Besim i gjallë, besim aktiv, besim fjalë-foljor

sguraziu – ap, korrik 2025

…ngelet e vështirë të përshkruhet ç’është “ars poetica”, pothuaj e papërshkrueshme, është pakashumë ngjashëm si ajo “pyetja universale” që u shtrohet shkrimtarëve të botës, pa përjashtime, s’ka shkrimtar i kësaj bote (qoftë i së shkuarës, qoftë i së tashmes) që nuk është përballur me pyetjen “pse shkruani”, prore u shtrohet kjo pyetje, s’ka revistë as intervistë me shkrimtarët që nuk e ka prekur pyetjen “pse…” – thjesht s’ka si anashkalohet pyetja kyç, pyetja më thelbësore e problematikës së shkrimtarëve : )

…dmth. pakashumë e njëjta gjë (pa pretenduar hiçasgjë lidhur me “problematikën” të cilën sapo e cekëm, qëkur as shkrimtarët vetë s’e dinë mirëfilli pse shkruajnë), e vështirë të përshkruhet ç’është blog-aktiviteti i ashtuquajtur “ars poetica”, blog që i ka rrënjët zanafillore dikur rreth 2007-2009, dallimi i vetëm është se, duke qenë diç si “blog”, për fat të keq blogistët kurrë s’i pyet kush “pse shkruani” (ndonjëherë u teket e sqarojnë vetë, pa i pyetur kush) – qëkur t’jesh shkrimtar automatikisht lidhet me librat, bota pashmangshëm pandehin se do kesh botuar dhe libra, regjistrohen titujt e librave gjithandej, vëllimet i kanë kodet e veta, i gjen nëper libraritë, figurojnë tek biblio-grafitë etj etj. – kahdo që sillemi na rrethojnë librat, përndryshe nëse s’ke botuar libra atëherë thjesht s’je shkrimtar, sorry… por do jesh diç si “blogist” : )

…dhe bukur kjo, si “definicion ekzakt” i shkencës, edhe pse ç’është e drejta, nganjëherë se si kam përshtypjen që është një lloj “ngatërrimi” në këtë mes, një lloj ngatërrimi modern, i pafajshëm – sepse disa gjëra ngatërrohen dhe padashtas, vetiu dhe pa asnjë lloj qëllimi ngatërrestar, janë ves i kaotikave, thjesht ndodhin, janë spontanitet universal, bie fjala nuk përjashtohet mundësia që dhe vetë Zoti (pas “gjenezës”) pati ngelur ca kohë duke e përmirësuar botën, vetëm ca ditë i pati shpenzuar rreth krijimit… mirëpo padashtas ca fije të lëmshit (materies, lëndes ndërtimore) me vesin e tyre kaotik, mund t’i jenë ngatërruar, pastaj mund t’i ketë shpenzuar me vite e dekada duke u marrë me përmirësimet, me përkryerjen, sidomos rreth “përkryeshmërisë” sonë do e ketë vrarë mendjen bukur gjatë…

…se mos vetëm Zoti, edhe për Leonardo da Vinçin (dmth. si 1 shembull i krijuesve, i artistëve të mëdhenj) spekulohet pakashumë e njëjta, vetëm ca ditë i qenë dashur, e pati vizatuar Mona Lizën, e pati skicuar, e pati matur, i pati caktuar skajet, qendrën, kornizat pikturale, e dinte saktë ku duhej syri, veshi, sa e gjatë do ishte hunda, i pati larë lapsat e brushat, gjithçka e pati bërë gati, pastaj ca muaj qe marrë me pikturimin e me ngjyrat, deri në përkryerjen – mirëpo pikërisht atëherë pati filluar “gjatësia problematike”, me vite të tëra, spekulohet se 3-4 vite pastaj qe marrë vetëm me buzëqeshjen, assesi ta bënte perfekte, i ngatërrohej diç e buzëve, e hijeve, e lakoreve, e nuancave… da Vinçi s’ishte kot, s’dorëzohej, as mendja s’i shkonte, ishte artist këmbëngulës dhe kokëfortë, synonte përkryerjen, atë buzëqeshjen gjoja enigmatike…

…dihet, historia e ka dëshmuar ekstensivisht dhe me voluminozitetin e vet, se jo patjetër nëse merremi me shkrimet e me librat nënkupton se qenkemi shkrimtarë, s’duhet keqkuptime as në këtë “pikë”, patjetër se jemi “shkrimtarë” në kuptimin teknik, por shpesh shkrimtarllëku ynë ka t’bëjë me namin, me poteren, me jokënaqësinë ego-statike, me alter-egot, me ambicjet jorealistike, me synimet fanta-shkencore, me famën e famozitetin, me delirin, me magjepsjen, me biznesin, me tregtinë, me fitimnxjerrjen… sikur lidhet totalisht me “materializmat” e botëve, e më së paku me qenësinë tonë të mirëfilltë (si qenie krijuese, si krijesa kreative, si “antena përcjellëse” të muzave, si krijues të zgjedhur nga muzat sa i përket kreativitetit kozmik…

