(s. guraziu – ars poetica, 26 q 2025 – koment, me ngapak humor, gjoja analizë e zgjeruar e “analizës holandeze”
…si metaforë, pëllumbardh i paqes – si realitet fotografik luja Ramë luja, kryeplak n’ballë të NATO-oxhakut : )
***
Dihet që Holandezët, kur është fjala për politikat, as dhe 1 detaj nuk ia lënë rastësisë, psh. redaksia e NOS e kishin analizuar menjëherë foton grupore të NATO-s, aty për aty “studim” i përpiktë.
Vetë s’e kam shikuar foton aq gjatë, aq që m’ka shkuar mendja për analiza, s’më kanë shkuar sytë poshtë për t’i parë mbathjet e askujt, mirëpo pastaj nga analiza e holandezëve mësova se vetëm Rama na paska vajtur me “patika” t’bardha në NATO.
Holandezët shtireshin pakëz të “impresionuar” rreth këtij detaji, sipas tyre mjaft detaj interesant dhe origjinal për ta vjedhur vëmendjen e kamerës. Mua s’më bëri përshtypje sepse e di që Rama e ndjek trendin e vet. Unë madje ia kam lavdëruar kravatat shpeshherë, edhe përkundër faktit që s’më pëlqejnë kravatat, qofshin dhe të shtrenjta, le t’jenë “limited edition” Versace a ku di unë, le t’mi dhurojë vetë Donatella si peshqesh, vetë Meloni e Italisë, vetë Monica Bellucci, kot… s’më bëjnë përshtypje.
Nuk e vrava mendjen aspak për “atletet bardhoshe” të Ramës. Anise për ata që nuk e njohin, do interpretohej ndoshta sikur Rama medoemos dhe patjetër ka dëshirë ta kaptojë syrin e botës fotografike. Mirë në takimet e tjera politike, në tjerat mbledhje… kur takohet me politikanët, apo kur e viziton Melonin në Itali, për t’i dhuruar lule, dhurata, për t’rënë në “gjunj” si puthador romantik, por madje dhe në samitin e NATO-s duhej me atlete – ku di, s’them jo, mund t’i kenë ngrehur dhe vetullat njerëzia.
Gjoja rastësi spontane e modës personale, detaj i pallogaritur, spontanitet sepse gjoja ish-basketbollist dhe i ka ngelur ves. Rishtas dhe prapë ka dëshirë t’jetë unikal, ngjashëm siç kur pati vajtur me priftrinj e hoxhallarë në Francë, mesazh paqësor, pëllumbardh i paqes në mes të aleancës ushtarake, pëllumbat mes ushtarakëve… hm, kontrastim i madh, gjoja sikur na e paskësh ngatërruar sa vendin sa kuvendin, diç si “dele bardhoshe mes atyre rude” – ndokush dhe mund të mahnitet, sa për vete jo : )
Sepse kuptohet unë për vete e di, e njoh Ramën (si figurë, nga larg) e kuptoj Ramën fort mirë. Sidoqoftë, holandezët e pranonin se as vetë NATO-ja për fotot e veta asgjë s’ia lë rastësisë. Fotografia grupore “familjare” e samitit është supozuar t’jetë domethënëse, jo shkrepje çfarëdo, as shkrepje kot. Fotoja “familjare” tekefundit simbolizon unitetin e krerëve të aleancës. Por a ofron fotografia dhe një pasqyrë të marrëdhënieve themelore (dmth. mes anëtarëve të NATO-s, si partneritet)? – pyesnin analistët e NOS.
Apo qëndron fakti se dhe për këtë detaj kujdeset NATO-ja vetë, i angazhon fotografët super-pro, le t’kushtojnë fotot sa t’kushtojnë – ASGJË nuk lihet në dorë të rastësisë? Një gjë është e sigurt, NATO-ja dëshiron gjithçka tjetër përveç jo bujëshmëri (fotografike) në skenë. Dhe kjo e qartë sepse kanë menduar saktësisht se kush prej krerëve do jetë ku (në foto), secili e ka vendin e vet të paracaktuar. Krerët e aleancës madje shoqërohen dhe “montohen” aty tek etiketa e tyre në dysheme.
