Mirëpo ç’është “de Sitter-universi”? – mbase diç si model i universit matematikor, thonë shkencëtarët, ashtu i sheshtë dhe pa materien, është si të thuash një “kohë-hapësirë” ajnshtajniane. Ne joshkencëtarët s’e dimë madje ç’është as universi i vërtetë, pa le ndonjë univers imagjinar. Gjithsesi, në njëfarë mënyre supozojmë që koha dhe hapësira janë ai “shtrati” i madh universal – ashtu thoshte Ajnshtajni.
Aty fle ndoshta gjithçka e universit, me materien “ordinere”, me atë të “zezën”, me diej, me yje, me volumin energjitik, me galaktikat, me “vrimëzezat” e me gjithçka të njohur e të panjohur.
Nëse ta kemi “sqaruar” njëherë e përgjithmonë hapësirën e universit dhe kohën, atëherë tutje padyshim “hologrami i de Sitter-universit” do na i sqarojë dhe ca gjëra tjera (sepse gjërat e universit të lidhura zinxhir). Urojmë që “hologrami i de Sitter” t’na e sqarojë jo vetem kohë-hapesirën, por madje dhe ato “gjërat që kemi frikë t’i dimë”.
Me këtë të fundit, me “frikën” e kisha fjalën (si shaka) për hipotezat e simulacionit holografik – meqë, nëse Quanta na thotë se qenka simuluar modeli holografik i “de Sitter space” dhe sëshpejti do sqarohet kohë-hapësira ajnshtaniane… ateherë pra, mos vallë edhe ai i “krisuri” Philip K. Dick thjesht na paska patur të drejtë.
Mos vallë, duke simuluar me kompjuterat dhe duke i vërtetuar shkencat, ndodhë ta zbulojmë të vërtetën e simulacioneve kompjuterike të “ndokujt tjetër”. Nëse mund t’i simulojmë kushtet e universit laboratorik-matematik dhe ta sqarojmë origjinën kohore-hapësinore, çfarë nëse dhe “ndokush tjetër” mundet, çfarë nëse qëmoti është duke u marrë me neve + me simulacionet – do pyeste Philip K. Dick!
Meqë ai ishte ideatori, Philip K. Dick dikur e pati shpalosur idenë se realiteti ynë në fakt mund t’jetë një simulim i parallogaritur dhe i mirëllogaritur, diç si një “matricë” e dirigjuar nga jashtë, ngjashëm me “matricën” kompjterike (siç e kemi sot, mundësuar me gjenialitetin e njeriut). Atëbotë, në vitin 1959 askush ose fare pak kush mund ta ketë marrë seriozisht hipotezën e tij. Më vonë, në v. 1977 qe “përqeshur” diku në Francë, në një tubim të rastit, kur rishtas qe shprehur “…ne jetojmë në një realitet të programuar, gjithçka e botës sonë është një simulacion kompjterik i dikujt…”!
