Qosja me “shifra” – Aspekti teknik i letërsisë, si qasje mjaft simpatike!

Senad Guraziu – Ars Poetica, Prill 2025

[ fotoja ngjitur: foto e 2024 – Presidenti Bajram Begaj gjatë vizitës në Prishtinë, 2024, me Akad. Rexhep Qosja – burimi faqja zyrtare e Presidences shqiptare ]

Në punimin e disertacionit të vet, me titull “Vështrim leksiko-stilistikor në veprën artistike të Rexhep Qoses“, autorja Afërdita Dema ka synuar hedhjen e një vështrimi (siç ajo vetë është shprehur) mbi veçoritë leksikore dhe stilistikore të veprës artistike të Rexhep Qoses (tezë në kërkim të gradës shkencore ‘Doktor’, 2018, Tiranë).
Pak fjalë, diç si “pasqyrë”, shkurt – vepër interesante që duhet lexuar medoemos dhe patjetër, studimi nuk bën fjalë vetëm për “shifrat” (nuk di as pse e përmenda, ndoshta sepse m’është dukur qasje simpatike studimore, jo të gjitha studimet merren me “shifrat” letrare, kësaj radhe vërtet teknicitet simpatik : ) përkundrazi, është analizë mjaft e gjerë rreth veprës letrare të Qosjes, qoftë dhe vetëm fjalorthi i neologjizmave të Qosjes, gjithçka që atij i ka shkuar mendja sa i përket fjalëformimit, përmbledhje aq e çmuar…

Për analizën teknike të gjuhës së veprës letrare të shkrimtarit Qosja, autorja Dema thotë se e ka përdorur programin kompjuterik të konkordancave “Simple Concordance Program (SCP)”, dhe i është mirënjohëse për ndihmën e pakursyer Profesoreshës Dr. Shefkije Islamajt (punonjëse e Institutit Albanologjik të Prishtinës), e cila ia ka siguruar dhe variantet elektronike të veprave të shkrimtarit Qosja.

Autorja Dema e ka cekur që (në veprën “Panteoni i rralluar”) vetë Qosja është shprehur se “gjuha është biografi e popujve, sepse në gjuhë dhe me gjuhën, më mirë se në çdo dokument material, ruhet historia e tyre intelektuale, sociale, morale”.

cit.|… Ky konstatim – sqaron pastaj autorja – vlen edhe për pasurinë leksikore që ai sjell në veprën e tij, një pasuri jo vetëm sasiore, por edhe cilësore e mjeteve dhe mundësive shprehëse që të ofron shqipja. Gjuha e Qoses bart shumë vlera të veçanta leksikore, semantike, sintaksore, shprehëse, figurative dhe estetike. Në rrafshin leksikor fleta dëshmon një larmishmëri trajtash dhe formash, llojshmëri formimesh, gjë që shihet qartë në çdo faqe të librave të tij, në çdo strukturë që gdhend, në çdo mjet që shfrytëzon. Në ligjërimin e këtij shkrimtari jetojnë bukur e këndshëm fjalë të leksikut aktiv, neologjizma të formuara me kujdes e mjeshtëri nga dora e tij, fjalë me burim të huaj ose huazime, frazeologji e përzgjedhur gjuhësore dhe letrare….|

Duke qenë se veprimtaria krijuese e akad. R. Qoses përfshin më shumë se 30 vepra, autorja Dema thuase është “justifikuar” duke u kufizuar vetëm në prurjen letraristike, dhe atë në 6 veprat: 1. Vdekja më vjen prej syve të tillë dhe I ringjalluri i penduar / 2. Një dashuri dhe shtatë faje / 3. Nata është dita jonë / 4. Mite të zhveshura (drama) / 5. Bijtë e askujt 1 / 6. Bijtë e askujt 2. Autorja ka shkruar se korpusi i veprave të analizuara arrin në 2564 faqe; gjashtë romane, një tregim satirik dhe një vepër në të cilën përfshihen tri drama.

