(s. guraziu – ars poetica, 4 k 2025 – koment, përsiatje, klithmë për paqen dhe për humanizmin në Gaza)
Ngjitur: mbretëresha Zenobia, dhe një hartë e mbretërisë së saj, pikturë e H. G. Schmalz – “Zenobia, Mbretëresha e Palmirasë”, 1888 – piktura e pasqyron mbretëreshën e famshme Zenobia, mbretëresha që e sfidoi Romën e madhe, me artin piktural e përshfaqur duke medituar, shikimi i saj sikur i tretur diku larg në “horizontin” e mbretërisë, e pllakosur nga pikëllimi, nga dëshpërimi e nga revoltizmi (grushtat e saj shihen “mbledhur”), pak çaste para se t’ia “dorëzonte” perandorisë Romake jo vetëm qytetin e bukur Palmira por gjithë mbretërinë e vet, më poshtë tek shkallët shihet mbase dikush nga oficerët, mbase të gardës personale të mbretëreshës, duke e pritur – apo dhe oficer romak, duke e përcjellur, meqë shihen duart e saj në prangat e florinjta.
Zenobia i pati konsoliduar dhe zgjeruar arritjet e dikurshme (të burrit të saj, ndaj Persianëve), edhe Zenobia qe shquar me diplomatikat e shkëlqyera, por dhe duke e shfrytëzuar plogështinë romake etj etj. duke i përdorur të gjitha mjetet e mundshme që i kishte në dispozicion, e pati zgjeruar mbretërinë, bie fjala me territoret e Egjiptit, Turqisë etj.
***
Harta ngjitur në të djathtën e pikturës (pasqyrë e v. 280-300 të e.s., e huazuar nga National Geographic) si për ironi të luftrave sot në ato rajone, si për ironi të trazirave politike moderne, të mosmarrëveshjeve, harta s’e ka “Izraelin” as “Palestinën”, ose më mirë e thënë, mbretëria e Zenobia “shtrihet mbi to”, sepse gjithçkaje i pati dhënë fund Roma. Që nga v. 70 e.s. kur tempujt në Jerusalem do shkatërroheshin nga romaket, e deri në v. 1948 të historisë së re (me themelimin e Izraelit), bota sikur kurrë s’mund të “lahet” nga mëkatet për padrejtësitë ndaj tyre. Personalisht, ishte dhe ngelet skajshmërisht e pakapërthyeshme padrejtësia ndaj popullit hebraik, sikur askush s’më “dhimbset” më shumë në kuptimin kolektiv. As vetë populli im, sikur as shqiptarët s’më dhimbsen më shumë, sepse njësoj, popujt-popuj, çfaj na paskan popujt.
Është diç si pikëllim “humanistik”, gjithsekush do e ndiejë dhimbjen, keqardhjen, secili në mënyrën e vet, bie fjala edhe shqiptarët mjaft të përvuajtur gjatë historisë, edhe historia e tyre mozomokeq, s’pati qenë as “korrekte” as e mëshirshme – hebrenjtë sot gjithandej, kudo që ndodhen, e edhe në Amerikë janë të vetëdijshëm, kudo që janë të gjithë e dinë dhe u janë mirnjohës shqiptarëve për humanizmin e tyre gjatë L. II Botërore (nëse s’gabohem 40-60% të hebrenjëve sot jetojnë në Izrael, të tjerët akoma nëpër botë, si diasporë, gjithandej). Pastaj një gjysmë-shekulli më vonë historia do i rrotullonte “ironitë” e veta, do ishin pikërisht hebrenjtë ata që do ua kthenin të mirat shqiptarëve. Jo vetëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë por dhe në përgjithësi, politikisht e edhe ndryshe, për shqiptarët kudo, sikur dhe për Shqipërinë “londineze”, nuk është kursyer ndihma e miqëve.
Sipas z. Natanjahu, humbja e tokës së tyre pati ndodhur rreth shek. VII, tek kur pushtimet e botës arabe patën qenë në vlugun. Kjo tragjedi e madhe e popullit hebre (si “çrrënjosje”, si shkulje nga tokat e veta shekullore dhe për t’u degdisur gjetiu nëpër botë) nuk pati ndodhur nga askush më parë, kurrë gjatë historisë, as nga Aleksandri i Madh, as nga Roma… nga askush tjetër, por kjo tragjedi pati ardhur vetëm nga pushtimet e arabëve.
