Senad Guraziu – Ars Poetica, Q 2025 – koment
Një video e bërë publike 3-4 ditë më parë, 5 Qershor 2025, nga agjencia WANA e Iranit (Agjencia e Lajmeve të Azisë Perëndimore), më habiti pa masë, sepse fare haptas e keqinterpretonte aktin simbolik dhe të shenjtë të “gurëzimit të djallit” në Mekë. Videoja e shkurtër (1 minutëshe) merrej me përkrahjen dhe nxitjen e luftës (në këtë rast) kundër Izraelit.
Videoja përfundon me citatin e Khameneit, me shkronja të bardha në sfondin e errët – [ ‘Rami al-jamarat’ do t’thotë ‘Gurëzimi i Djallit’. Kudo që të jetë, në çfarëdo forme që të shfaqet, dhe kudo që ta gjeni Satanin, goditeni. Njiheni Djallin dhe goditeni. – Imam Khamenei, 4 Maj 2025 ]
Në video, “gurët” që hidhen për ta qëlluar djallin… tashmë me efektet speciale (mbase të After Effects) përflaken dhe metamorfohen, marrin formë raketash, me animacione gjoja “interesante”, kthehen në raketa që nisen, psh. drejt aeroportit Ben Gurion, drejt avionëve luftarakë në pistat, drejt caqeve izraelite… dhe dmth. i asgjësojnë bazat e armikut.
Videoja i paraqet ca ilustrime profesionale, jo “abstrakte” por aso në stilin e realizmit, të “gurëzimit të djallit”, pastaj skena me fëmijë dhe shkatërrimin në Gaza, raketat me flakët në “prapanicat raketore” animuar aq saktë, thuase filmi do shfaqej në kinematë e botës dhe se do konkurronte për BAFTA-t e për Oskarët e Hollivudit.
Nuk di nëse shfaqet kështu (jashtë faqes “amë”), po e ngjes linkun ku videoja është hostuar >
[ https://wanaen.com/wp-content/uploads/2025/06/x-downloader.com_AhLQpT.mp4 ]
Vërtet ngela, i mahnitur, i çuditur sa s’ka më, sepse e dhimbshme dhe për keqardhje, se keqinterpretohet akti simbolik i religjionit… kjo patjetër, por dhe ajo “Tragjedia e së Premtes së Përgjakshme të Mekës” (siç interpretohet nga qarqet zyrtare iraniane), tragjedia e ndodhur dikur në vendin e shenjtë, vërtet sikur rishtas (keq)përdoret politikisht në mënyrën më të ulët, si “armë politike” amatoriale, si propagandë e ligë, jo tinëz por haptas në pikë të diellit.
Videoja s’është gjë tjetër por keqpërdorim i qëllimshëm i “medias” për ta shtrembëruar të vërtetën e religjionit për qëllimet e caktuara politike. Jam absolutisht kundër keqintepretimit të ritualit në Mekë, jam absolutisht dakord nëse zyrtarët e Arabisë Saudite impenjohen që religjioni dhe çështjet e pelegrinazhit t’mos politizohen. Natyrisht se dhe ata kanë “motive” (dihet, politike, të politikave internale, të mbajtjes së pushtetit), por jam absolutisht dakord nëse qeveria saudite përpiqet ta mbajë Haxhin të lirë nga akëcila influencë politike, nga çdo (keq)përdorim politik, nga çdo (keq)interpretim, nga çdo devijim, nga çdo justifikim-shmangie prej asaj çfarë Haxhi i shenjtë dhe pelegrinazhi realisht përfaqësojnë (është supozuar të përfaqësojnë).