Materia leksikore e 6 veprave letrare të Qoses, i ka lejuar autores Dema të zbulojë një numër të madh neologjizmash, prejardhjesh e kompozitash, formimesh situacionore dhe frazeologjizmash, andaj punimi i saj (disertacion) në fund ka dhe fjalorthin e neologjizmave. Natyrisht se gjatë punës studimore autorja ka hasur dhe në vështirësi, rreth përgatitjes së fjalorthit të neologjizmave është hasur vështirësi në ballafaqimin e fjalëve në fjalorët sikur dhe në përcaktimin e kuptimit të shumë fjalëve.

***
[ përveç shifrave, si aspekt teknik i studimit të autores, më poshtë po i përzgjedh dhe ca naoligjizma të shkrimtarit Qosja, thjesht disa prej tyre nga gjatësia e fjalorthit të znj. Dema – ashtu-kështu gjithmonë më ka “mahnitur” fjalëformimi i Qoses, sidomos detajet dhe aq shumë “orientalizma”, veprën “Vdekja më vjen prej syve të tillë…” (me titullin holandisht “Die ogen en de dood”) e kam lexuar dikur, para shumë viteve dhe në holandisht, romani qe përkthyer në v. 1997 nga Roel Schuyt, ai e pati përdorur botimin e v. 1986 të Rilindjes). Atëbotë s’e kam vrarë mendjen, s’e kam idenë sa “besnike” do ketë qenë gjuha e përkthimit, por duke ditur (ose duke e marrë me mend) se të kthehen në holandishte fjalëformimet e Qosjes do t’nënkuptonte vështirësi e madhe, dhe apo në mos krijim i neologjizmave dhe në holandisht, dmth në shërbim të përkthimit : ) – kësaj çështjeje, hëpërhë, dhe mund t’i kthehem ndonjëherë në të ardhmen, nëse s’harroj ]

Holandezët e cilësojnë se personazhet janë përshkruar mjeshtërisht dhe me ironi të mprehtë, anise qofshin dhe personazhe “mizore” me penën e Qosjes megjithatë e ruajnë fytyrën njerëzore. Atmosfera e veprës është e përshkuar nga një ndjenjë kafkiane shtypjeje dhe frike, që nga nisma e deri në fund sikur tekstin e “ndjek” një e qeshur e hidhur autoriale, e cila mund të interpretohet po aq lehtë si ankesë. Dhe unë e di fort mirë se ishte “ankesë”, me gjuhën e mrekullueshme artistike, si klithmë romaneske.

Edhe Qosja si autor-shkrimtar, por dhe vetë personazhi Xhezair Gjika është shkrimtar, pjesë e ‘popullit të ndaluar’, pjesëtar i komunitetit shqiptar të Kosovës në ish-Jugosllavinë titoiste. Jo vetëm Vajazani (mbase autores Afërdita Dema i është “përvjedhur”, tek fjalorthi i neologjizmave nuk e kam hasur, por sipas meje edhe Vajazani është diç si fjalëformim prej “zanit” dhe “vajit” (qaj e klith, nxirr zërin e dhimbjes, ankohu) qëkur është emri i një vendbanimi fiksional, imagjinar, Vajazan si fshat-venbanim por duhet kuptuar se mbarë Kosova në fakt (apo më mirë e thënë, trojet etnike shqiptare nën ish-Jugosllavinë), subjektet e Qosjes janë një botë specifike, botë në vete, botë e larmishme artizanësh, poetësh dhe prostitutash, të cilëve u imponohet shumçka për t’mbijetuar, dhe kështusoj s’kanë alternativa por të shndërrohen në frikacakë dhe informatorë (të udbashëve e të matrapazëve).

