(senad guraziu – ars poetica, korrik 2025)
…”analfabetët e shek. XXI nuk do jenë ata që s’dinë shkrim-lexim, por ata që s’mund të mësojnë, të çmësojnë dhe të rimësojnë” – Alvin Toffler (1928-2016)
***
Edhe pse e kemi fjalën për politikat, megjithatë le t’ia fillojmë fare “jashtë” politikave. Gjithçka e universit pakashumë është diç si “përzierje” elementesh kimike, ashtu jemi dhe ne vetë si krijesa (ne vetë si njerëz ~70% jemi ujë etj etj. Jemi diç si lloj-lloj çudirash kimike bërë bashkë (sidomos karboni i pazëvendësueshëm, është diç si “mielli për bukën”). Shkurt, jemi diç si “kryqëzime” organike + inorganike, dhe s’duhet harruar rreth ~70% ujë.
Apo siç e dimë Gregor Mendel konsiderohet “babai”, themeluesi i gjenetikës moderne, pikërisht duke iu falënderuar eksperimenteve me “kryqëzimet”. I kryqëzonte bimët në kopshtin e vet, jo trangujt, s’i pati vajtur mendja, por i pati studiuar bizelet i pati bërë “ujë”. Shkurt, falë kryqëzimeve, tashmë me plot të drejtë “baba i gjenetikës”!
Apo, bie fjala, nëse t’i kryqëzonim ca ingrediente të ëmbla – meqë ra fjala, pak mjaltë, qumësht, sheqer, çokollatë, vezë etj… ku ta dimë tani si bëhen tortet – por do e kishim 1 torte fort të shijshme, njami-njami. Rishtas, imagjino nëse t’i kryqëzonim 1 luan, 1 gjarpër, 1 ujk, 1 drangua a kulçedër… 1 diç tjetër, ku ta dimë tani çfarë tjetër, do e kishim mbase 1 Kimera, një përbindësh të mitologjisë, mos pyet, jashtëzakonisht të llahtarshëm. Shpesh në mitologji ashtu ia bënin, merreshin me lloj-lloj eksperimentesh.
Andaj pse t’mos “kryqëzohen” gjërat dhe në politikat, pse t’mos eksperimentohet me gjithçka të mundshme + të pamundshme nga spektri i shkencave sociale. Psh. për t’i kuptuar ca gjëra të pasqarueshme mjaftueshëm deri tani (që s’dihet shumë për to), ekspertët dhe studiuesit e adhokracisë sugjerojnë për modelin që i bashkon adhokracinë + byrokracinë = (për ta patur) byro-adhokracinë.
Mirëpo imagjino, çfarë nëse t’i kryqëzonim 3 këso çudirash, nëse adhokracisë + byrokracisë t’ia shtonim dhe autokracinë. Dmth. adhokracia + byrokracia + autokracia = baraz me çfarë? S’e kemi idenë me çfarë barazohet, sepse me këtë kryqëzim-eksperiment ende s’është marrë kush, thjesht si eksperiment ideatik, ideja jonë shakalogjike ishte e 1-ra.
Por e dimë që dhe vetëm autokracia fillikat, mozomokeq, aspak mirë, apo jo. E dimë se është një formë qeverisjeje në të cilën pushteti absolut mbahet nga kreu i shtetit dhe, apo i qeverisë, 1 kokë e vetme vendos për gjithçka, 1 person, i njohur si autokrat. E dimë se autokracia i përfshin disa nga format e monarkisë (pothuaj të gjitha), dhe të gjitha format e diktaturës, pa përjashtime.