[ këtu fotoja zmadhohet, “zoom” për t’u parë këpucët dhe tiketat e bardha të dyshemesë, ndoshta tiketa e Shqipërisë thotë AL, ajo e Amerikës USA, e Holandës NL e kështu me radhë, s’ka shans për ngatërresa ]
Në qendër të qendrës, me dy holandezët ballëlartë në mes të objektivit, e qartë se ashtu duhet fotografuar krenaria holandeze. Kryeministrit “në detyrë” Schoof (meqë kabineti holandez është rrëzuar në fillim të Qershorit, Holanda ashtu-kështu mund të funksionojë automatikisht, jemi mësuar me akrobatikat kabinetike, no problemos… funksionjmë pa kabinet a qeveri, diç si makinë automatike politike) si mikpritës i samitit i lejohet të qëndrojë në të djathtë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rutte.
Fati e deshi që dhe Rutte si Sekretar është holandez, pra jo 1 por 2 holandezë në qendër të fotos “familjare” historike. Njësoj si thjerrëzat e aparatit edhe sytë tanë vetë fokusohen, fokusi qendror u takon holandezëve, krahpërkrah me Trumpin. Këtu holandezët sikur e kishin stërholluar analizën pakëz, kishin hamendësuar pakëz më thellë, nëse Holanda t’mos ishte vendi nikoqir i samitit, padyshim në foto do na e kishin caktuar vendin diku më mbrapa – thoshte NOS. Fare lehtë mund t’jetë e saktë, edhe unë mendova të njëjtën : )
Si zakonisht, nëpër fotot e tilla, presidenti amerikan qëndron pranë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. ShBA-të janë aleati më i rëndësishëm i NATO-s, ndër të tjera sepse ata ndajnë më shumë $ për NATO-n. Presidenti Trump ishte kryeprotagonisti, babaxhani kryesor i këtij samiti. Si zakonisht, rishtas e vodhi gjithë vëmendjen mediatike, jo vetëm spot-dritat por dhe kamerat e përcillnin gjithandej. Sidomos për shkak të propozimit për t’i rritur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes.
Vendi që pati më së tepërmi probleme me propozimin e rritjes së mbrojtje-shpenzimeve ishte Spanja. Kryeministri Sanchez mendonte se detyrimi për t’i shpenzuar 5% pë mbrojtje ishte i tepëruar dhe i panevojshëm. Andaj sikur dhe fotoja e shfaq “problematiken”, sikur Sanchez është “lënë” pakëz jashtë grupit, thuase sipas idesë “le ta hajë ujku gjithkend që ndahet nga tufa”, thuase qëllimisht për ta “prerë” pastaj me gërshërë (nëse eventualisht historia e fotos t’ketë nevojë : )
Mirëpo kjo “lënie anash” e Spanjës do jetë diç si rastësi e kulluar. Krerët e vendeve thjesht janë renditur sipas alfabetit anglisht. Psh, Suedisë të sapoardhur në NATO i ka takuar vendi në rreshtin e parë pranë Spanjës. Anise alfabeti anglez i NATO-s ka dhe “përjashtime”, por mizat s’duhet bërë buaj, cikërrimat ngelin cikërrima.
Pakëz e “çuditshme” që Franca e madhe + Gjermania e madhe, dy lokomotivat ushtarake të NATO-s evropiane, janë lënë prapa Ramës në rreshtin e dytë. U muar vesh, Rama me atlete t’bardha, si metaforë do i binte gjoja “dele bardhoshe mes atyre rude” – por si realitet fotografik luja Ramë luja, kryeplak n’ballë të NATO-oxhakut, si Qumili i Treshi Përsheshit me pandofla n’Palma – do thoshte Leci (njësoj dhe Cima, garant : )
Franca e Gjermania, aleatë aq të rëndësishëm të NATO-s, do duhej krahpërkrah Amerikës, por ja që bota nuk e dinë, bota bazohen në pozitat e krerëve nëpër fotot historike të NATO-s. Bie fjala, ndoshta 1 miliard indianë e kinezë aq që e njohin Ramën, s’e kanë idenë kush është, e shohin ballinën e gazetës, e shohin foton e NATO-s, do pandehin se Rama me atletet e veta nëse jo më i madhi, atëherë njëri nga kokëmëdhenjtë, ndër kryemëdhenjtë e samitit. Sepse para Macronit, para Merz-it.