Meqë libri pati ardhur që në v. 1974, sipas holandezëve, nëse të krahasohej me analizën e historisë së kohëve të fundit të ish-Jugosllavisë (siç e dimë s’do kalonte as 1 dekadë, do vinin të ’80-tat, demostratat shqiptare dhe e mëpastajmja) dhe botës iu bënë të njohura katrahurat dhe luftrat e përgjakshme të copëtimit jugosllav, atëherë “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e merr një dimension pothuaj vizionar. Ashtu sipas holandezëve, ndërsa unë them jo “pothuaj”… por totalisht vizionar – sepse e njoh… apo e kam njohur fort mirë Jugosllavinë e përshkruar nga Qosja, e di fort mirë sa gjerësisht shtrihej psikologjisja e tij tek “Vdekja…”.

***
Sipas autores | “…gjuha e prozës së Rexhep Qoses ka një shtrirje shumëpërmasore. Si e tillë, ajo mund të lexohet në çdo periudhë kohore, duke përçuar me një mjeshtëri prej një arkitekti të gdhendjes së gjuhës shqipe mesazhe të gjithëkohshme. Ajo përfshin fjalorin e pastër të letrarishtes, të ndërthurur aq bukur me fondin e fjalëve të huazuara nga kulturat e tjera gjuhësore, duke i shtuar edhe neologjizmat e krijuara prej vetë autorit.” |

cit.|… Ligjërimi i këtij autori e pasuron gjuhën tonë me njësi e me mjete të reja shprehëse. | |…Vështrimi i detajuar i leksikut të veprës letrare të Rexhep Qoses, na ka lejuar të zbulojmë një numër të madh neologjizmash, prejardhjesh e kompozitash, formimesh situacionore dhe frazeologjizmash, që e bëjnë leksikun e tij një xehetore shumë të pasur për leksikografinë tonë. Nëpërmjet veprës së tij, Qosja sjell në gjuhën shqipe jo vetëm një pasuri të madhe nga ana sasiore, por edhe një gjuhë artistike cilësore, të pasur në mjete, forma dhe mundësi shprehëse. Analiza stilistike e veprës përbën pjesën më interesante të studimit, pasi në të gjejmë të gërshetuara së bashku elemente dhe mjete shprehëse më shumë nga çdo autor tjetër i kohëve moderne…|

Me ndihmën e programit kompjuterik, autorja ka llogaritur se këto vepra zënë një vëllim prej 2564 faqesh, me një numër të përgjithshëm prej 631.360 fjalëformash. Autorja e cek disa herë se vepra e Qoses është një pasuri e gjallë neologjizmash, “…aty gjejmë fjalë të reja të krijuara mbi bazën e shqipes, fjalëkrijime të mbështetura në fjalët e huaja, ose fjalë të ndërmjetme: tema rrënjore në shqip dhe ndajshtesa e huaj ose e kundërta” – ka sqaruar ajo.

cit.|… Korpusi i veprës letrare të Qoses përmban 82.426 fjalëforma, me denduri që varion nga një paraqitje (38.540 fjalëforma, ose rreth 47% e numrit të përgjithshëm të fjalëformave) në 45.587 paraqitje (fjalëza të). Për përcaktimin e numrit të paraqitjeve të një fjale është bërë numërimi i të gjitha formave të saj; p.sh., për përcaktimin e numrit të paraqitjeve të fjalës shtëpi (që ka në korpusin e analizuar 969 paraqitje) kemi bashkuar denduritë e fjalëformave të saj shtëpi, shtëpia, shtëpisë, shtëpinë, shtëpish, shtëpitë, shtëpive. Vështirësi në këtë pikë paraqesin disa fjalë homonimike, të cilat nuk mund të përcaktohen dot se cilës lëme i përkasin. P.sh., fjala dhe mund të jetë emër ose lidhëz, fjala ardhur mund të jetë pjesore ose mbiemër, fjala buzë mund të jetë emër ose parafjalë, e kështu edhe për shumë fjalë të tjera të kësaj natyre… |