***
Nëse e keni vërejtur (apo më mirë, vallë kush s’e ka vërejtur, qëkur madje dhe unë e kam vërejtur, ndoshta dhe fëmijët e kanë vërejtur, aq e lehtë të “vihet re”) sidomos nga fillimi i 2025 e këndej – dmth. duke e lënë fare mandatin e parë, s’na duhet gjë, Presidenti Trump kurrë s’i thotë gjërat qartë. Jo “paqartësi” në kuptimin se gjoja fjalori politik dhe formulimet retorike të tij na qenkan mos pyet, tejet të avancuara. Vetëm diplomatët e rryer ia dilkan ta kuptojnë direkt – përndryshe askush. Paqartësia e tij është ndryshe, dhe e qëllimshme. Aq shpesh kërcen madje nga “këtu” hooop fare diku “tjetër”. Aq shpesh, fjalët e tij nuk e “përbëjnë” ndonjë fjali të plotë, ngelin gjysmake… sepse sakaq i shkrep “ideja” diku tjetër dhe hooop kërcen si ndonjë palabra-kanguru (palabra nuk mendova pollavra, por dmth. fjalë=palabra, spanjisht : )
Në rastet tjera, ca gjëra aty-këtu thuase i sqaron me gjuhën e kalamajve, madje i përsërit, i ripërsërit aq sa bëhet bajat, i teket ashtu, si çekan i “drejtësisë” buuum fare në thelb, me dy fjalë shkurt e troç. Dhe bukur kjo, sepse tekefundit e kemi qartësinë, s’ka asgjë më bukur sesa qartësia kristal. Fjalët e vërteta dhe gënjeshtrat, e dimë se kanë dallim – por nuk e patëm fjalën aty, na pëlqejnë madje dhe gënjeshtrat e politikanëve, me kusht që t’jenë të qarta, kristal. Paçka se dhe këto huje të troçësisë, më shumë janë diç si reflekse të ego-arrogancës së tij (thuase i kanë ngelur ca vese që nga kur merrej me “TV-aprendizat”… shkurt e troç, “you’re fired” – “I’m the TV-dragon, and this is my fire” : )
Sa herë i pëlqen, sa herë i teket ndryshe, ofron thjesht abstraksione, s’ka qartësi në fjalët e tij, përveç diç si “probabilitet” të çuditshëm. As konciz, as i qartë, përkundrazi, impenjohet që t’jetë sa më konfuz dhe i paqartë. Askush s’e ka idenë se çfarë “tha mirëfilli”, sapo e tha, e dëgjuam të gjithë, veshët e mprehtë, kamerat e inçizuan korrektë, por ec e merre vesh çfarë tha. Gazetarët e ngratë shënojnë në bllokun e tyre sepse e dinë (janë mësuar tashmë), patjetër do raportojmë, për atë punë paguhemi, edhe pse s’e kemi idenë sot. Mirëpo do jetë diç si “kod”, që lidhet me ndonjë tjetër “kod” të së nesërmes.
Kur ndonjëra nga pyetjet e rastit i pëlqen, apo nëse përputhet me gjërat që ai vetë i ka për qejf, flet madje dhe gjysmë ore, nuk ndalet, vazhdon e vazhdon, ku hyn e ku del, s’di të ndalur me ego-lavdinë. Nga ndonjë aso pyetje “djegëse… spec” sakaq ngryset, pa një pa dy revanshohet me sarkazmin e verdhë si flokët e vet, i përbuz, i diskrediton gazetarët, pa përjashtime. Mirëpo, në përgjithësi, edhe kur përgjigjet, nëse bëhet fjalë për të “ardhmen”, për të “nesërmen”, nëse pyetja lidhet me veprimet a vendimet që do vijnë… pothuaj gjithçka që thotë, ngelet e paqartë, “abstraksion a la trumpistik” (po e quaj ashtu : ) sepse s’ka strategji koherente, asgjë të “kornizuar”…
Le ta ilustrojmë psh. me rastin pak kohë para bombardimit të Iranit (që duhej t’i hidhte ato bombat penetruese të bjeshkëve), iku nga samiti në Kanada papritmas, parakohshëm, për t’u kthyer në ShBA, për “t’u marrë me çështje emergjente” në Shtëpinë e Vet, rreth sulmeve ping-pong izraelite-iraniane me raketat. Mediat vlonin gjithandej, 1 milion e 1 pyetje ia shtronin gazetarët, reporterët, mediat komplet, por ai si një çukapikth, çak këtu, çuk atje, çuk andej, çak këndej… sorry u thoshte, çfarë do bëj e di vetëm unë. Apo më saktë, dhe në fakt, s’e dinte as ai vetë, sepse s’kishte si ta dinte, sepse ashtu funksionon mendja e tij, qëkur dhe në sekondën e fundit mund ta ndryshonte mendjen.