Tragjeditë e popujve nuk paralelizohen me asgjë, njeriu, si qenie humane, si krijesë e arsyeshme, si qenie e ndieshme, pikëllohet sepse s’ka dallim, popujt popuj… njësoj. Personalisht, në kuptimin humanist gjithmonë e kam ndjerë keqardhjen për padrejtësitë ndaj popullit hebre, dhimbja përherë ishte prezente, mirëpo dhimbja dhe keqardhja ime nuk do t’thotë që duhet të pajtohem për veprimet politiko-iushtarake të z. Natanjahu sot. Assesi jo, nuk pajtohem me veprimet e tij, nuk pajtohem kurrë me vrasjet e tij (jo tashmë nga ai vetë, por nën komandën e tij – s’është ndonjë engjëll që s’ditka, edhe ai vetë ishte ushtarak, ka vrarë dhe ka luftuar për t’mbijetuar.
E njohur më është, kam lexuar, por dhe e kam dëgjuar disa herë z. Natanjahu duke i “mbrojtur të drejtat historike” të popullit hebre, dhe dmth. duke i justifikuar mjetet, stretegjitë politike dhe veprimet e veta, përfshirë ato “luftarake”. Në rastin më të fundit, që e pata përcjellur sadopak më gjerësisht, pati qenë një intervistë e tij me z. J. Peterson, 2022, mbi një orë e pata dëgjuar). Sipas meje, z. Natanjahu NUK ka si ta ketë 100% të sigurtë vërtetësinë lidhur me ato pikëpamje (siç ia sqaronte botës, duke thënë se palestinezët e kanë falsifikuar historinë dhe gjithçka (ai po ashtu prore e cekte se të gjitha i ka sqaruar në librat e vet).
Natyrisht ai do i mbrojë të drejtat historike dhe kauzat e Izraelit, kauzat e popullit të vet, do i mbrojë politikat dhe opinionet e veta, besimet e veta, idealet e veta, por mendoj z. Natanjahu nuk ka të drejtë për shumçka që thoshte (gjatë intervistës) sepse as “filistinët” as populli izraelit s’ishin në ato treva (sot quajtur Palestinë) – për të cilat treva si djerrina pa njerëz ai insistonte aq shpesh në intervistën me z. Petereson.
Është histori që nuk njihet nga askush me “fakte”, histori që s’ka mbulesë të mirëfilltë historiografike, as arkeologjike, dhe kështusoj as shkencore. Duke i “gërshetuar” rrëfimet historike, legjendat religjioze dhe politikat e së tashmes, nëse t’ishte ndonjë bisedë sy më sy, në veten e parë do i thosha: mendoj se për shumë gjëra as ju vetë s’e keni idenë z. Natanjahu. As z. Peterson vetë nuk e ka denjësinë për t’i shitur moral botës mbarë, përveç se ta “mbrojë doktrinën e krishterë” për botën e krishterë, doktrinë për të cilën ai impenjohet dhe “mishërohet” filozofikisht. Mirëpo z. Peterson s’e ka denjësinë akademike t’u shesë moral kinezëve, indianëve, arabëve, askujt tjetër në fakt, përveç të “djathtes” perëndimore, përveç t’i përkrah trumpizmat dhe politikat tuaja z. Natanjahu. Andaj mendoj se bota nuk jua jep të “drejtën” për vrasjen e një populli të tërë, përkundrazi bota ju DËNON, asgjë e historisë nuk justifikohet me aktet gjenocidale të së sotmes suaj, me vrasjet dhe me dehumanizimin e fëmijëve dhe të nënave në Gaza.
