Vonesa kulturore s’i falet as Evropës, si “djep kulturor”!

(senad guraziu – ars poetica, pr. 2025 – diç si koment rreth lajmeve të gëzueshme kulturogjike)

…e lexova sot një shkrim (në Alb-Spirit, portal që mirëmbahet, dhe apo nën përkujdesjen e z. Çerçiz Loloçi) ku thuhej se poezia shqipe është përkthyer/publikuar në finlandisht, se z. Sali Bashota qenka bërë “…poeti i parë nga Kosova, libri i të cilit botohet si vëllim i veçantë poetik në gjuhën finlandeze” – për përkthimin qenka kujdesur z. Muharrem Miftari, ndërsa për botimin sh. botuese “Kulttuuritarha”, në Helsinki…

…dhe çfarë të thuhet, lajm i bukur kulturogjik, na bën të gëzohemi, kultura atë kuptim ka, do duhej urimet… vetë s’kam probleme, jam i sinqertë, ashtu-kështu s’kam as libra as botime, desha s’desha zemra ime është e florinjtë, 100% “unbiased”, e jokorruptuar (free from bias or prejudice – ia thonë inglizisht), zemër e lirë, e pastër nga paragjykimet, kurrë s’mund t’jetë fjala për “josinqeritet” qëkur s’kam të botuar madje as libër as fletore as fletushkë : ) bie fjala, s’di as si ndjehet “inati”… si mund t’pres të përkthehen librat… kurë as NUK I KAM, as dhe 1 libërth në gjuhën amtare fillimisht, në gjuhën më të ëmbël : ) joooo pra, garant, do ishte qesharake, do ishte e pandershme ta “keqkuptojë” ndokush fjalën time, zemra ime është 100% siç i ka hije dhe në vendin e vet (absolutisht, aty ku duhet t’jetë) – andaj pa asnjë grimë problemi them “z. Bashota Urime, si autor Juve ju takojnë Urimet, gëzohem që pas rumunëve tashmë do ju njohin dhe finlandezët”…

…problemi im i “vogël” me të tilla lajmesh kulturologjike është pothuaj diç si “axhamillëk” (dmth. meqë vetë s’kam libra, “axhamillëk” do thoshin tek bashqarshia n’Përzeren, e ndoshta dhe n’Tiranë) – vallë Bashota na qenka poeti më i “madh” i Kosovës, dhe Finlanda asnjë poet kosovar s’ka patur shansin ta njeh deri tani, kështu që do njihet me poetin e PARË (me të cilin thyhen akujt, akullthyes, përndryshe s’do ishte i “pari”), dhe mos vallë s’paska Kosova asnjë poet tjetër më të “ngrohtë, për qafimin e parë kulturor mes popujsh”?! me gjasë nuk paska, tashmë lum e lum, pikërisht Bashota, sepse atë e ka zgjedhur z. Muharrem Miftari, ndoshta zgjedhje me kokallë, apo ndoshta thjesht i pëlqen Muharremit dhe e kryer sa i përket Finlandës, i pëlqen Baki Ymerit… dhe e kryer për Rumaninë, i pëlqen Cimilim Picimulit dhe e kryer e për Suedinë, e kryer për Tasmaninë, për Lulandinë, për Zululandin, për Norvegjinë… etj. etj.

…vallë ku është ajo Ministria e Kulturës (Kosovare) që aq shumë potere bën me daullet e veta prej letre (kur bëhet fjalë për ndarjen e “tortes buxhetore”), ku janë institucionet që duhet t’i përkrahin dhe financojnë artet, që duhet t’i “stimulojnë” prurjet, impenjimet kulturore, angazhimet, artistikat, letërsinë, përkthimet, pse as “gëk as mëk”, nuk mërzitet askush, as Lidhja e Shkrimtarëve, dhe pothuaj secili qytet a qytezë kosovare i ka dhe Shoqatat… veprojnë lloj-lloj “vatrash letrare”, lloj-lloj organizmash, na mahnit sa Gjilani sa Lipjani (e di këtë pasi i ndajnë dhe çmimet, bëjnë mjaft bujë mediatike, lloj-lloj çmimesh e prestigjesh, vit për vit), vallë kështu shkuakan punët e vjershëtorëve kosovarë, varen nga “shijet” e Muharremave, nga qejfet dhe miqësitë e Baki Ymerave, vallë kështu funksionuakan punët rreth “ndërkomunikit” të letërsive evropiane?!…

…boooo tashmë jam kureshtar nëse përkthyesi Muharrem Miftari t’i ketë përfshirë dhe vjershat më të moçme të z. Bashota, kushtuar dikur “Diellit të Agimeve…” nëse nuk e ka përkthyer asnjë vjershë për Titon, atëherë them se vepër-përkthimi në finlandishte mbase NUK DO JETË i plotë (jo siç i ka hije, me plotësinë a la kosovarçe), sikur do i mungojë ajo “vula e thatë” ndër faqet e kosovarizmit, sikur s’do e ketë atë ajkën e ëmbël nëse i mungon majaja e mirëfilltë vjershologjike – sa për atë “poetike” s’po e përmendim fare…

…nëse anashkalohen vjershat e “ardhura me brumin e me tharmin e të kuqve dikur (të internacionales)” atëherë… mos pyet, çfarë të thuhet, 1 vjershëtor i vetëm kosovar, në dekadën e 3-të të shek. XXI arrin në Finlandë, ashtu-kështu vonesë katastrofale (s’i falet madje as Evropës si “djep kulturor”), sa i përket Kosovës e Finlandës ashtu-kështu i bie të thuhet “histori akulturore” (jo për faj të ndokujt por sepse shkaktuar nga vonesa historike), na mungon njohja, s’kemi shkëmbyer asgjë nga vjershat – tani lum e lum, pas dy dekadave liri e shtetësi, tani për lakmi… këndellje kulturologjike, më në fund përkthehet 1 vjershëtor…

…e megjithatë prapë (ja, s’më shqitet ajo pikëçudia, ajo i-ja e kthyer bythëpërpjetë) nëse t’mos jenë përfshirë dhe vjershat e “Diellit…” krijohet përshtypja se finlandezët nuk do e kenë “marrë” bash plotësinë poetike të Kosovës, për kuantitet jo se jo… u muar vesh kjo, 1 vjershëtor, i PARI, i vetmi, me 1 lule s’çelë as pranvera e vjershologjisë finlandeze, as e asaj kosovare, por se si ndjehet “droja” që pa vjershat e “dikurshme” as KUALITETI vjershologjik nuk do jetë përmbushur mirëfilli…

[ ngjitur: Sali Bashota – “Dielli i Agimeve Tona” ]

DIELLI I AGIMEVE TONA
Shokut Tito

Nga shkëlqimi yt
marshon buzëqeshja jonë
e gdhendur në zemra

me oqeanin e paqes
përshendetemi

rreze dielli
fjalët tua
vepra jote revolucion
që rritet e buzëqesh

Tito
diell i agimeve tona.