Emri – Nga analiza statistikore e fjalëve me përdorimin më të madh, autorja Dema ka vërejtur se emrat si kategori gramatikore zënë vendin e parë në korpusin e studiuar. Emri me frekuencë më të lartë del 1.220 herë, dhe 20 emrat me denduri më të lartë përdorimi dalin me mbi 400 paraqitje. [ kohë 1.220 përdorime, ditë 1.063, fjalë 1.005, shtëpi 969, sy 900, njeri 876, emër 831, grua 812, punë 788, qytet 691, mend 670, dorë 623, jetë 552, vit 546, këmbë 543, vend 531, zot 521, baba 505, roman 436, numër 403 ]

Folja – Ndërsa foljet, në leksikun e Qoses, zënë vendin e dytë për nga numri dhe denduria e përdorimit. Me mbi [ 600 paraqitje dalin 14 folje ]. Kryeson folja [ bëj me 3.579 paraqitje ], e ndjekur nga folja [ them me 3.083 paraqitje ].
Autorja Dema ka zbuluar se folje me mbi 600 paraqitje janë: [ bëj 3.579 përdorime, them 3.083, di 2.094, shoh 1.916, dëgjoj 1.732, dua 1.171, vij 1.145, flas 1.128, mendoj 1.123, shikoj 1.062, marr 887, shkruaj 747, jap 741, dal 672 ]

Mbiemri – Krahasuar me emrin dhe foljen, mbiemri paraqitet më i kufizuar në leksikun e Qoses – thotë autorja. Numri i mbiemrave me denduri të lartë është relativisht i vogël. Prin mbiemri i madh /e madhe, me 1486 paraqitje i ndjekur nga i ri / e re, me 822 paraqitje.
Mbiemrat me mbi 200 paraqitje janë: [ madh (i), madhe (e) 1.486 përdorime, ri (i), re (e) 822, popullor/e 707, vogël (i, e) 483, ndrysh/ëm (i), -me (e) 383, bukur (i, e) 352, vërtetë (i, e) 327, shqiptar/e 318, vjetër (i, e) 285, fundit (i, e) 254, drejtë (i, e), 235, fortë (i, e) 224 përdorime ]

Përemri – Qosja e përcakton stilin e tij rrëfimtar edhe nëpërmjet përdorimit të dendur të përemrit, i cili paraqitet në shifra shumë të larta. Te përemrat kryeson përemri pronor (i, e) tij me 2.332 paraqitje, i ndjekur nga vetori unë me 1.909 paraqitje, vetori ai me 1.525 paraqitje, ato me 1.242 paraqitje, përemri pyetës kush me 1.161 paraqitje.

Ndajfolja – Ndajfolja zë një vend të rëndësishëm në leksikun e Qoses, ku më të përdorurat janë: shumë me 2.968 përdorime, vetëm me rreth 1.463 përdorime, mirë me rreth 1.198, tani me 944 përdorime, pas me 885 përdorime, sot me 567 përdorime, kurrë me 556 përdorime, pak me 527 përdorime, shpesh me 486 përdorime, mandej me 459 përdorime, mbi me 413 përdorime.

Lidhëzat – Lidhëzat me denduri më të lartë të përdorura nga Qosja janë: dhe me 13.114 paraqitje, më pas vjen lidhëza që me 9.250 paraqitje, edhe me 4.799 paraqitje, por me 2.505 paraqitje.

Parafjalët – Parafjalët më të përdorura në korpusin e analizuar janë: në me 18.537 paraqitje, më pas del parafjala më me 8.704, me me 8.354 përdorime, për me 6.599 përdorime, prej me 5.034 përdorime.

Pjesëza – Pjesëzat me denduri më të lartë në veprën e Qoses janë: nuk me 9.112 paraqitje, më pas vjen pjesëza s’e me 7.561 përdorime, po me 3.143 përdorime, mos me 1.684 përdorime, jo me 1.452 përdorime, pa me 1.344 përdorime.

Numërorët – Numërorët më të përdorur janë: një me 4.054 paraqitje, dy me 929 paraqitje, tre me 752 paraqitje, pesë me 240 paraqitje, shtatë me 227 paraqitje, nëntë me 202 paraqitje. Rezulton që numërorët tek përdoren më së shumti, çka dëshmon për një tjetër veçori të stilit të këtij autori që është mbështetja në folklor dhe mitologji.