T’i “tërthurosh”, t’i ngatërrosh paragjykimet me pastërtinë e besimit, me pastërtinë e shpirtërores, me pastërtinë e fesë, pastaj t’i “përziesh” këto me politikat e “pafajshme” e me strategjikat, edhe sot e kësaj dite si dikur para qindra, para mijëra vitesh, ta “hibridizosh” religjionin me politikën (gjoja moderne), ta quash “shkencë islamike”, ta kalitësh si vegël të pastër me besimin tënd shpirtëror por dhe të helmatisur nga hipokrizia politike e botës materialiste (sepse, përndryshe s’do impenjoheshe për armatimet nukleare – do neutralizoheshe si amishët, s’do merreshe as me tekno- as me shkenco-logjikat), ta përdorësh si vegël indoktrinimi (thuase njësoj si egjiptasit e lashtë), duke i palosur fenë + politikën si t’na ishin petë metalike të shpatave të Samurajve, duke i çelikosur, duke i skuqur, rrahur, ngjeshur në kudhrën tënde të kësobotshme politike – vallë si u falkan të tilla lajthitjesh të besimtarëve?! Kurani askund nuk thotë “kështu”…
Kurani askund nuk thotë që besimtarët-zyrtarë, ta zëmë të Katarit, të Arabisë Saudite, të Emirateve të Bashkuara etj. nga njëra anë me ndjeshmërinë e tyre fetare-shpirtërore duhet të qajnë për fëmijët pa ushqim, të katandisur si mos më keq në Gaza (Gaza nuk është Kinë e maaaaadhe, një “grusht fëmijësh” hesapi… viktima luftrash dhe trazirash të kësaj bote, qante dhe Ambasadori palestinez pranë OKB-së, për të njëjtit fëmijë të uritur, sepse aq e dhimbshme, disa miliona $ dhe do ngopeshin, do kishin madje dhe çokollatash – mirëpo, nga ana tjetër, sheikët-biznismenë dhe elitarët e politikave arabe në vend që t’ua falnin këtyre fëmijëve në Gaza 400 milionë $… (helbete qindra-milionat i korruptojnë tregtarët amerikanë, ose jo “korrupsion” por thjesht preken dhe ua shesin pak ushqim, qindra-milionat $ i zhdukin pengesat), jooo zyrtarët arabë, sheikët e pasur vendosin totalisht për absurdin, 400 milionë $ ia falin peshqesh askujt tjetër por Trump-it të varfër!
Vallë a nuk është e çuditshme, e gjithë bota mbarë e di (bota e dinë, sepse Katari bën aq shuuuumë “bujë” mediatike, zyrtarët e Katarit i financojnë vetë mediatikët e Al Jazeera, qindra miliona ndahen për Al Jazeera sepse është “mashë mediatike kundër prushit politik” (arabëve të pasur u duhen “mashat” mediatike, kur flasin vetë për kamerat e Al Jazeera përshfaqen si engjëj, flasin me aq shumë dhimbshuri për Palestinën, kanë tepër shumë dhimbje “politike” për fëmijët e uritur në Gaza, e ngrejnë zërin dhe i denoncojnë aktet ushtarake të Izraelit, por ja që me “dhimbjen shpirtërore” 400-milionëshe i vardisen Trump-it.
Sepse e dinë fort mirë, ky i fundit xha-Trumpi ua shet edhe “luftrat”, edhe sherret, edhe fitilat, edhe trazirat, edhe avionët, edhe bombat, nëse nevoja ua shet dhe ukrainasve, dhe vetë rusëve madje, të gjithëve atyre që kanë lekë për t’i blerë… e edhe vetë Izraelit, sepse as këta s’kanë faj, totalisht engjëj, armatimet u duhen për t’i ushtruar luftrat në Gaza, për t’i zgjidhur ushtarakisht problemet ushtarake të atjeshme. Vetë Trumpi në fakt thotë se i duhet Gaza si “pronë turistike… për ta mbushur me pallate” fantastike a la trump-istike… prandaj dhe çudia, i viziton shtetet, sulltanatet arabe, “emiratet” e kësobotshme… dhe kthehet me peshqeshet 400-milionëshe.
Ngela i mahnitur me videon e iranianëve, sepse WANA (West Asia News Agency) nuk është ndonjë “blog personal” i ndokujt por (sipas tyre) është agjenci serioze informative, që përpiqet t’u ofrojë audiencave të huaja (sidomos atyre perëndimore) lajme nga Irani me një këndvështrim dhe narrativë të re. Si ofrues shërbimesh me përvojë (prej dekadash), misioni i tyre kryesor (thuhet nga ata vetë) është t’u ofrojnë mediave dhe shtypit të huaj shërbime të nivelit botëror. Epo nëse ashtu, nëse synohet “shërbim i nivelit botëror”, atëherë kjo video do ishte turp dhe për ndonjë “blog personal”… pa le për agjencitë serioze të botës moderne informatike.