Jo z. Natanjahu, më dhimbset populli i juaj për 2000 vjet padrejtësi dhe për gjithçka që është bërë në kurriz të popullit tuaj, më vjen tmerrësisht keq për gjithçka të historisë. Më vjen keq dhe për secilin popull të kësaj bote, më vjen keq dhe për apaçët dhe për gjithë indigjenët e shfarosur nga kolonialistët spanjollë, portugezë, anglezë… nga e gjithë Evropa. Madje më vjen keq dhe për padrejtësitë historikisht të “freskëta” të Evropës, jo dhe aq të moçme, jo më larg se para 1 shekulli z. Natanjahu, Evropa e ndau popullin tim në “dysh”, dhe jo vetëm në “dysh”… por duke i vizatuar hartat ballkanike sipas qejfit të fuqive të kohës. Duhet t’ma besoni se më vjen tmerrësisht keq për gjithçka gjatë historisë së popullit tuaj, por nga unë nuk e keni “pajtimin” për veprimet tuaja politike-luftarake, mund t’hesht Evropa por unë do jua them mendimin tim, do jua shpreh indinjatën time.
Natyrisht, aq ju bën juve për “mospajtimin” tim”, ju i keni planet dhe strategjikat tuaja, ju mund t’i vrisni 60.000 palestinezë me “pretekstin” për t’i shfarosur 1000 hamas-terroristë që fshihen, që rrinë “kamufluar” ndër 2 milionë palestinezë. Andaj duhet vrarë 60.000 për t’i gjetur 1000, ky është justifikimi i juaj, për juve populli palestinez janë shifra, numra, njësoj siç ishte për 20 vite rresht “justifikimi i Amerikës” për për t’i nisur 7 luftra, për vrasjen e 1 milion njerëzve të pafajshëm në Irak, në Afganistan e gjetiu (në 85 vende të botës). Në emër të 3000 viktimave shkaktuar nga terroristët e Bin Laden, Amerika dhe aleatët perëndimorë ia justifikojnë vetes 1 milion viktima të pafajshme dhe shkatërrime me bombat aneskaj globit.
A e dini z. Natanjahu (mund ta pyesni z. Trump, anise ai mund t’ketë “harruar”) se Brown University e ka bërë një studim ekstensiv të impenjimit njëzet-vjeçar të ShBA në luftën kundër terrorizmit, a e dini që ekspertët e Brown University thonë se për 2 dekada, nga 2001 deri 2021, ShBA u desh të ndërmerrnin aktivitete “anti-terroriste” në të paktën 85 vende të botës. Dhe pas operacioneve në këto 85 shtete numri i viktimave afro 1 milion, kostoja njerëzore, thonë ekspertët e Brown University (ashtu e quajnë, jo unë z. Natanjahu, s’jam marrë unë me studimin) “kostoja” njerëzore ose numri i njerëzve të vrarë drejtpërdrejt në dhunën e luftrave në Afganistan, Pakistan, Irak, Siri, Jemen dhe gjetkë është mbi 929.000.
Kostoja buxhetore e ShBA – thonë ekspertët (për “vrasjen e 1 milion njerëzve të pafajshëm, në 85 vende të botës) i pati arritur 8 trilionë $. A e dini z. Natanjahu se njerëzit e zhvendosur (thonë ekspertët e Brown University me studimet e tyre, jo unë) nga luftërat e pas 11/9 2001, nisur nga Amerika në Afganistan, Pakistan, Irak, Siri, Libi, Jemen, Somali etj… ishin 38 milionë njerëz të zhvendosur. Llogarisni pakëz z. Natanjahu, sa janë 1 milion njerëz dhe cilat janë “justifikimet” e botës perëndimore lidhur me ato luftra. Pastaj po ashtu llogariteni sa janë 60.000 palestinezë dhe 1000 hamas-terroristë që ju ende si gjetët për t’i vrarë, ju ende i kërkoni dhe i “ndillni” 2 milionë pleq, gra e fëmijë në Gazën e tyre të rrafshuar, i joshni me një kafshatë “humanitare” për t’i gjetur terroristët dhe për t’i vrarë, i vratë 60.000 mijë dhe ende s’i gjetët fajtorët terroristë.