Dmth. mendësi “ad hoc”, psikologjisje “ad hoc”, vendime “ad hoc”, veprime “ad hoc”, gjithçka “ad hoc”… pakashumë sipas idesë shohim e bëjmë, nuk shohim dhe bëjmë, shohim dhe nuk bëjmë (apo bëjmë – ju s’keni si ta dini), bëjmë-bëjmë pastaj shohim dhe rishtas bëjmë e kështu pafundësisht : )
***
E dimë se është diç komplekse, por ç’është adhokracia – si ta rrumbullakësojmë më së thjeshti, si ta kthejmë në një “amebë” të kuptimtë?
Nëse të thoshim shkurt, wikipedia = adhokracia, do ishte mjaft e saktë – sipas meje mjaft e qëlluar vërejtja e akademikëve se institucioni modern internetik Wikipedia është diç si një adhokraci, si një shembull tipik i adhokracisë moderne. Vetë si joekspert, pavarësisht se nuk më pyet kush, pajtohem pa ndonjë hezitim me vërejtjen e akademikëve : )
Përndryshe ia thuhet se adhokracia është një formë e organizimit elastik, super-elastik, pothuaj amorfik, pothuaj njësoj siç është e adaptueshme “ngjyrësia” kameleonike, organizim i adaptueshëm dhe informal. Dhe pra meqë i përcaktuar nga mungesa e strukturës formale, organizmi i tillë angazhon njësi (pune) apo ekipe të specializuara multidisiplinare, grupuar sipas funksionit. Ves tipik wikipedia-tik, apo jo, përputhet super me definicionin… mirëpo neve na duhet më shumë aspekti politik, jemi duke provuar për ta “kornizuar” trumpizmin si shembull i adhokracicë politike.
Adhokracia është diç si sistem i sjelljes adaptive, kreative, integruese, pothuaj si veset e “virusëve” që pritet të adaptohen spontanisht me cilindo ambient a rrethanë, sado “armiqësor” t’jetë ambienti i ri, virusët është supozuar t’ia dalin të mbijetojnë. Adhokracia është fleksibilitet i bazuar në jopërhershmëri dhe spontanitet. Mendohet se të tilla karakteristika ia lejojnë adhokracisë t’u përgjigjet “rrethanave” më shpejt se organizmat tradicionalë burokratik, andaj dhe është sistem më i hapur ndaj ideve të reja.
Për t’funksionuar, adhokracia vepron në mënyrë të kundërt me byrokracinë. Hm, në dukje bukur por s’duhet ngutur, në dukje sikur tingëllon “ëmbël”, diç pozitive, tingëllon pozitivisht sepse e “kundërshtuaka… në mënyrë të kundërt me byrokracinë”. Ose tekefundit adhokracia “ndryshe” nga byrokracia, sakaq sikur pandehim jo medoemos duhet menduar keq, jemi pozitivë dhe duhet pozitivitet, ndoshta sadopak më mirë do jetë, qëkur e dimë byrokracia kurrë mirë, gjithmonë ta shpif.
Po ashtu, termi “adhokraci” na shtynë të mendojmë dhe rreth etimologjisë, sepse mjaft fjalë e “çuditshme”. Termi është një kombinim heteroklitik i dy fjalëve, diç si ‘portmanteau’ i termit nga latinishtja ‘ad hoc’ (që nënkupton ‘për qëllim, për rastin, për qëllim të këtij rasti’ – të cilin e përdorim aq shpesh, apo jo, ashtu siç është, ad hoc), si dhe i prapashtesës -kraci, e që vjen nga greqishtja e lashtë (kratein) dhe do t’thotë “të qeverisësh”. Dyzim-portmanteau ngjashëm siç dhe termi ‘demokraci” por në këtë rast ngjiten 1 fjalë e latinishtes dhe 1 tjetër e greqishtes, andaj dhe paksa term heteroklitik, sepse sikur nuk i “përfill” ca rregullore të kombinimit të termave.
