SG – Vallë pse zemrat nuk flenë kurrë!?, 2009

Vallë pse zemrat nuk flenë kurrë!?
S. Guraziu, 2009 (Skicë…)

Ke të drejtë, ndoshta çdo gjë është “wireless”, prandaj mund të flas me ty, kudo që të jesh – të shoh tani… si një oreadë e zhveshur dridhesh në afshin e valë, ajo pasqyrë vrastare e Diellit si lupë gjigante rrezikon të shkrihet, e nxehur tejmase e çoroditë pasditen tënde, aty në sfond i petëzuar luhatet imazhi yt, rutinë vajtje-ardhjesh në një ditë vere, ecejaket flasin së prapthi me dëshirat efemere, ngadalë zemra qelqoset nën trysninë e masës, pothuaj në një trumcak kristali kthehet, kalamendet në shtyllën qendrore të qenies – për një çast më bëhet sikur hapat pezullojnë, lehtas ngjiten shkallëve të qiellit – por jo, ato shtylla anës rrugës si këmbët e tua janë, shtylla stoike të shpresës, ja përse gjithë ato mesazhe të zemrës, në ato miliona fibrash të ngrohta, telëzuar, përçuese ndjenjash, si dikur telat ambicioz të Graham Bel, ndoshta akoma pushojnë zogj të fjetur, pandalë brumosen shpresat që tek duhet të lindin, shih pra… ndër gjithë ato zemrash të vockla, plot cicërima të përgjumura fushave të pafund, ëndrra që dremiten përgjatë auto-udhëve të jetës, mes ajrit dhe ndjenjave forca të panjohura, e megjithatë kot, zemrat zgjuar rrinë, syhapur, vigjilente, balansohen në horizontalen e telave, mbahen si foshnjat kur gishtin e nënës shtrëngojnë, kapen në buzëqeshjen e saj… ngjyrat e jetës kalibrohen – vërtet i përsosur, apo jo, ky ekuilibër i frymëmarrjes në gjumë.