8 trilionë $ i kushtuan Amerikës operacionet duke i ndjekur terroristët (dhe atë madje të gjitha “borxh publik”, kosto që do ta paguajnë gjeneratat e ardhshme të ShBA, e edhe gjeneratat tani nën Trumpidentin, gjatë 2 mandateve të tij. Andaj nëse z. Trump merret me shitjen e armëve dhe me “armiqësimin” nga ju të Iranit na qenka super-biznes (për juve dhe z. Trump), pandehni ju z. Natanjahu që bota s’dinë gjë, se u dashka aq shumë mençuri për të ditur kaq pak, pandehni se për 20 vjet bota s’ka nxjerrur asnjë leksion “morali për luftrat tuaja”. Pandehni se ju keni të drejtë (ju patjetër, juve jua justifikon pafatësia 2000-vjeçare e popullit tuaj) por madje dhe z. Peterson nga hiçasgjëja e paqes, si profesor kanadez pandeh se i shitet “justifikimi” i peterson-filozofisë moderne, biznes i madh i z. Trump me armët dhe Peterson s’di asgjë, oportunizma me armët gjithandej… lum e lum si ju, si Amerika, ashtu-kështu jua falë historia.
Natyrisht, aq ju bën juve për “mospajtimin” tim – mjafton ta keni përkrahjen e z. Trump. Tani për tani Presidentit adhokrat të së tashmes amerikane i konvenon sa më shumë shitje armësh, sa më shumë business me juve (edhe ju i keni shitur nja 15 miliardë $ armë, apo jo – për këtë biznes e kishit fjalën në intervistën, e quanit biznes teknologjik, anise ju pandehni se bota do mendojnë Izraeli ka shitur kompjutera e software spiunazhi). Sa më shumë biznes me arabët, tregjet e armëve dhe luftrat i bëjnë mirë “ekonomisë” së Amerikës, sikur dhe ekonomisë suaj. Nuk është se kartat tuaja z. Natanjahu na qenkan aq “sekrete”, sepse as z. Trump nuk e fsheh madhështinë e PLANIT… ai haptas ankohet “Amerika jo Great… duhet Rishtas Great”, prore del me me ca MAGA-kapelash, edhe në G-samitin në Kanada pati vajtur me atë kapelë.
E keni përkrahjen e tij, e keni lobi-përkrahjen e fuqishme të të pasurve të Amerikës, anise dhe vetëm 1 zotëri Zuckerberg (i Facebook) do ju “financonte” mjaftueshëm, dhe vetëm ai mund ta blejë çdo Trump-pasiguri të mundshme. Milionat i zhdukin pasiguritë në kokën e Trump, sepse thjesht një ADHOKRAT është, asgjë më ndryshe, në stilin e perandorit romak Kaligula (ashtu thonë universitetet e Holandës z. Natanjahu, e krahasojnë Trumpin me perandorin Kaligula).
E qartë patjetër se fati tani në anën tuaj z. Natanjahu.
E keni vrarë ndonjëherë mendjen z. Natanjahu, gjithë ata miliarderë, multi-miliarderë të Amerikës dhe s’ditkan si bëhet “America Great Again”, vallë nuk ju duket e çuditshme. Vetëm z. Trumpidenti e ditka si duhet dhe çfarë duhet, sepse ky padyshim i ndjek “leksionet” tuaja të biznesit. Juve ju ndihmoi jo vetëm zgjuarsia diplomatike-politike por dhe FATI, ju ndihmoi madje dhe z. Elon Musk, padashtas e bleu një Trumpident komplet. Jo për t’ju ndihmuar juve z. Natanjahu, por fati juaj e deshi atij i doli diç si keq-llogaritje, tashmë është “penduar” (ndoshta), por ç’e do, pendim i shtrenjtë 250 milionë $. Blerja e Trumpidentit tashmë ju shërben juve dhe industrialistëve të armëve, por vallë si nuk e vrisni mendjen që nesër ndoshta mund t’ju pret Haga, dhe akëcili tribunal i botës së qytetëruar (ndokund tjetër – pse jo, pse t’mos niset një tribunal dhe në Tel Aviv, vetë qyteti dikur qe nisur nga hiçasgjëja, ju e dini fort mirë, mbi ca duna blerë nga arabët, vërtet s’kishte asgjë përveç rërës, pluhurit).