Thuhet se termin e pati ‘farkuar’, e pati përdorur për herë të parë Warren Bennis, në një libër të vetin, në v. 1968. Pastaj, vetëm 2 vite më vonë, autori Alvin Toffler (1928-2016) e popullarizoi termin, në librin e tij “Future Shock” (nuk di nëse, dhe si është përkthyer në shqip – ashtu si përkthim i lirë, Tronditja e Ardhmërisë), në v. 1970.
Në këtë libër (anise ishte dhe dikush tjetër, ishte bashkautorësi) Toffler e përcaktoi termin “tronditje e ardhmërisë”. Sipas tij diç si gjendje kjo e caktuar psikologjike, si përceptim personal i individëve dhe i shoqërive të tëra, ardhur për arsye të “ndryshimit të tepërt, në një periudhë tepër të shkurtër kohore”. Që atëherë termi është përdorur në teorinë e menaxhimit (të organizatave), e po ashtu si koncept termi ‘adhokraci’ do zhvillohej më tej nga akademikë si Henry Mintzberg, Robert Waterman etj.
Ndaras kga kjo, pa u shmangur aq nga tema, po e cekë se një thënie e autorit Toffler, ca vite më parë pothuaj sa nuk e pati “fituar” favorizimin tim, dmth. t’bëhej citati më i mençur, më favorit i të gjitha kohërave – sepse vërtet ende s’e kam zgjedhur thënien “favorite”, pothuaj gjithkush do e ketë ndonjë të “zgjedhur” unë jo, ende s’kam as të dashur “favorite” (siç i kishin pashallarët psh. Ali Pashai, apo dhe vetë Sulltani) e po ashtu ende s’kam as mençuri favorite – kjo e Toffler ishte në buzë të fitores : )
Nëse jeni kureshtarë “cila thënie, dhe pse” – atëherë ja, do e sqaroj, thënia e tij për të cilën e pata fjalën, thotë si vijon: “analfabetët e shek. XXI nuk do jenë ata që s’dinë shkrim-lexim, por ata që s’mund të mësojnë, të çmësojnë dhe të rimësojnë”. Sipas meje mençuria e Toffler i përshtatet në mënyrë të përkryer adhokratizmit + trumpidentizmit + shek. XXI (në të cilin jemi), ja pse nuk është “shmangie” nga tema.
Adhokracia i ka sa të duash anë negative, sidoqoftë, ekstremizmi në veprimet e sugjeruara, dhe të ndërmarra, kërcënimet ndaj demokracisë dhe ligjshmërisë (që rrjedhin nga profili i adhokracisë – siç psh. aq shpesh ndodhë në rastin e Trump) janë ca nga anët negative më të spikatura. Për t’i adresuar këso probleme, ekspertët dhe studiuesit sugjerojnë modelin që i bashkon adhokracinë + byrokracinë = byro-adhokracinë.
Thuhet se ka dy lloje të adhokracive, njëra duke qenë “adhokracia administrative”, i cili lloj mendohet se e “paraqet një bërthamë operative autonome, zakonisht (për)brenda një burokracie të institucionalizuar, si departament qeveritar apo dhe si ndonjë agjenci e përhershme”. Si dhe lloji i 2-të i adhokracisë mendohet se bën të quhet diç si “adhokraci operative”, kjo adhokraci është më e fokusuar, më shumë “klienteliste” i zgjidh problemet në emër të klientëve të caktuar.
***
“Duke e përqafuar adhokracinë, presidenti në detyrë ka zgjedhur një stil qeverisjeje që i përforcon dobësitë e tij dhe i rrit shanset për gabime të mëdha – presidentët anojnë kah një sistem që ata duan, jo kah sistemi që u nevojitet” – pati shkruar Richard Haass, në v. 2017, duke aluduar dmth. në Presidentin Trump.
“Rreziqet e adhokracisë janë të shumta.” – vazhdon Haass – “Pasojat e zgjedhjes së një opsioni të caktuar shpesh nuk vlerësohen paraprakisht në plotësinë e duhur. Prioritetet as nuk vendosen as nuk mirëmbahen – kompromiset shpesh anashkalohen. Zbatimi i vendimeve bëhet sa më shkurt (jo i plotë). Çështjet rishikohen, jo për arsye të mira, por sepse një dikush i caktuar nuk është i kënaqur me atë që është vendosur dhe e bind presidentin se vendimi duhet të përmbyset. Një sjellje e tillë mund të çojë shpejt drejt një “vërshimi” informatik. I gjithë procesi kërkon shumë nga presidenti, i cili në fakt vepron si kryeshef i stafit të vet”.