Pasthirrma – Denduria e paraqitjes së pasthirrmave te Qosja lidhet më shumë me natyrën e rrëfimit emocionues. Pasthirrmat më të përdorura janë: oh me 150 përdorime dhe o me 131 përdorime.

Autorja Dema e shton dhe një diç si “Listë e fjalëve të vlerësuara si fjalë-çelës”, ndër emrat me denduri më të lartë paraqitur si fjalë-çelës është emri [ kohë me 1.220 përdorime ], më pas vijnë emrat [ ditë dhe sy ] : [ bëj 3.579, them 3.083, di 2.054, shoh 1.916, dëgjoj 1.732, kohë 1.220, ditë 1.063, sy 900, njeri 876, Vajazan 720, Tarik 710, popullor 707, Shqipëri 624, jetë 552, vend 531, Kosovë 403 përdorime]

Pastaj i ofron dhe konkordancat leksikore të përdorimit të fjalës sy në veprën “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Mënyra e aktualizimit të kësaj lekseme dhe kontekstet e përdorimit të saj mundësojnë jo vetëm një analizë gjuhësore-stilistike, por edhe ideo-tematike – sqaron autorja.

[ sy ]

220 prej Shpellës së Harapit! /Dy sy të kaltër, shpesh të përlotur
389 /buzë të ënjtur e herë njërin sy të mavijosur. Kur kalonte Trashja
579 /siç e ledhaton njeriu me sy vetëm atë që e bën të lumtur
762 e tyre. Iu /kishte rënë në sy, mbas pak, se, thuaja, të gjitha
768 të heshtur dhe po pritnin me sy të hutuar ç’do të /dëgjonin
1039 në gushë, në lëkurë, në sy, në /kofshë dhe laneti zgërdhihet
1296 atëherë e shikonte /drejt në sy, si të ishte prej xhamit. Ç
1317 me flokë të shprishura, sy të frikësuar, duke iu shmangur
1354 mos e përcjell ndonjë sy nate, duke i përgjuar lehjet
1529 ngjitur, e kishte gozhduar me sy e faqe në parmakët dhe me dorë
1584 sonte, në këtë vend, në sy të të gjithë këtyre dëshmitarëve
1625 të tij, duke e shikuar në sy./- Kush ishte ai? – e kishte
1643 me fytyrën e Danjollit në sy, me peshën e /xhamisë në shpirt
1661 aty për aty nuk më bie në sy asnjëra që s’e kam marrë nëpër
1740 Kohë pas kohe bëhem tërë sy e veshë, ndej vëmendjen dhe
1820 Nadirja, kanë marrë botën në sy dhe akoma nuk ka mbërritur
2297 dhe, derisa po përcillja me sy kur fluturimin e kalit /drejt
2306 pritur mëngjesin në shtrat me sy të kapsallitur./Dita e nesërme
2352 një fjale, nuk shihet me sy, po me mend. E mendja ime por
2629 gruas së huaj, përvjedh me sy grupin e kalimtarëve, që /llup-llup
2645 e Sherkës si na përvjedh me sy./Binaku mërdhin, më zgjat dorën
2728 mbretërinë e saj. Disa palë sy kthehen /kureshtarë nga tryeza
2763 mos do t’ju mashtroj në katër sy. Tërhiqeni fjalën, jam i pafajshëm
2885 e motorëve; më pushkatojnë sy të njohur që bëhen të verbër
2888 më është arratisur; ma bën me sy /Skaramushi që një të martë
2899 gjysmëlakuriqe ngrykë, me sy të fshehur pas napës së /zezë
2963 në kokë /dhe, kur hy, sy të çakëritur, mes të cilëve
2965 /kthinave të purgatorit. Ata sy, përpos një pale, ato këmbë
2974 kur s’i kam parë sytë tu, sy të pafajshëm /foshnje! Sa më
3007 meje, e përmbledh dhomën me sy, e largon skajin e palltos vetëm
3238 në rrugë, rrallë, zgurdulloj sytë si qeni i rrahur, si bualli