Jo z. Natanjahu, bota zor ta kuptojnë pse Irani do duhej parë si një “Goliath” ndërsa ju Davidi, pse vallë duhet t’i ngatërroni legjendat me politikat e “përgjakura”. Mos vallë pandehni se mund t’i bëni lëmsh dhe ndërgjegjet e 8 miliardë tokësorëve, sot kur gjithkush ju sheh nga sateliti se ç’po bëni në Gaza. Nuk shfaroset asnjë popull në emër të politikës z. Natanjahu, asnjë politikë e kësaj bote nuk justifikohet si vegël gjenocidale. Kujtohuni, përveç izraelitëve, përveç politikanëve të qeverisë suaj, përveç aparatit ushtarak që ju rrethon, bota i ka plus 7-8 miliardë njerëz të tjerë që çuditen me logjikën tuaj. Gjiganti “Goliath” do ishte si metaforë e dikujt që është GJIGANT për arsye të armëve të shumta dhe të avancuara (atë kuptim kishte gjiganti filistin i legjendës suaj, apo jo). Irani nuk i ka 1270 “koka bërthamore” joooo z. Natanjahu, siduket jeni ngatërruar totalisht, por i kanë Rusia 5449 sosh, dhe ShBA 5277 tmerre bërthamike. Dhe po, vetëm këto 2 A-ja të atomikës janë “MAXI-TMERR”… të tjerët rrotull janë diç si “MINI-tmerre” z. Natanjahu, një i tillë “MINI-TMERR” jeni dhe ju vetë.
Vetëm 2 MAXIATURA të tmerrshme i ka bota (me 11.000 tmerre atomike, e keni llogaritur këtë z. Natanjahu), këto 2 A-ja po, këta do mund t’ishin “Goliath”, tmerr futurist i mbarë njerëzimit, secili prej tyre tashmë diç si GOLIATH i fjetur. Jo ndokush tjetër, jo Irani, vallë si na qenkan “Goliath” gazanët, pikërisht aty në Gaza dikur moti kur patën zbarkuar “filistinët”, atëbotë edhe fiset e popullit tuaj patën zbritur diku nga malet që t’përballeshin me ta. Sipas juve Davidi e pati mundur gjigantin “Goliath” mirëpo ishte një bari ordinerë, e pati fituar duelin me çomangë dhe me lëngun magjik të perëndisë (diç ngjashëm siç Asterix-i i Galisë i grushtoste romakët, i bënte lesh centurionët e Romës). Davidi pati fituar me ndihmën e perëndisë thotë legjenda (ky do duhej t’ishte “mesazhi” i legjendës, apo jo).
Sepse përndryshe, nëse Davidi e mundi gjigant-Goliathin e filistinëve, atëherë pse nuk i mundi kurrë romakët. E gjithë bota mbarë e dinë që armiku milenial, armiku i mijëvjeçarve i juaji ishin ROMAKËT (tashmë madje dhe eskimezët e dinë, nëse dikur të izoluar atje në akullnajat, tashmë dhe ata ju shohin nga sateliti). Jo gazanët, jo palestinezët, nuk janë armiqtë tuaj, një mbret i persianëve madje ju pati mbrojtur, Kajreshi nëse s’gabohem, apo Kiros, si quhet nga vetë iranianët.
Jo z. Natanjahu, Davidi pati fituar ndaj Goliath-filistinit me ndihmën e perëndisë (si mesazh i fabulës për besimtarët e vërtetë), Davidi s’pati fituar me F-35, me hekurishtesh blerë në Amerikë, assesi z. Natanjahu, Davidi s’kishte F-35 për t’i bombarduar fëmijët e uritur gazanë dhe as nënat e tyre buzë vdekjes. Bota me arsyen e shëndoshë s’e ka të qartë pse Palestina do duhej t’ishte e juaja z. Natanjahu, qëkur s’ka qenë as e juaja as e filistinëve. Bota me arsyen e shëndoshë s’e ka të qartë pse Amerika e përdorë veton dhe e bllokon 2-shtetësinë, 7 miliardë të botës, i gjithë globi i politikave çuditen, vetëm 500 milionë evropianë dhe 300 milionë amerikanë e dinë “pse”.
