S’paska tutje rrezik – qenka shkatërruar mali atomik !

(s. guraziu – ap, 23 q 2025 – qenkemi çliruar, mos na lashtë zoti pa klimaksat e trumpizmit)

…sikur t’mos ishte e dhimbshme, sepse fjala është për luftë e bombardime, pothuaj duket qesharake, lloj-lloj emrash i zgjedhin ushtarakët modernë të Pentagonit për operacionet, pothuaj ngjashëm me “klimaksin e mesnatës” – hedhin bomba dhe zgjedhin emra aq kreativë, e vdesin urie një popull 2-milionësh, e bëjnë pluhur një Gaza dhe nuk e quajnë “kamp koncentrimi”, e qartë se vendosmëria dhe fuqia e Trumpit vërtet e mahnitshme, sinqerisht vetë pakëz sikur qesh mahnitur me emrin e zgjedhur operacional, duke ndjerë keqardhjen për popullin iranian paralelisht pothuaj sikur më shkonte buza në gaz me “çekanin e mesnatës”, sepse ma kujtonte “klimaksin e mesnatës”…

…vetë Trumpi ka shkruar se dëmet e bombardimit të Iranit gjatë operacionit “klimaks…” ishin masive, “fenomenale”, ashtu-kështu Trumpi s’ndalet me lavdet sepse dihet vetëm amerika mundet fenomenalisht, askush tjetër, mirëpo nga fotot satelitore nuk shihet gjë, sepse caqet janë dhe ishin thellë nëntokësore, i pashë dhe vetë fotot satelitore por asgjë, se mos na qenkam unë ekspert i bombardimeve – le që unë s’di… por askush akoma s’e ka idenë reale të dëmeve, asnjë ekspert i kësaj bote s’u dëgjua, vetëm spekulime reporterësh, propagandë me gjuhën ushtarake, lavde a la trumpistike (në Truth, ndoshta dhe ne X, ne Omega, ne Y) dhe asgjë tjetër, Irani vetë (sa për vete) e di saktë por i mban sekret dëmet sepse ashtu dhe duhet…

…gjatë operacionit “çekani i mesnatës”, zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes thonë se kanë marrë pjesë, mbi 125 fluturake të ndryshme (furnizues ajror me karburante, përcjellës e çmos, lloj-lloj zogjsh metalikë të Pentagonit, kryesorja 7 bombarderë strategjikë B-2 janë nisur nga ShBA, e kanë kaluar oqeanin… të përcjellur me gjithçka të nevojshme, pastaj kur kanë arritur mbi vendet e duhura (mbi bjeshkët e Iranit), 6 bomarderë B-2 i kanë hedhur 12 bomba masive penetruese në instalacionin atomik të Fordou (bombat vërtet duken si vibratorë-penetratorë, shih foton, përmasat i kanë 6 m x 80 cm, të ashtuquajtura MOP – Massive Ordnance Penetrator, bomba “bunker buster”), dhe bombarderi i B-2 i 7 i ka hedhur 2 bomba të tilla MOP në Natanz. Plus, 1 nëndetse i ka gjuajtur 30 raketa “Tomahawk” në Natanz dhe në Isfahan…

…çfarë m’u duk e çuditshme (sepse nuk përputhet me asgjë që mediat dhe politikanët, as të Evropës as të Amerikës, që nga sulmi i Izraelit në Iran kanë thënë deri sot) është fakti se zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes Amerikane, Reagimi i Shpejtë (DOD Rapid Response) janë shprehur si vijon:
“shumë presidentë ëndërronin t’i jepnin goditjen përfundimtare programit bërthamor të Iranit, dhe askush nuk mundi. Deri tek Presidenti Trump. Operacioni që Presidenti Trump e planifikoi ishte i GUXIMSHËM dhe BRILIANT”…

…dhe pastaj për mua sikur u “shpalos e çuditshmja”, vetë Sekretari i Mbrojtjes, z. Pete Hegseth, ishte shprehur si vijon:
“Ky plan kërkoi muaj dhe javë pozicionimi dhe përgatitjeje në mënyrë që t’ishim gati kur t’na telefononte Presidenti i ShBA. Plani kërkonte shumë saktësi, përfshinte keqorientimin mashtrues (dmth. për armikun, që t’mos dekodohej, që nga Irani t’mos zbulohej qëllimi operacional i Pentagonit – shën. im) dhe nivelin më të lartë të sigurisë operacionale”…

…bukur, ju lumtë z. Hegseth, me 126 bombarderë (në emër të 50 shteteve bashkë të Amerikës) qebesa dhe gjyshja ime, pa asnjë gjeneral dhe pa asnjë gradë do i bombardonte bjeshkët e Iranit, gjithsesi ku di unë, ashtu pafajësisht sipas meje me 125 bombarderë + 50 bomba garant dhe gjyshja ime do ishte e rrezikshme – pavarësisht se e dhimbshme, luftrat që i nisni janë për keqardhje (ç’lidhje psh. paskan bjeshkët e Iranit me urinë e 2 milionë palestinezëve që e përkrahni me armët tuaja z. Hegseth, në kampin koncentracional të turpit në Gaza, mendoni mirë z. Hegseth, sipas meje Ju dhe Boss-i juaj Trump do duhej t’i përgjigjeshit Tribunalit në Hagë) e megjithatë mua thjesht desh më shkonte buza në gaz me emrin e operacionit që e paskeni zgjedhur, pothuaj më mirë ta kishit quajtur “Operacioni Klimaks”, “Klimaski i Bjeshkëve të Larta”, ose “Klimaksi i Mesnatës”… or something else, sesa “Çekani i Mesnatës”…

…ehuuu z. Hegseth, çekani tingëllon pa ndjenja, hekur hesapi, çfarë çekani na qenka ashtu tinëz bjeshkëve të Iranit në mesnatë, gjithë ata satelitë, gjithë ata bombarderë dhe fotot tuaja s’e paskan “gërvishtur” as bjeshkën, nëse paskeni planifikuar me muaj, atëherë sa muaj pra, 2 muaj, 3 muaj, 4 muaj, 5 muaj, 126 bombarderë dhe gjithë ajo poterë, dhe vetëm tymi i 126 bombarderëve s’ju falet (dmth. që e keni ndotur planetin, sepse bombarderët tuaj ende s’janë “tesla”, apo jo, nuk janë me elektrika) atëherë ju vetë z. Hegseth me gojën tuaj e bëtë të qartë se paskeni patur plane të “bombave” që para raportit të IAEA, atëherë gjithçka që ka thënë Izraeli dhe Presidenti Trump (që nga kur Izraeli me lejen e Trump e sulmoi Iranin) paskan qenë pra pollavra z. Hegseth…

(po i ngjes dhe ca foto, sepse qenka çliruar bota, 1 e goditur me çekan, dhe operacioni klimaks e paska shkatërruar programin atomik të Iranit, fort bukur, mos na lashtë zoti pa bombat e pa klimaksat e trumpizmit)