(s. guraziu – ars poetica, q 2024)
“Poetry Foundation” është një shoqëri (organizatë) letrare e ShBA që synon promovimin e poezisë në kuadër të kulturës së gjerë, që synon promovimin e artit të fjalës ndër masat. Fondacioni qe formuar në v. 2003 nga revista “Poetry” (revistë mbi një-shekullore e vjetër), me ndihmën e një dhurate filantropike prej 200 milionë dollarësh nga Ruth Lilly.
Ndërsa revista “Poetry” e themeluar nga Harriet Monroe, me qendër në Çikago që nga v. 1912, ishte hapësirë e përmuajshme e poetëve dhe e lexuesve për më gjatë se një shekull. Që nga fillimi revista boton vepra bashkëkohore kryesisht të anglishtes (nga sfera kulturore e ShBA), dhe përkthime të poetëve nga e gjithë bota.
Tani një shekull më vonë, thuhet se revista “Poetry”, si dhe fondacioni letrar “Poetry Foundation” janë një ekosistem i madh dhe i gjallë, kushtuar mbështetjes së poetëve dhe zgjerimit të formës së artit poetik. Me ndihmën e “Poetry Foundation”, revista “Poetry” kërkon t’i lidhë zërat e bukur të poezisë bashkëkohore me lexuesit e të gjitha llojeve dhe shtresave, sëpaku dhe për njëqind vitet e ardhshme.
Misioni i fondacionit letrar (Poetry Foundation), i cili qe aktualizuar 2-3 vite më parë, në v. 2022, është “ta rrisë dhe ose ta zmadhojë efektin e poezisë ndër masat, si dhe t’i promovojë poetët, duke nxitur hapësira krijimi për të gjithë, duke e inkurajuar përjetimin poetik dhe shkëmbimin e poezisë”. Përveç kësaj, fondacioni ofron shpërblime, çmime letrare për poetët, gjithashtu organizon seminare falas, lexime, ekspozita dhe strehon një bibliotekë prej 30.000 vëllimesh poetike.
Një pjesë e mjeteve (nga dhurata prej 200 milionë) qe përdorur për ndërtesën e re të “Poetry Foundation” në Çikago. Ndërtesa, e projektuar nga John Ronan, qe inauguruar në v. 2011. Përveç se ofron hapësirë zyrash për redaksinë e revistës “Poetry”, si dhe për stafin e fondacionit “Poetry Foundation”, siç e cekëm ndërtesa e strehon dhe një bibliotekë poetike, i strehon hapësirat e leximit dhe eventet e organizuara letrare-kulturore.
Biblioteka është një përzgjedhje masive e poezive moderne dhe bashkëkohore të sferës anglishtfolëse, sikur dhe vëllimesh poetike të përkthyera. Biblioteka përfshin vepra origjinale autoriale dhe vëllime të rralla, përfshin gjithashtu mostra përfaqësuese të letërsisë së epokave të mëparshme, po ashtu dhe një seksion për fëmijë prej 3000 vëllimesh.
(ngjitur: ca foto të eksterierit dhe interierit të ndërtesës së “Poetry Foundation” në Çikago)