3251 çupëlina e /pafajshme, me sy të humbur dhe zë të dridhur
3379 të tyre të pa gojë e pa sy e pa veshë, gurët e lyer me
3452 me /kureshtjen që ia lexon në sy./Kishte vdekur Rinushi i Abazit
3542 gjithnjë duke vizatuar me sy në ajër, u thotë dëgjuesve,
3577 kur duke i shikuar /drejt në sy, kur duke ulur shikimin, kur
3630 njerëz s’i /shihte dot me sy. Një ditë, përpara, kur po shkonte
3657 kështu! Mund të shihemi në sy. /Çfarë ishte, më parë besoj
3764 përfundi dhe bëhesh tërë sy, që e përshkojnë vetëm një pikë
3923 dhe, duke e shikuar me atë sy, ta /stërkeqë e ta quajë me
4003 meshkujt dhe i përvidhte me sy veturat më të bukura që fluturonin
4035 sigurisht, që të bjerë në sy /posa të hysh brenda, me shkumës
4102 në atë pasqyrë?/ Një palë sy ngjyre të pacaktuar, bojëkafe
4103 ai piktori i ndjerë; një palë sy të butë, të pafajshëm, që të
4104 s’të thonë asgjë; një palë sy, pra, të humbur në botën e zhugaftë
4114 fatkeqësie /e papritur, ata sy do të humbin ngjyrën, lëngun
4294 pesë palë duar, pesë palë sy, pesë koka dhe pesë zëra të
4313 nuk të binin posaçërisht në sy: ishin si edhe shumica e këmbëve
4345 kishe përshtypjen se ishin sy të /ushtruar për t’i urdhëruar
4348 ishte i vetëdijshëm se në sy kishte një armë të fuqishme
4351 të keq./Pala e tretë ishin do sy të zinj, si edhe pala e dytë
4361 gratë /skofiare. Ishin ata dy sy që të linin përshtypjen se nuk
4439 përpjetë dhe të bjerë në sy. Kam kaluar nëpër tehun e briskut
4449 time, por nuk kam parë me sy si e /kanë rrahur, çfarë mjetesh
4636 jetojë pa dorë, /pa këmbë, pa sy, pa veshë, pa hundë, pa bukë
4758 ta /ka ënda ta shohësh me sy. Është jashtëzakonisht i bukur
4828 për ata që nuk janë në sy të mirë. Ka treguar ai edhe
4923 e fqinjit. Është bërë tërë sy dhe veshë ky milet. Dhe njeriu
5168 me to dhe s’u /bien në sy, kurse vurratat e brendshme
5169 hije? A je edhe tashti tërë sy, e veshë, e grushta, e shkelma
5190 trupin e ftohtë, akull dhe në sy më bie një perde /e trashë dhe
5492 mund t’i bëjnë dy përpara. Në sy u shkëlqen flaka, një /flakë
5499 kripura, të shprishura përmbi sy, /veshë dhe krahë. U janë kërleshur
5519 e rrugëve. Merren /vesh me sy dhe me duar, me do shenja që
5629 e duarve, si vidheshin me sy dhe si i pëshpëritnin njëri
5636 se iu kishte rënë në sy të /tjerëve dhe ata e konsideronin
5738 gjithnjë zatetej në një palë sy, në anën /tjetër të germës së
5785 kënaqej duke e vjedhur me sy Xhezairin dhe prania e tij sikur
6056 përparme, e kishte shikuar me sy të /mjegullisur dhe, e gëzuar
6175 ashtu?/- Me një palë sy të mëdhenj, si qershi, që më
6455 dëgjuar me vëmendje dhe sy të zgurdulluar shumica e të
6769 Propozoj t’ia nxjerrim njërin sy dhe, në qoftë se pajtoheni,
6856 të thirë, të /lëpirë dhe sy shgjetues, i njohur si inat
7104 i cili duke ia bërë me sy më parë, gjoja e qorton doganierin
7762 Elmaz është grua që bie në sy me sasinë e trupit më tepër
7965 ata që shohin vetëm me një sy, tani nuk do të shohin as me