Që në hyrje të artikullit të vet, autori Haass e përdorte një citat nga Arthur Schlesinger (lidhur me presidentin e 32-të të ShBA, Franklin D. Roosevelt) “Teknika e tij e preferuar (qeverisëse) ishte t’i mbante dhëniet e autorizimeve të paplota, juridiksionet të pasigurta, kartelat ligjvënëse të “gërshetuara” (jo të qarta). Rezultati i kësaj teorie konkurrim-sjellëse të administrimit ishte shpesh konfuzion dhe acarim në nivelin operativ.” – Schlesinger ka shkruar kështu për Presidentin Roosevelt, dhe tashmë autori Haass (ende pa e sqaruar se kend ishte duke e cituar) u thotë lexuesve nëse mendoni se kjo ishte për Presidentin Trump, epo do ishit gabim, jo, ishte konkluzioni i Schlesinger për “metodat qeverisëse” të Roosevelt.
Dhe dmth. elemente adhokratike ka patur gjithherë dhe gjithandej (donte të thoshte autori Haass), nuk janë “shpikur” nga administrata e Trump, siç e dimë i përdornin madje dhe romakët (psh. perandori Kaligula – kësaj do i qasemi më poshtë, duke i sjellur ca vështrime të autorit holandez, Henri van Nispen), e po ashtu njihen forma të hibridizmit të byrokracisë + adhokracisë = duke rezultuar në diç si “byro-adhokraci” (si term, që përdoret gjithashtu).
Tutje, autori Haass, në artikullin e vet (2017) i pati cekur dhe detajet si vijon: “Adhokracia tenton ta nënvizojë pozicionin dhe autoritetin unik të presidentit, (adhokracia) e vendos atë në një pozicion dominues ku ai mund t’i shpërblejë anëtarët e stafit dhe t’i penalizojë të tjerët, por dhe t’i pozicionojë anëtarët e stafit kundër njëri-tjetrit. Adhokracia në përgjithësi nuk zgjedhet me “vetëdije” për shkak të avantazheve të saj relative, por përkundrazi përshfaqet si një pozicion i paracaktuar që i pasqyron prirjet e presidentit, dhe atyre përreth tij |…|Administrata Trump është karakterizuar nga adhokracia gjatë muajve të saj të parë. Iniciativa që e kufizon imigracionin është një shembull konkret. Politika e re (rreth emigracionit) nuk qe verifikuar plotësisht brenda administratës.”
***
Autori tjetër, Alvin Toffler mendon se “adhokracitë do t’bëhen të zakonshme, më të zakonshme (në të ardhmen) se ç’janë tashmë, dhe ka të ngjarë ta zëvendësojnë burokracinë”. Sipas Toffler, adhokracitë “më shpesh do t’shfaqen në formën e një strukture të përkohshme, formuar për ta zgjidhur një problem të caktuar, dhe më pas qasja adhokratike shpërbëhet”.
Vetë s’jam i sigurt si duhet kuptuar kjo, por nëse do ta sillnim ndërmend DOGE (atë bujën e madhe, nëse i kujtojmë “motosharrat” kundër federalizmit byrokratik të Elon Musk), dhe nëse e marrim si shembull të një “task force” ndër-departamentale, atëherë i bie se ka kuptim dhe Toffler do ketë aluduar në këso shembuj, “it makes sense” : ) do thosha.
Ngjashëm si Toffler, edhe autori Henry Mintzberg adhokracinë e konsideron si diç të së ardhmes, ndërsa burokracinë si një gjë të së tashmes, të së kaluarës. Mua vetë, sa për zhdukjen e byrokracisë, personalisht sikur s’ma merr mendja : ) s’më mbushet mendja se byrokracia do zhduket ndonjëherë. Sipas meje s’ka shans, vetëm sa do bëhet më komplekse, do ketë formash tjera, ndoshta dhe totalisht amorfike, por assesi të “zhduket” as zëvendësohet.
