Qëndra e Mëndjeve… Qëndrore Vëndore : )

(s. guraziu – ap, gusht 2025 – koment)

…ka diç që nuk PËRPUTHET me institucionet shqiptare, me fjalët e tyre, me zotimet, me bujën mediatike, me shkollat, me universitetet, me organet e qeverisë, me institucionet e kulturës, TV-të, radiot, madje dhe “fletoret zyrtare” të Shqipërisë sikur nuk brengosen aq për këso lëshime dhe mosrespekt ndaj Shqipes – jua them z. Rama se në Francë, duke qenë ata vërtet fanatikë dhe striktë sa i përket gjuhës, për këtë “Qëndren” e tabelës suaj do ju kishin dënuar, do kishit paguar gjobë të madhe – kujdesin dhe rreptësinë linguistike për frëngjishten (e zbatuar pothuaj si “lingua-eufori” nga L’académie Française) e njeh e gjithë bota, madje dhe vetë akademikët e botës sikur “çuditën” për rreptësinë deri në atë shkallë, sipas shumkujt masat aq të rrepta thuase e “ngurtësojnë” gjuhën, e cenojnë natyrshmërinë zhvillimore, nuk lejojnë që fluiditeti gjuhësor të evoluojë natyrshëm… mirëpo anyways, bota mund t’i kenë opinionet e veta, në fund të fundit kush na paska të drejtë, e aq më së paku ne, qe t’u “përzihemi” francezëve…

…dikur në v. 2013 pata shkruar si justifikim që kjo e tabela e Laçit, padyshim do jetë e kohëve të furçave, e kohëve të brushave, s’besoj të jetë foto e kohëve të reja, mund t’i ketë 20 vite e më shumë, na ishte se ç’na ishte, tani 1 tabelë vë njeriu në hyrje të qytetit, jo 2, as 3… s’ke si ia huq, për dy dekada njeriu ia qëllon dhe anglishtes pa le shqipes… ndërsa tani në v. 2025, në një tabelë akoma më të madhe, bëhet fjalë për industrinë vendore të armëve (është diç si tëbelë qëndrore vëndore : ) në këtë tubim ishte prezent dhe vetë Kryeministri Rama, dhe vetë z. Rama ka mbajtur fjalim aty, derisa duke folur… sytë shigjetë drejt tabelës ku thotë “Qënder” por nuk i bjen në sy : )

…përkthyesi i mirënjohur gjerman Hans-Joachim Lanksch (miku i poetit Martin Camaj), qe shprehur:
[ “Në Shqipni, nji pjesë e mirë e toskëve e përdorin tosknishten në vend të standardit, gjâ që mund të vërehet mjaft mirë në radio e televizion, përderisa nji pjesë e mirë e gegëve nuk e zotnuekan mâ plotësisht gegnishten dhe përdorin nji mish-mash gego-standardisht” ]

…në v. 2022, lidhur me komentin e tij pata komentuar: padyshim z. Lanksch përveç mish-mashit dhe të tjerave, do ketë menduar edhe për “ë”-në e tepruar, të cilën jugorët insistojnë ta përdorin gjithandej, në TV sidomos, pothuaj s’ka “spiker” a TV-prezentator nga Jugu që nuk thotë: vëndi ynë…, ka qënë… etj etj . dhe e çuditshme është se as institucionet vendore, as ato të kulturës (dhe vetë shtëpitë televizive do duhej të kujdesen), askush… nuk brengoset – dhe ja tani, në vitin 2025 ende mitingjet e Ramës vazhdojnë me Qëndrat, në qëndër të qëndrës vëndore : )