Shkurtesat – Shkurtesat më të përdorura prej Qoses janë: [ UBD, UDB, SHBA, NATO, OKB, SKOJ, AVNOJ, TANJUG, ATSH, BBC, SPM, ÇÇ (Çerem Çapari), HU (Hana Ujëmiri), LK, BD, OTH, SPB ] etj.

Emrat e përveçëm – Emra të përveçëm me mbi 200 paraqitje janë: [ Saraç 722, Vajazan 720, Tarik 710, Shqipëri 624, Delina 449, Kosovë 403, Kabil 279, Kurrnajë 214, Amerikë 213, Enver 206 ]

***
cit.|… Akademiku Rexhep Qosja është figura më e shquar e letrave shqipe. Ai shfaqet si një krijues poliedrik, veprimtaria e të cilit përfshin krijime letrare, studime letrare, vepra të shumta publicistike e memuarë. Për këtë veprimtari kaq të gjerë ai është vlerësuar nga studiues, shkrimtarë e intelektualë shqiptarë. Qosja si një figurë e njohur e letrave shqipe, është një nga penat më të fuqishme të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe të këtij fillimshekulli. Librin e parë, “Episode letrare”, Qosja e boton më 1967. Që nga ky vit e deri më tani ai ka botuar një numër të madh veprash letrare, shkencore e publicistike…|

cit.|… Rexhep Qosja është autor i më shumë se tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikën letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera. Romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë” është përkthyer në shtatë gjuhë: në frëngjishte, gjermanishte, holandishte, serbishte, sllovakishte si dhe në bullgarishte.

***
[ më poshtë disa fjalë nga fjalorthi i neologjizmave i shkrimtarit Qosja (kryesisht nga “Vdekja më vjen prej syve të tillë…”, thjesht një grusht qershizash – sa për ta patur idenë sadopak : ) përpiluar nga autorja Dema ]

DORËDJATHËXHEPMAJT/Ë mb., sh, ~Ë, ~A. fig. Që kërkon të hajë me shumë lugë. Ka treguar ai edhe herëve të tjera se kush është: një snob, mendjemadh, mikroborgjez, filistin, hipokrit, injorant, llafazan, njeri shtjeremerr, nxitepërfito, kapemosqit, dorëmajtëxhepdjathtë, dorëdjathëxhepmajtë, shikodjathtasecmajtas, shikomajtas~ecdjathtas […] (Vdekja…, f. 214).

DUARGREPATXHEPTHAST/Ë mb., sh, ~Ë, ~A. Zhvatës. […] t’i shikoj mirë e me kujdes të gjithë ata symajtitkëmbëdjathtit, fjalëshumtitpunëpaktit, duargrepatxhepthastë; (Vdekja…f. 146).

FJALËSHUMTËPUNËPAKT/Ë, ~I m., sh. ~Ë, ~ËT Që flasin shumë dhe punojnë pak. […] t’i shikoj mirë e me kujdes të gjithë ata symajtitkëmbëdjathtit, fjalëshumtitpunëpaktit, duargrepatxhepthastë (Vdekja.…, f. 146).

