Mimi, dhe gjunjëzimi i “politikave” të Zemrës!

S. Guraziu (Humoreskë, 2017)

(…sikur më pëlqente ajo status quo valentineske, sikur s’doja t’ia trazoja të kuqen “platonikes” me detajesh cikërrimtare të realitetit…)

Bota s’dinë gjë, s’ia kam thënë kujt (nuk i shpalosen botës tek ashtu sekretet e zemrës) por pothuaj e pata humbur zemrën “pas” Mimit! Po, po… e kam fjalën për atë Mimin e vërtetë.
Anise mund dhe t’mos isha i vetmi. Tinëz përflitet e shushuritet se ajo ndër vite i pati trazuar zemrat e mjaft politikanëve shqiptarë. Pastaj duke i vizituar seancat e NATO-aleancës, me ato buzëqeshjet marramendëse desh i pati trazuar dhe vetë zemrat e politikës evropiane. Mençuria dhe shija “ramushiane” sa i përket përzgjedhjes së miss-ministreshave i pati rënë në sy madje dhe kreut të Mbrojtjes austriake, madje dhe vetë ambasadorit të… ose dhe s’ka rëndësi fare se kush tjetër ka ngelur me zemër të trazuar. Rëndësi ka që vetë qesh trazuar, pothuaj pata ngelur dhe pa këtë zemrën e vetme që kam.

Dmth. atëbotë ashtu pa e njohur… pa ditur nëse Mimi na ishte e lirë, pa ditur nëse ishte “single” apo e “zënë”. S’doja t’i dija këto, të tilla detaje zemra sikur s’donte t’i “dinte”. Thuase zemra e ngratë kishte frikë të zhgënjehej a të pikëllohej duke mësuar që zemra e Mimit ndoshta s’kishte vend. Sado e madhe zemra e saj, thjesht mund t’ishte peng i ndonjë lumturushi. Andaj sikur më pëlqente ajo status quo valentineske, sikur s’doja t’ia trazoja të kuqen “platonikes” me detajesh cikërrimtare të realitetit : )

Anyway, zanafilla e “ftohjes” për Mimin mund t’i përshkruhet kohëve kur dolën në shesh ambicjet e saj “ministrale…”! Imagjino, do bëhej Kryezonja e Mbrojtjes së Shqipërisë, si politikane e atij rangu do i thoshte “jo” dhe vetë Sekretarit të NATO-s… pa le mua. Dalëngadalë qesh ftohur, dija hallin vetes – i flisja zemrës që të zbrampsej.
Gjithsesi “ftohjen” sikur e pati ndihmuar dhe një detaj tjetër. S’pata gjetur as dhe 1 foto të Mimit me fustan! Sado e çuditshme të tingëllojë – as dhe 1 të vetme me fustan (sa për foto në bikini as që m’ka vajtur mendja, fjala e pionierit… dmth. ajo më e sinqerta)! Pra që nga atëherë gradualisht pati filluar “ftohja”, sikur filluan të rriten filiza dyshimesh, hm… mos vallë megjithatë Mimi është duke “fshehur” diç!

Shkurt, për fat të mirë gradualisht e pata “harruar” Mimin, s’pata vuajtur dhe aq. Ndërsa kuptohet, nuk ndjehesha mirë që dashuria potenciale alba-lulandeze s’pati qenë e thënë, sikur qe parashkruar të dështonte, ose më saktë t’mos nisej fare! Mbase ishte e natyrshme që të ndjehesha i “pafat”, një lloj pikëllimi sikur m’i rëndonte cepat e buzëve dhe dalëngadalë buzëqeshjet filluan të rrallohen, ta humbin njomësinë e të vyshken.

Derisa kur një ditë papritur e pa kujtuar ndodhi pikërisht e papritura, Mimi vetë, befasisht i bëri ftesë asaj bukuroshes Jeanine (homologes se saj) për ta vizituar Shqipërinë. Dhe ç’të shohësh, ngela, sikur vetë dielli zbriti dhe filloi t’më ngushëllonte. Mimi dhe lulandezja sakaq t’ia filluan me qafimet, t’i hapen krahët aq ngrohtë e padurueshëm ngjashëm siç ia bëjnë ato shqiponjat “ordinere” të Alpeve shqiptare… duke mos çarë kokën për “protokolaritete” e pollavrash zyrtare, por duke i shpalosur zemrat cullak aty midis sheshit.

Që nga ajo ditë zemra m’është shëruar plotësisht. Sikur brenda saj janë futur gjithë lulishtet e Lulandisë e të Shqipërisë së bashku, sikur është mbushur me aromat e tulipanëve të Lulandisë. E ku ka më bukur sesa qafimi brenda zemrës, si mund të përshkruhet dashuria e dy vendeve. Imagjino t’i grumbullosh trëndafilat e dy vendeve në një zemër të vetme. Do aromatizohej si vetë parajsa, si kopshti i Afërditës a i Venerës, do t’skuqej si vetë zemra e Apollonit. Në fakt Apolloni s’ishte askush tjetër por vetë dielli i zjarrtë që ua fal ngjyrësinë luleve të Lulandisë, që ua fal marramendjen vetë buzëqeshjeve të Mimit, njësoj si dhe buzëqeshjeve të mbarë njerëzimit : )

[ Fotoja ngjitur – Foto e shekullit (dmth. nëse eventualisht ta keni lexuar “storien” që sapo jua shpalosa : )
ish-ministresha Mimi Kodheli në takimin zyrtar me homologen e saj të Mbretërisë së Holandës, znj. Jeanine Hennis-Plasschaert, Tetor 2016 ]