do synonte uljen në kraterin më të madh dhe më të vjetër të Hënës. Poli Jugor i Hënës – Pellgu Aitken (shih grafikën ngjitur, zona blu-vjollcë) është një nga krateret më të mëdhenj në Sistemin Diellor, më shumë se 2500 km i gjerë, dhe 8 km i thellë. Pra sikur ka një “gropë… a fushëgropë” të thellë dhe gjigante në anën e pasme të Hënës, dhe Kina zbret aty me sukses.

Qe planifikuar që Chang’e-6 (fluturakja e fundit nga seria me emrat sipas perëndeshës së Hënës nga mitologjia kineze) do i sillte 2 kg të steres hënore. Chang’e-6 pati bartur gjithashtu instrumente dhe aparate të ndryshme të Francës, Italisë, Suedisë dhe Pakistanit, dëshmi se Kina vazhdon me ndërkombëtarizimin e programit të vet hapësinor.

Dikur, në v. 1959, Luna-2 e ish-Bashkimit Sovjetik do bëhej sonda e parë të zbriste në Hënë. Gjithsesi, misioni i fundit i ish-Sovjetëve me sondat në Hënë do ishte në v. 1976. Pothuaj gjysmë shekulli pastaj asgjë, qetësi.
Në v. 2019 India dhe Izraeli do ndërmerrnin misione me sondash hënore, por pa sukses. Vitin e kaluar, 2023, agjencia hapësinore e Rusisë “Roscosmos” do synonte zbritjen e sondes Luna-25 diku pranë kraterit Boguslavsky në polin jugor, kryesisht të paeksploruar të Hënës. Për fat të keq diç s’pati vajtur mbarë, Luna-25 u rrëzua diku në Hënë më 19 Gusht 2023, dy ditë para zbritjes së planifikuar.

Duke u përpjekur të ulej diku pranë polit jugor të Hënës, në v. 2019 edhe sonda indiane Chandrayaan-2 qe rrëzuar. Po atë vit, 2019 sonda e Izraelit do rrëzohej gjithashtu, sikur dhe sonda e Japonisë në v. 2023. E cekëm se dhe Luna-25 e Rusisë pati dështuar në v. 2023. Në përgjithësi, më shumë se 80 sonda janë përplasur gjithandej nëpër rajonet e ndryshme të Hënës – anise disa nga ato përplasje ishin të qëllimshme (si shkatërrim i kontrolluar, i qëllimshëm, pas mbarimit të misioneve orbitale).

Diç si detaj “interesant” është me rastin e rrëzimit të Chandrayaan-2 të Indisë, më 7 Shtator 2019 – vetëm 10 ditë më vonë Orbiteri Eksplorues Hënor i NASA-s do fluturonte mbi zonën, por s’pati qenë në gjendje ta lokalizonte “shkatërraqen” indiane. Disa muaj më vonë, në një imazh publikuar nga NASA-s (siç bëhen publike psh. fotot e galaktikave shkrepur nga Hubble), një entuziast indian i qiellit dhe astronomisë e pati hetuar në foto një diç si “njollë të ndritshme”, e cila “njollë…” pastaj doli se ishte pikërisht mbeturina e “shkatërraqes” indiane. Pra fluturakja e NASA-s kot, fluturon andej “verbërisht” por ja që “syri” amatorial i Indisë mjaft i saktë – fat i madh për Indinë, entuziastët indianë me syrin cullak i zbulojnë gjërat që nuk i “sheh” as NASA : )

Sidoqoftë, 4 vite pas dështimit të Chandrayaan-2, dhe me dështimin e Rusisë me Luna-25, misioni pasues i Indisë Chandrayaan-3 do ishte sukses sa i përket zbritjes në Hënë. Dhe atë madje zbritje ku s’kishte zbritur askush ndonjëherë (përveç ndoshta Zeusit, Apollonit, perëndeshës Artemisa… përveç perëndeshës kineze Chang’e etj. mirëpo kuptohet figurat mitologjike ishin hyjnorë, krahasim kot ky, s’duhet marrë seriozisht : )

Suksesi i Indisë do ndodhte më 23 Gusht 2023, dhe kështu India do bëhej vendi i 4-t të “ulej butësisht” në Hënë. E po ashtu dmth. i pari vend të zbriste në rajonin e polit jugor të Hënës. Pra sikur për ironi, derisa shtete të ndryshme duke garuar me sondat për uljen në zonën e “panjohur”, në rajonin të paeksploruar të Hënës, dështimi rus mund t’ketë qenë pikërisht ajo që i duhej Indisë. Rusëve s’u eci dhe aq mbarë, sikur s’patën pakëz fat me sondën e re fringo, por mbase “pafatësia” e tyre qe konvertuar në fatlumësinë e Indisë.

Rrëzimi i Luna-25 dhe dështimi i Rusisë pas gjysmë shekulli (pavarësisht se sovjetët dikur aq të suksesshëm dhe me përvojë, të parët dikur me “Luna-tikat” e tyre, e madje dhe me “Mir-at”, me lloj-lloj “Sputnik-ash”) kësaj radhe dështimi i tyre mund t’ketë qenë pikërisht ajo që i duhej Indisë.

Sepse duhej të fitonte dikush që e meritonte, dikush që e meritonte pa hile. Tani le t’kalojnë dhe 5 shekuj, edhe pas 5 mileniumeve futuristike, përgjithmonë do ngelet e “stampuar”, kronikat e futurizmit (jo vetëm tokësor, por dhe transgalaktik, për t’mos thënë universal, meqë universi tepër i madh) do thonë se triumfi në garën e “tokësorëve për Jugun e Hënës” i pati takuar Indisë. E shkruar, e mbaruar, e glorifikuar : )

Referencat:
Science, Science Advanced
NASA – National Aeronautics and Space Administration
ESA – European Space Agency
CNSA – China National Space Administration
Roscosmos – Russian State Corporation for Space Activities
ISA – Israel Space Agency
JAXA – Japan Aerospace Exploration Agency
ISRO – Indian Space Research Organisation
(ngjitur: infografikë lidhur me artikullin, nga Sky Division, vers. angl)