GAGAXHI, ~U m. sh, ~NJ, ~NJTË iron. Ai që do të hajë e të pijë pa paguar gjë. […] ishin lektisur dikur jo më kot: hamamxhinjtë, gështenjaxhinjtë, tatlixhinjtë, sharraxhinjtë, kacaxhinjtë, sturaxhinjtë, sheqerxhinjtë, kitërxhinjtë, kaftorxhinjtë, plëndacaxhinjtë, zorraxhinjtë, tabakxhinjtë, teneqexhinjtë, kallajxhinjtë, jorganxhinjtë, zhgunaxhinjtë, furrxhinjtë, arpaxhikxhinjtë, tupanxhinjtë, telallxhinjtë, shalaxhinjtë, plumbaxhinjtë, kumarxhinjtë, testixhinjtë, çerepxhinjtë, briskaxhinjtë, leshxhinjtë, muftexhinjtë, gagaxhinjtë […] (Vdekja…, f. 133)

GOJËMBËLBESËQEN, ~E mb., sh. ~, ~E Që është gojëëmbël dhe i pabesë. Ka treguar ai edhe herëve të tjera se kush është: një snob, mendjemadh, mikroborgjez, filistin, hipokrit, injorant, llafazan, njeri shtjeremerr, nxitepërfito, kapemosqit, dorëmajtëxhepdjathtë, dorëdjathëxhepmajtë, shikodjathtasecmajtas, shikomajtas~ecdjathtas, kalovalumintqifshakalin, brekkuqbythëgjerë, gojëmbëlbesëqen […] (Vdekja…, 214).

KACAXHI, ~U m. sh, ~NJ, ~NJTË. Ai që bën dhe shet kaca (enë e madhe druri ku konservohen lakrat turshi, dardhat etj.; fuqi, kade, vozgë). […] ishin lektisur dikur jo më kot: hamamxhinjtë, gështenjaxhinjtë, tatlixhinjtë, sharraxhinjtë, kacaxhinjtë… (Vdekja…, f. 133).

KËMBËTURQISHT ndajf. Këmbëkryq. Kudo e kurdo ulej këmbëkryq ose, si thoshte vetë, këmbëturqisht. (Një dashuri…, f. 127).

KOKËTREKËNDËSH, ~E mb., sh. ~A, ~E. Që e ka kokën në formë trekëndore. Nuk e di si duken ata që shkruajnë alegori e parabolla, por ata që i kundërshtojnë e di se janë barkaçë dhe llupës të mëdhenj ose kokëtrekëndësh. (Një dashuri…, f. 283).

PAPËRSËDYTUR (I, E) mb., sh. ~, ~A (TË). Që nuk bëhet dy herë, që nuk përsëritet më, i papërsëritshëm. Njeriu është botë në vete dhe Perëndia e ka krijuar të papërsëdytur me pamjen, me virtytet dhe me veset. (Një dashuri…, f. 14).

RRAXHAXHI, ~U m., sh. ~NJ, ~NJTË. Ai që bën rraxha. […] t’i shikoj mirë e me kujdes të gjithë ata […] badihavaxhinjtë, rraxhaxhinjtë dhe kumarxhinjtë; (Vdekja.…, f. 146)

RROSPILLAN~ […] U thonë meshkujve~të rinjve, atyre në moshën më të mirë, por edhe disa pleqve. […] Dhe, më tej, u thonë të rinjve, atyre në moshën më të mirë dhe pleqve, të cilët i ndërrojnë mendimet, bindjet, partitë si rrobat, këmishët, çorapët, këpucët, sipas stinës së vitit. U thonë edhe atyre që ndërrojnë fenë […] Më së shumti rrospillanë, […] ka ndër politikanët dhe ndër intelektualët. Fshatarët dhe punëtorët, të gjorët, edhe po të duan, nuk dinë të bëhen si duhet rrospillanë. (Bijtë 2, f. 143).

XHAMALLOSUR (I, E) mb., sh. ~, ~A (TË). I veshur me rroba të ndryshme, zakonisht me rroba të leckosura, të grisura, për të argëtuar njerëzit në ndeja, festa fetare a në dasma; lolo. Veriu i fortë dhe i ftohtë, që i rrahte rrugët e qytetit, depërtonte nëpër hatullat e shtëpive të vjetra, që në gjysmë e lart ishin bërë prej drurit dhe i vinte në lëvizje të xhamallosur rrakshajat e lastrës në tavane. (Vdekja…, f. 63).

etj. etj.