Për autorin Henry Mintzberg adhokracia është një formë organizative komplekse dhe dinamike, kuptohet se është e ndryshme nga burokracia. Nëse implemtohet mirë e siç duhet, adhokracia mund t’jetë e mirë për zgjidhjen e problemeve dhe mundëson që inovacioni të lulëzojë në mjedise të larmishme. Adhokracia (e “idealit” a la Mintzberg) kërkon sisteme teknike të sofistikuara, dhe shpesh të automatizuara, për t’u zhvilluar dhe lulëzuar.
Sipas Mintzberg disa nga “karakteristikat” relevante adhokratike do ishin: strukturë sa më shumë organike (elastike) – standardizim të ulët ose fare standardizim të procedurave – specializim sa i përket punës (por jo patjetër bazuar në trajnim formal) – specializim horizontal i punës – tendencë për t’i grupuar specialistët në njësi funksionale (për qëllime menaxheriale), tendencë për t’i caktuar specialistët e fushave të ndryshme në ekipe të vogla, dhe për t’i koordinuar projektet e tyre nga një “pult” i vetëm centralist – role të papërcaktuara qartë – decentralizim selektiv – kulturë e bazuar në punë jo-burokratike – zhvendosje të pushtetit në ekipet e specializuara… etj.
Ndërsa autori Robert Waterman e përcakton adhokracinë si “çdo formë organizimi që i tejkalon linjat normale burokratike për t’i kapur mundësitë momentale, për të zgjidhur problemet ‘ad hoc’ dhe për t’i vjelë frutat, rezultatet e çastit”. Vërejtja e Waterman, pothuaj 100% tipike si përshkrim i veseve trumpidentike, thuase i “përshtatet” aq saktë trumpidentizmit – vallë si e dinte Waterman : ) Sipas Waterman, “ekipet adhokratike duhet t’jenë mjaftueshëm të mëdha për t’i përfaqësuar të gjitha pjesët e burokracisë (që do preken nga vendimet e tyre, nga veprimet politike-adminsitrative), por megjithatë mjaftueshëm të vogla, në mënyrë që këto ekipe ta kryejnë punën me efikasitet”.
***
[ vijon me pjesën 2 – diç si analizë rreth librit të Henri van Nispen – “Udhëheqja Adhokratike e Perandorit Kaligula” ]
Perandori romak Kaligula përgjithësisht konsiderohet si rast prototipik i çmendurisë perandorake. Udhëheqja e tij u shënua me demonstrime të fuqisë, me manipulime të shoqërisë, me krijim të pasigurisë… dhe me mjaft kontradikta. I karakterizuar për vendimmarrjet arbitrare dhe për ushtrimin personal të pushtetit, perandorllëku i perandorit Kaligula nuk përshtatej me kontekstin unik të sfidave të paraqitura nga senati. Përpjekjet e tij për ta konsoliduar pushtetin do çonin në situatash konfliktuoze dhe në fund në vrasjen e tij. Autori van Nispen i identifikon dy faktorë kryesorë: kushtetutën e përzier augustiane e cila e thekson konsensusin dhe prejardhjen e Kaligula (si fisnik, si elitar i Romës), të cilën kushtetutë ai e manipuloi për ta pohuar statusin e vet “hyjnor”. Nga përspektiva e tashme, e lehtë t’na duket pothuaj qesharake, nga njëra anë perandor dhe dmth. është supozuar lidership me “mendje të shëndoshë”, nga ana tjetër është fakt që Kaligula pandehte se ishte zot a hyjnor, një lloj “çmendurie” që do e sillte dhe vrasjen e tij… gjithsesi, derisa narrativat konvencionale mbretërimin e Kaligula shpesh e etiketojnë thjesht si ‘çmenduri’, Van Nispen i riformulon veprimet e tij brenda kontekstit të udhëheqjes adhokratike. Dhe në këtë vazhdë, në librin e tij i sjell paralelizimet adhokratike “Trump – Kaligula”…
| – – –