***
Si qytetarë ordinerë, në rrafshin personal shpesh pandehim se janë 2-3 përspektiva, edhe kur e largojmë përspektivën politike (dmth. interesat, qofshin të ndërsjella, qofshin jo, qofshin “shlyerje borxhi”, “kthim i të mirës” së dikurshme etj), prapë sikur pandehim se kanë ngelur sëpaku nja 2 përspektiva tjera. Psh. edhe pafatësia si paragjykim e ka natyrën e vet, ç’faj kishte populli në Hiroshima – ta zëmë si shembull, si ilustrim shkurt i pafatësisë – që t’u hidhej monstruoziteti atomik sipër kokave, madje ishin akoma në gjumë, duke i përkundur ëndrrat, me 1 urdhër “presidencial” të politikave. Kush e “zgjodhi” fatin e tyre, pse pikërisht Hiroshima, kush e “caktoi” atë pafatësi të tyre kolektive, Zoti… no way (do ishte absurd dhe vetë përsiatja e kësollojshme).
Dmth. nëse merremi me “pafatësinë” sikur s’mund t’bëjmë asgjë, madje as si klithmë, ndaj kujt të klithim, vallë si ndalohen bombat e Hiroshimave, duhet ta thërrasim “Superman-in” e fantazive, apo ndonjë Wonder Woman të luftojë me Aresin, me Marsin. Mos vallë Zoti e “dënoi” popullin komplet të z. Natanjahu për 2000 vjet rresht (?!) Por kot, e lodhim kokën kot, s’kapërthehet, s’e kuptojmë dot, jemi aq të “vegjël” si qenie njerëzore, sikur vetë kuptimi del jashtë kuptimësisë. Mund vetëm t’i lutemi Zotit, në kuptimin humanistik, siç do ia bënte dhe Nënë Tereza, mbase ndajmë diç si bamirësi, provojmë sadopak ndonjë kafshatë ndihmë, solidarizohemi shpirtërisht etj.
Mirëpo nëse këto 2-3 përspektiva të përsiatjes e ngërthejnë dhe “padrejtësinë”, atëherë gjithmonë sikur e kam përjetuar dhimbjen për padrejtësitë që i janë bërë hebrenjve gjatë historisë, ç’faj kishte një popull i tërë për 2000 vjet me radhë (e kam fjalën që nga shek. 1 i Romës perandorake e këndej). Mos vallë Zoti e caktoi të vuante një popull i tërë për 2000 vjet sepse 1 “tradhtar” i Profetit i pati bërë të gjitha mëkatet e planetit, aq shumë mëkate sa duheshin 2000 vjet për t’u paguar mëkatet (nga i gjithë populli komplet). Mos vallë duke i hedhur bombat atomike në Hiroshima, duke i shkatërruar kolektivisht qytetet, duke i përdorur holokaust-aparaturat e tmerrshme, apo duke e dënuar një popull komplet për 2000 vjet… u “shpaguakan” fajet tona ndaj Zotit. Me sa di unë në Venedikun e dikurshëm hebrenjtë paguanin madje dhe taksa që “ishin gjallë”, imagjino… taksa që frymomin, dhe atë ku, në “geto-t” (rishtas, nëse s’gabohem, geto-ja si term nga aty e ka origjinën).
Harta e mbretëreshës Zenobia, siç e cekëm “ironinë” që në hyrje, mbretëria e saj i “mbulon” trevat e Palestinës komplet, s’shihet as Gaza as Izrael, dikur Zenobia e pikëlluar që romakët e nënshtronin gjithkend, sot bota pikëllohet me shkatërrimin e qytetit Palmira – vetë sikur kurrë s’do ia dalë ta “kuptoj”, sikur kurrë s’do mund të “pajtohem” me absurdin, sikur zemra prore e ndien dhimbjen për shkatërrimin e lashtësisë së qytetit Palmira. (Shkrova “romakët e pushtonin gjithkend” anise jo ndoshta gjithkend, bota e “barbarëve” shpesh sillte surpriza, lloj-lloj të papriturash, historia do ketë dhe ndonjë përjashtim, sepse s’bën pa përjashtime, përndryshe do ishte histori e “pahijshme”, psh. romakët ndoshta e patën nështruar gjithkend, e edhe të ngratën mbretëreshë Zenobia, ndoshta përveç fiseve të Germania, apo fiseve “përtej” murit të Hadrianit etj. këso rastesh të ngjashme : )
Sot bota e pikëlluar dhe s’ka fjalë si “përshkruhet” shkatërrimi i qytetit Palmira. Që nga v. 2014, Shteti Islamik e ka shkatërruar trashëgiminë kulturore në një shkallë të paparë (psh. në Irak, Siri, Libi), shkatërrimet e tyre do i kishin në “shënjestër” aq shumë objektesh të lashta, qytete, muzeume, tempuj, biblioteka. Sepse me gjasë aq e lehtë, tashmë jo vetëm dogmat dhe doktrinat, jo vetëm veglurinat dogmatike e politike por dhe verbëria e “zezë” praktike. Tashmë si Shtet Islamik na i paske dhe artileritë moderne, lloj-lloj armësh dhe eksplozivet, tashmë aq e lehtë një ngrehje gishti dhe buuuum. I gjithë njerëzimi rreth e rrotull sikur i paralizuar nga dhimbja për shkatërrimet e Palmira.