…natyrisht, larg keqkuptimeve teknike sa i përket shkrimtarllëkut – t’i shkruajmë ca libra, t’i quajmë “harry potter… or whatever” dhe t’bëhemi miliarderë duke fituar miliarda, pse jo… why not, aq e ëmbël, e mjaltosur, ëmbëlisht e mrekullueshme, mjaltë e përtej ëmbëlsisë, ashtu-kështu ishte ëndrra jonë, që nga ide-shkarravina e parë në letër, që nga germa e parë në syprinën e bardhë, jo vetëm si “ide” e pasurimit por dhe si rezultat fundimtar i kënaqësisë – probemi është që s’mund të jenë 7-8 miliardë shkrimtarë të kësaj bote, të gjithë, pa përjashtime, miliarderë : )

…dmth. e vërtetë, skajshmërisht e vështirë të përshkruhet ç’është “ars poetica”, tek rubrika “terms & conditions” pata shkruar se është thjesht një blog personal, ku (duhet nënkuptuar se) blog-isti, mirëmbajtësi, webmaster-i, programuesi, shkrimtari… të gjithë janë i njëjti dhe i vetmi, ndonjëherë madje blogist mjaft dembel dhe i pakujdesshëm : ) pastaj, duke u referuar në fjalët e blogistes së famshme Jane Friedman (citim rreth sqarimit ç’është “blogging”), e pata sqaruar dhe faktin se “ars poetica” nuk mbahet gjallë me “qëllimin për ta arritur ndonjë lloj suksesi”, dhe as njohje në domenin e blogosferës internetike : )

…përkundrazi, për t’mos thënë e kundërta, mbase më së miri të thuhet “qasje asnjanëse”, qasje 100% e kulluar, totalisht neutrale, diç si “fletore e bardhë elektronike”, mbahet gjallë si një “fletore” personale, si bllok shënimesh e skicash, bllok xhepi ku skicohen (shpesh ngutazi, me “vija të vrazhdëta e të shëmtuara”) idetë, feksimet momentale, mendimet dhe përvojat tona… madje, lidhur me përmbajtjen (tek rubrika “Info”) pata ekzagjeruar duke thënë se “ars poetica”, ashtu si nuse-bukurushe me faqet çubardhake (pjesa dërrmuese e faqeve janë të bardha) padyshim do bëhet diç si “miss-fletorja” e Internetit : )

…pra, e lehtë ta pranoj vështirësinë rreth sqarimit ç’është “ars poetica” (si aktivitet që lidhet me SHKRIMIN) – anise, kur njeriu s’di vetë, kuptohet se mund të huazohen fjalët e ndokuj tjetër, shpesh për t’i sqaruar gjërat që s’dimë na ndihmojnë dhe shkrimtarët, apo jo – ja psh. “përshkrimi” më i mirë, më kapërthyes, që i përshtatet më së bukuri, pothuaj sikur autorja Williams m’i pati “vjedhur” fjalët, fjalë për fjalë, me ide e feksime… gjithçka : )

“…është besim i gjallë, besim aktiv, besim fjalë-foljor, besim foljesh: të dyshosh (të vësh në dyshim), të eksplorosh, të eksperimentosh, të përjetosh, të ecësh, të vraposh, të kërcesh, të luash, të hash, të duash, të mësosh, të guxosh, të shijosh, të prekësh, të nuhasësh, të dëgjosh, të debatosh, të flasësh, të shkruash, të lexosh, të vizatosh, të provokosh, të emocionosh, të bërtasësh, të mëkatosh, të pendohesh, të qash, të gjunjëzohesh, të lutesh, të përkulesh, të ngrihesh, të qëndrosh, të shikosh, të qeshësh, të përkëdhelësh, të krijosh, të përballesh, të ngatërrosh, të ecësh prapa, dhe rishtas përpara, të rrumbullakësosh, të fshihesh dhe të kërkosh. Të kërkosh: t’i përqafosh pyetjet mirëfilli (t’mos kesh frikë nga asnjë pikëpyetje), por dhe t’jesh i vetëdijshëm për surprizat nga lloj-lloj përgjigjesh të mundshme.” – [ Terry Tempest Williams, shkrimtare amerikane dhe aktiviste ]

[ ngjitur: një foto e shkrimtares Terry Williams ]