Në rubrikën “Politika e Jashtme – Lajmet e WANA-s”, datë 5 Qershor 2025, videoja lidhej në fund të artikullit me titull “Haxhi Zhvillohet Nën Sloganin Anti-zionist”. Artikulli sqaron për qëndrimin e pelegrinëve në Arafat, për recitimin e Lutjes së Arafatit (pjesë e ritualeve të Haxhit – mali Arafat është një kodër rreth 20 km në juglindje të Mekës, në provincën me të njëjtin emër në Arabinë Saudite). Artikulli flet për karvanët iranianë të pranishëm në Haxhin e v. 2025, më shumë se 17.000 pelegrinë iranianë mbajtën gjithashtu ceremoninë e “Distancimit nga Politeistët”. Kjo ceremoni gjatë Haxhit – sqaron autorja R. Hejazi – u mbajt për herë të parë në v. 1979 me një mesazh nga Imam Khomeini – një ritual që gjatë katër dekadave të fundit është bërë një pjesë e pandashme e qasjes politike të Republikës Islamike të Iranit rreth Haxhit dhe është shoqëruar gjithmonë me ndjeshmëri në nivel rajonal dhe jashtë-rajonal.
Rituali “Mohimi i politeistëve” (ose Distancimi nga politeistët) është një ritual politikisht simbolik që i denoncon fuqitë perëndimore, të cilat fuqi Irani i konsideron si “shtypëse”. Brohoritje të tilla si “Vdekje Amerikës” kanë qenë elementë të ceremonisë, që nga koha kur u prezantua për herë të parë pas revolucionit të v. 1979 me mesazhin nga Ajatollah Khomeini.
Sipas autores së WANA, R. Hejazi, “Mohimi i Politeistëve” është diç si risi iraniane në një “platformë” saudite (duke deklaruar shkëputje nga dominimi dhe traktatet me politeistët) është një koncept kuranor që Republika Islamike e Iranit e ka shndërruar në një nga shtyllat e saj të Haxhit, gjatë katër dekadave të fundit. Themeluesi i Republikës Islamike të Iranit, Ajatollah Khomeini, e konsideronte këtë ceremoni plotësuese të Haxhit dhe besonte se Haxhit pa “Mohimin…” i mungon “fryma politike e Islamit”.
Kjo qasje është përballur gjithmonë me kundërshtim nga qeveria saudite që përpiqet ta mbajë Haxhin të lirë nga çdo përdorim politik. Për këtë arsye, ceremonia iraniane e Mohimit zakonisht kryhet brenda kornizave të kufizuara dhe kryesisht përqendrohet në tendën e delegacionit iranian. Megjithatë, – theksohet në artikull – pesha simbolike dhe mediatike e kësaj ceremonie është aq e lartë sa mund të jehojë deri në nivelin e konflikteve rajonale.
Sidoqoftë, artikulli i autores R. Hejazi, tutje me nëntitullin “Një histori e përgjakshme – Nga viti 1987 deri më sot”, rreth “distancimit, mohimit të besimtarëve ndaj politeistëve” ua ofron lexuesve dhe pakëz histori. Autorja shkruan se pikë-kthesa historike e kësaj mosmarrëveshjeje (dmth. me Arabinë Saudite) ishte viti 1987. Në atë kohë, gjatë ceremonisë së Mohimit, një marshim pelegrinësh iranianë u përball me shtypjen nga forcat saudite të sigurisë, duke rezultuar në vdekjen e më shumë se 400 personave, kryesisht iranianë. Ky incident shënoi një nga kapitujt më të hidhur në historinë e Haxhit dhe të marrëdhënieve Teheran-Riad, incidenti çoi në ndalimin e Iranit për t’marrë pjesë në Haxh për disa vite.
Irani këtë ngjarje e quan “Tragjedia e së Premtes së Përgjakshme të Mekës” dhe e konsideron si simbol të shtypjes së zërit të ligjshëm të myslimanëve. Arabia Saudite, ngjarjen megjithatë e interpreton se ishte veprim sigurie për t’i kontrolluar trazirat. Këto dy “pikëpamje” kontradiktore vazhdojnë jo vetëm në lidhje me ngjarjen e v. 1987, por dhe në lidhje me rolin e përgjithshëm të Haxhit në politikën e botës islame. Pas kësaj, “Mohimi i Politeistëve” vazhdoi të mbahej në një format më të kufizuar. Megjithatë, përmbajtja dhe qëllimi – domethënë, protesta kundër dominimit global amerikan, mbështetja për Palestinën dhe kritika ndaj Izraelit – mbeten të paprekura dhe madje u përsëritën këtë vit në formën e një rezolute zyrtare – thuhet në artikullin e WANA.