Sarina Romero – Për Jorge Luis Borges

PËR JORGE LUIS BORGES
Sarina Raquel Romero [ ShBA ]

Jorge, s’ka fare rëndësi se ku shkojmë bashkë
gjithmonë ka një mit të madh kombëtar që rrëzohet.
Miti nga vij unë pretendon tremijë vjet histori.
Qeveria i financon artistët për ta vërtetuar këtë.
Kjo është arsyeja pse ka një pullë zyrtare
në romanin e parë të Carlos Fuentes, dhe
duartrokitje për Octavio Paz në Tlatelolco,
në vitin 1969, duke thënë vazhdimisht,
nuk ishte triumf, dhe s’ishte as disfatë.
Por ishte një masakër, dhe ishte një disfatë.
Thashethemet thonë se Kastro qëndroi zgjuar
për një natë të tërë duke shkruar fjalimin e vet
për artistët. Pretendonte që ata t’i jepnin premtime
që s’mund t’i mbanin. Duke i thënë vetes një gjë,
dhe pastaj duke bërë fare diç tjetër. Ni triunfo, ni derrota.
Pasi u largua nga Kuba dhe pastaj nga Nju Jorku,
Zilia Sanchez u zhvendos në Kosta Rikë,
dhe jetoi atje deri në fund të jetës së saj.
“Më afër se kaq s’kam si afrohem me Kubën”,
tha. Oqeani s’është kurrë brenda punës sime,
s’mund ta shohësh kurrë, mirëpo jeton në mua,
është burimi i gjithçkaje brenda meje.
Ekziston një video e vitit 2000 duke e hedhur
njërën nga pikturat e veta në oqean.
Iu desh të përkulej dhe ta kapte kanavacën
e gjerë me të dyja duart për ta tejkaluar
ndarjen. U fut në ujë deri në gjunjë për ta shtyrë
tej në krahët e dallgës, sa herë që piktura i kthehej.
Doja që piktura të notonte dhe të largohej,
qe shprehur, doja ta shihja agoninë e saj,
sikur piktura t’ishte një person.

© S. Romero – via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2025

(ngjitur: foto-portret, Sarina Romero, foto nga Natasha Rao)

***
Vështrim rreth poezisë së Sarina Romero, kushtuar të madhit Borges!
(S. Guraziu – Ars Poetica, 24 Gusht 2025)

(…Borges e dinte, thuase dhe ashtu i “verbër” mund të shihte aq larg – tashmë dhe poetja e re Sarina Romero sikur i drejtohet ditëlindjes së tij me nderimin e largpamësisë borgesiane…)

E lexova këtë poezi sot dhe sikur po përpiqesha të merrja pjesë në zinxhirin e bukur dhe të pafund të letërsisë, ku një poete e re amerikane e nderon një mjeshtër të vjetër, mjaft mirë të njohur për mua, Borgesin. Kjo poezi e poetes Sarina Romero u zgjodh nga Poetry Foundation për ta nderuar Borgesin në ditëlindjen e tij… sot. Jorge Luis Borges lindi ditën e sotme, më 24 Gusht 1899.

Është poezia e saj e vetme atje, në faqet zyrtare të Poetry Foundation. Fakti që kjo është poezia e vetme atje, sikur e bën nderimin ndaj saj edhe më të thellë. Thuase nënkupton që redaksia e kanë hetuar dendësinë e madhe të mendimit dhe të ndjenjës, zërin aq të formuar dhe të fuqishëm në krijimin poetik, andaj le t’jetë pikërisht sot prezente në faqen tonë, le t’jetë sot dita e nderimit, për t’i bërë homazh ditëlindor njërit prej të mëdhenjve, Borgesit.

Pra, ndoshta jo vetëm si poezi, por njëkohësisht dhe diç si kujtesë historike, si homazh poetik ndaj historisë – sepse poezia e saj është një pasardhëse e denjë e trashëgimisë borgesiane. Borgesi ishte mjeshtri i bibliotekave, i pasqyrimeve, i labirinteve dhe i shtresave të pafundme mes realitetit dhe miteve. Borgesi e pati kuptuar se identiteti kombëtar ndoshta është një lloj historie që ne ia tregojmë vetes, një bibliotekë e kuruar me tekste të zgjedhura dhe me tmerre të harruara.