Sidoqoftë, aq të këqija foto-pozitat e Francës e Gjermanisë dhe nuk janë. Qëkur më mirë t’figurosh në mes të rreshtit të dytë sesa ndokund fare në skaj majtas, pothuaj “përjashta” fotos, si Spanja. T’jesh prapa Ramës në rreshtin e dytë do t’thotë ke patur fat ndodhesh prapa Sekretarit të Përgjithshëm Rutte dhe prapa Babaxhanit të NATO-s, Trump. Fat i madh sepse pikërisht kjo është fotografia që e bën xhiron e botës, s’ka gazetë a revistë të botës që s’e ka publikuar (ndoshta pikërisht në ballinë), dhe do ngelet e “stampuar” në histori përgjithmonë.
Ndoshta jo gjithkush do ketë pritur që pozita fotografike në rreshtin e parë të NATO-s t’i takojë Ramës. Mirëpo o do i ketë takuar vendi aty sepse në anglisht Shqipëria (si Albania) fillon me A, o sepse pritet që Shqipëria ta organizojnë samitin e radhës të NATO-s në v. 2027. Pra ka shans t’jetë e vërtetë, Rama duhej t’ishte në foto pranë holandezit Schoof sepse e meriton, si nikoqir i ardhshëm i NATO-s. Dmth. diç ngjashëm si në atletikë kur dorëzohet stafeta, edhe samitet do i kenë “stafetat” e veta, sekretet e veta.
Njëri nga detajet, kah fundi i analizës holandeze, e sillte në pah faktin që NATO-fotografia dominohet nga burrat me kostume. Mund të hetohen vetëm katër gra të “shpërndara” në skenën fotografike. Kryeministrja daneze Frederiksen, Presidentja e Maqedonisë së Veriut Siljanovska-Davkova, Kryeministrja islandeze Frostadottir, aty jo larg Kryeministreshes italiane Meloni.
Disa info-detaje nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga NATO-ja, më shumë janë diç si thashetheme event-uale, por ne po i sjellim dhe ato. Për shkrepjen e kësaj fotoje historike të NATO-s u deshën thjesht ca sekonda, mirëpo do i shërbejë historisë denjësisht dhe përgjithmonë. Sipas fotografit, shkrepja më e bukur e seancës pati qenë kjo, me 32 krerët e aleancës, secili pranë tiketës së vet, së bashku me shefin e NATO-s, Rutte, aty në mes.
Presidentit Trump nuk i qe dukur asgjë interesante, tërë kohën rrinte i mërrolur, por dhe nuk është ankuar, ka heshtur stoikisht. Fotoja famoze “familjare” kësaj radhe do i ngelet borxh sidomos Ramës me atletet e bardha, për origjinalitetin, për freskinë, dhe për thyerjen e “kanoneve” fotografike të NATO-s. Sipas opinioneve të ndryshme, fotot e historisë familjare të NATO-s sikur janë ngopur nga “uniformalizmi”, nga këpucëzezët, gjithmonë e përherë për nja gjysmë shekulli të njëjtat kravata, të njëjtat këpucë, të njëjtat çorape, pa asnjë grimë kreativitet.
Organizatorët e foto-seancës, derisa duke i caktuar vendet e “krerëve” (se ku do figurojnë në foton “familjare”), derisa duke i fiksuar tiketat e dyshemes, ia kanë shprehur mirënjohjen Ramës për shmangien e konfliktit, që nuk e bëri të “madhe” pozitën larg italianes Meloni. Fillimisht Rama pati refuzuar, s’donte në rreshtin e parë, kuptohet gjithë ai arushan i madh, 2 m e gjysmë i lartë, s’guxonte askush të fjalosej me të. Sipas thashethemeve jozyrtare Rama s’kishte asgjë kundër rreshtit të parë, me kusht që Melonin ta kishte pranë, sepse sipas tij shans historik, ngjitas në foto me Melonin në “familjen e NATO-s” do vulosej miqësia e madhe shqiptaro-italiane.
As Rama vetë s’e kuptonte pse duhet shtyrë për një foto-vend, sipas tij “no big deal”, kudo t’jetë s’ka problem, “who cares”, edhe diku mbrapa në fund, vetë aq i gjatë, kamera prapë e kapë, spikatet super… thjesht Melonin donte afër ta ketë. Vallë a nuk është padrejtësi Presidentja maqedonase, si shkurtaqe e pikëlluar atje mbrapa. Sidoqoftë, në fund si një xhentilman i madh Rama paskësh hequr dorë, sepse ia paskan sqaruar kompleksitetin e pozitave, s’qenka aspak e lehtë t’i caktosh pozitat optimale të 32 anëtarëve të aleancës.