Romakët si “hajna” : ) – Obeliskët e Egjiptit në Romë!

(s. guraziu – ars poetica, j 2019)

S’është për t’u habitur që Roma është qyteti i obeliskëve, ka më së shumti sosh nga cilido qytet tjetër i botës. E vërtetë që “Gjilpërat e Kleopatrës” ndodhen në Paris, Londër e Nju Jork, mirëpo Roma ua kalon të tre këtyre mega-poliseve së bashku, pasi i ka jo më pak por 8 obeliskë origjinalë nga Egjipti dhe 5 obeliskë romakë (kopje, ose ripunuar nga vetë romakët, sipas “mostrës” egjiptase – madje ka dhe disa obeliskë modernë, punuar në kohët më të reja).
Një numër i perandorëve romakë i kanë sjellur dikur obeliskët nga Egjipti i largët, sidoqoftë pas periudhës romake pothuajse të gjithë obeliskët qenë zhdukur nën rrënojat. Nga koha e Renesansës e këndej obeliskët gradualisht janë instaluar rishtas nëpër qytet, dhe kjo veçmas me meritën e Papës Sixtus V, i cili do të investonte në projektimin dhe në rindërtimin e shesheve të mëdha.

Obelisku më i njohur është ai në sheshin e Shën Pjetrit, fillimisht qe sjellur në Romë nga perandori Kaligula. Thuhet se ky obelisk ka një vlerë të veçantë historike për krishterimin, pasi qëndronte në mes të Qarkores së Neros, ku Shën Pjetri dhe shumë të krishterë të tjerë e gjetën vdekjen. Obelisku më vonë u zhvendos në një vend qendror në sheshin e Shën Pjetrit, për shkak të ndërtimit të bazilikës së Shën Pjetrit, nën Papën Sixtus V. Obelisku i Vatikanit qe ringritur në v. 1586 nga arkitekti i Renesansës Domenico Fontana. Dhe është i vetmi obelisk që u pati “shpëtuar” rrënojave, që nga antikiteti pati ngelur gjithmonë stoik mbi tokë.

Obeliskët e sjellur (“vjedhur” : ) nga Egjipti

1 – Obelisku “Lateranen”, ndërtuar nga faraonët Tutmoses III / Tutmoses IV, i lartë 32.18 m (së bashku me bazamentin, 45.70 m)
2 – Obelisku “Vaticano”, s’dihet kush ta ketë ndërtuar (ndoshta Amenemhat II ?), i lartë 25.5 m (së bashku me bazën, rreth 40 m)
3 – Obelisku “Flaminio”, ndërtuar nga Seti I / Ramses II, i lartë 24 m (me bazën 36.50 m)
4 – Obelisku “Solare”, ndërtuar nga Psametikus II, i lartë 21.79 m (me bazën 33.97 m)
5 – Obelisku “Macuteo”, ndërtuar nga Ramses II, i lartë 6.34 m (me bazën 14.52 m)
6 – Obelisku “Minerveo”, Apries ?, i lartë 5.47 m (me bazën 12.69 m)
7 – Obelisku “Dogali”, ndoshta nga Ramses II ?, i lartë 6.34 m
8 – Obelisku “Matteiano”, ndërtuar nga Ramses II, i lartë 2.68 m (me bazën 12.23 m)