Absurd, njësoj si të rrënoheshin bie fjala piramidat në Giza, gjithçka e lashtësisë egjiptase, vallë a nuk është absurd të “akuzohen” 3000-4000 vite të mbretër-faraonëve. Ose qytetërimet që kanë ekzistuar me mileniume, mijëvjeçarë para profetëve Abrahamikë (qoftë para kohës së Jezusit a profetit Muhamed, qoftë para të gjitha Biblave a Kuranit). Ç’faj kanë “qytetet” e kulturave 3000-vjeçare, kulturat e para 2000 viteve, 1000 viteve, vallë ç’faj do kishin tempujt e perëndeshës Vesta në Romë, tempuj ku shërbente vetë sublimorja e pastërtisë, vetë virgjëreshat vestaliane. Tempuj kur ruhej gjallë “flaka e shenjtë”, në të cilin zjarr varej vetë fati i Romës – sepse ashtu besonin romakët. Larg qoftë të shuhej zjarri në tempujt e perëndeshës Vesta, sepse do ishte vetë katastrofa, do shuhej dhe Roma si perandori. Apo dhe tempujt e mëvonshëm, ç’faj na paskësh Tikali, Çiçen Itza e mëvonëshme, gjithçka e qytetërimit Maya, ç’faj do na kishte Angkor Wat i Azisë atje larg, apo dhe tempulli i “dashurisë” Taj Mahal (pse jo si shembull), mauzoleumi në Tagra.
Shteti Islamik, sipas koncepteve perëndimore, është një organizatë transnacionale militante xhihadiste salafiste, dhe diç si kuazi-shtet (të cilin s’e njeh askush nga bota e qytetëruar e politikave). Në bisedë e sipër sikur shpesh ia themi shkurt “ISIS”, paçka se anglisht, njohur sipas shkurtesave anglisht IS – Islamik State, apo dhe Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIL), sikur dhe Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS). Mirëpo mua s’më interesojnë “politikat”, quaje si të duash, të nesërmen marsianët, kolonitë e atjeshme mund ta quajnë fare “ndryshe”, s’e kemi idenë. Sikur dhe ana tjetër; pretendo, pandeh se na qenke kush të duash si shtet… pse jo, mirë se ekziston, s’u përzihem as thneglave pa le shteteve a politikave : )
Çfarë është e dhimbshme është “verbëria”, është dhimbje shkatërrimi i vetë historisë njerëzore, shkatërrimi i vetë kulturës së humanizmit. Shteti Islamik e justifikon shkatërrimin e trashëgimisë kulturore me salafizmin, me doktrinat e fondamentalizmit e me dogmatikat. I cili salafizëm, sipas ndjekësve, sipas ithëtarëve i jep “rëndësi të madhe vendosjes së monoteizmit (tawhid) dhe eliminimit të politeizmit (shirk). Sipas besimtarëve të Shtetit Islamik ekziston “bazë ideologjike” e mjaftueshme për shkatërrimin e vendeve të trashëgimisë historike a kulturore (psh. në Palmira).
Por mos vallë pra u dashka fillimisht të rrafshohet i gjithë planeti, gjithçka fillimisht pluhur dhe t’niset nga e “para” me salafizmin e tyre (?!). Mos vallë gjithçka e planetit ndërtuar deri në kohën e ardhjes së salafizmit, dhe gjithka e ndërtuar pas salafizmit të Shtetit Islamik… kudo, në secilin cep të botës, duhet shkatërruar (!). Sepse nuk përputhen me salafizmin as me traditën sunite – për fat të keq për ndjekësit e politikave të Shtetit Islamik, shkatërrimet e tempujve në Palmira (dhe kudo, jo vetëm në Palmira) JUSTIFIKOHEN nga vetë Zoti, dhe janë në përputhje me traditën sunite-islamike.
I gjithë planeti, gjithë njerëzimi mbarë e respekton Zotin e monoteizmit, askush s’u përzihet salafistëve të Shtetit Islamik as çfarë besojnë as si besojnë ata, askush nuk i shemb tempujt e tyre. Bazuar në respektin ndaj besimit monoteistik, e gjithë bota mbarë e di që Zoti ishte-është krijuesi i botës dhe i njerëzimit, krijues i mbarë universit (unë shpesh ia shtoj madje dhe i multiversit, e them këtë nganjëherë për “inat” të string-teoricienëve : ) sepse këta shtiren sikur harrojnë ta thonë, vetë s’e thonë kurrë). Sipas Shtetit Islamik dhe sipas gjithë monoteistëve anembanë botës, Zoti e ka krijuar jo vetëm botën natyrore, secilin atom të universit, ligjet dhe rendin universal, por dhe rendin etik, shtyllat etike, fondamentin moral të planetit Tokë, me të cilin rend njerëzimi duhet të përputhet dhe kështusoj, krahas etikave, njeriu duhet të përputhet dhe me rendin shoqëror, Zoti i shenjtë, Zoti është suprem dhe unik, besimi në Zotin mund të përjetohet si magjepsje dhe si frikë, sepse vetë Zoti ka dashur ashtu, si mysterium tremendum (mister i frikshëm) njëkohëisht dhe si mysterium fascinans (mister magjepsës), vullneti i Zotit s’ka kufij, thjesht i paskajshëm.
Kjo do t’thotë që Zoti ka dashur, ka patur vullnet (nuk vihet në “pikëpyetje” vullneti hyjnor), ka vendosur ta krijojë Shtetin Islamik me 20.000 besimtarët e këtij shteti “fringo” të ri. Ndoshta të gjithë besimtarët e Shtetit Islamik (mbase përveç grave, si supozim i yni i pafajshëm) dinë si shkrepen bombat, si përdoren armët, eksplozivët për ta shkatërruar Palmirën, sepse Zoti ka vendosur ashtu. Na vjen keq Zenobia, ti dikur mjaft mbretëreshë e zonja, lozje me romakët, s’kishe aspak frikë nga Roma e paskajshme, pothuaj “njësoj” si dhe ne tani, as ne s’i frikësohemi kujt përveç Zotit, as raketave bërthamike të Rusisë, të Izraelit, Indisë, Amerikës, as të Kinës, mos u pikëllo… krijimi dikur dhe shkatërrimi sot i Palmirës ishte dhe është vullnet i Zotit, vendimi i Zotit është i shenjtë.
Mirëpo, nga ana tjetër i njëjti Zot pati vendosur gjithashtu t’i krijonte 8 miliardë njerëz të tjerë, në të njëjten botë, vallë pse i duheshin Zotit 8 miliardë njerëz të tjerë… derisa vetëm 20.000 salafistë të Shtetit Islamik do ishin mjaft si besimtarë idealistë. I njëjti Zot (para Shtetit Islamik) e pati krijuar dhe Perandorinë e Romës, Palmirën, Perandorinë Mongole, Perandorinë Osmane, perandoritë 5000-vjeçare të Kinës… gjithçka është dhe ishte në duart e Zotit – thonë salafistët e Shtetit Islamik. Dmth. ABSOLUTISHT gjithçka, me pluhurin tonë e me pluhnaja të galaktikave, me pluhurin e rrënojave të Palmira, sikur dhe me pluhnajat e universit (me të cilin krijohen yjet). Madje inkluzivisht “neuronet” e mendjes së tyre, me gjithçka që salafistët e Shtetit Islamik dinë, e me gjithçka që ne të ngratët e tjerë si frymorë nuk dimë.