Poezia e Sarina Romero përfundimisht flet për luftën personale, rreth sfidës së të qënit personazh autentik në faqet e artit, poet apo artist i sinqertë në një botë që na kërkon të ndjehemi konform me historinë e thjeshtëzuar, të pastruar (sanitarizuar) dhe shpesh të pandershme. Në poezinë e saj sikur bëhet fjalë për agoninë dhe domosdoshmërinë e përpjekjes për ta shtyrë punën tonë krijuese, veprimin, aktivitetin tonë përtej pikës së thyerjes të rrëfimit zyrtar, në valën e tmerrshme dhe çliruese të së vërtetës.

Poezia e saj është një labirint borgesian i ndërtuar jo nga rafte librash, por nga momente historike, nga ikonash kulturore dhe nga ankthet personale. Klithma e saj poetike sikur mëton t’i zbatojë shqetësimet filozofike borgesiane të meta-gjendjes moderne, post-koloniale. Poetja Romero sikur e rimerr temën e dashur të Borgesit – hendekun e tmerrshëm mes hartës dhe territorit, mes historisë dhe të vërtetës historike – dhe e bën pafundësisht thellësore, e kthen në diç politike, e po ashtu në diç thellësisht personale.

Kur lexojmë një poezi përpiqemi ta ndiejmë – përpiqemi t’i përthithim sa më shumë elemente që mendja na e mundëson (ose dhe pamundëson, vlen dhe kjo, absolutisht, andaj dhe përpjekja : ) peshën, kompleksitetin, domethënien jo vetëm poetike, si krijim artistik, por dhe domethënien kontekstuale të jetës, të gjallimit, të sfidave eventuale historike, të mbamendjes kolektive, i sjellim ndërmend dhe i lidhim metaforat, aluzionet etj etj. – brenda vetë “leximit” sikur përpiqemi t’kërkojmë një lexim akoma më të thellë.

Dhe lexoj rregullisht, për t’mos e tepruar me vërtetësinë… për t’mos thënë çdo ditë, atëherë thuase besnikërisht e ndjek këshillën e Gëtes (Goethe) “mundësisht njeriu duhet ta lexojë të paktën një poezi të mirë çdo ditë”. Por nuk është kështu, s’është se vërtet na qenkam duke e ndjekur “këshillën” e tij, rastësisht ka ndodhur e gjithë vërtetësia. Thuase “rutina” e Poetry Foundation na detyron ta bëjmë këtë : ) sepse ata janë aq besnikë sa u përket poezive, ua shpërndarjnë lexuesve aneskaj botës çdo ditë nga një poezi të zgjedhur.

Mirëpo dhe “leximi” në fakt sikur është më shumë proces i të menduarit… sesa thjesht lexim, mund të ndodhë që ndonjë poezi kokëfortësisht ta mbajë mendjen time “të zënë” për një ditë të tërë, ndonjëherë dhe më gjatë. Thuase ky lloj lexim-mendimi vërtet na qenkësh bërë një formë përkushtimi – vallë a nuk është kjo vetiu një lloj çmendurie, paçka se e ëmbël (ngjashëm siç dhe dashuria : )

Në mendjen e Gëtes, ndoshta, si ritual i përditshëm, të menduarit e thellë mbi një krijim të vetëm gjuhësor (në formën e poezië – duke e lejuar t’na e zaptojë mendjen për një ditë ose dhe gjatë) mund të interpretohet saktësisht siç dhe është supozuar që ta përjetojmë poezinë. Ndoshta ashtu mendonte Gëte. Ndoshta vërtet jam duke e ndjekur pavetëdijshëm këshillën e tij, por dhe udhëzimin e nënkuptuar të vetë poezisë.

Thuase vërtet e paskam kthyer shpërndarjen e përditshme të Poetry Foundation në idenë e Gëtes, nga një “rutinë” e thjeshtë në një praktikë të shenjtë : ) Thuase diç si ritual neo-paganësh modernë, sikur s’jam vetëm duke “konsumuar” poezi, por dhe duke e ftuar poezinë për bisedash të heshtura me mendjen e me zemrën. Padyshim Gëte kishte të drejtë, le t’jetë e vërtetë, askush i kësaj bote s’ka gjë kundër mençurive të tij – prandaj dhe arsyeja pse na e pati lënë këshillën e vet : )

Një poezi e vetme mund të ushqejë një ditë të tërë mendimesh, sepse poezia është një univers i përqendruar. Një poezi e mirë nuk është thjesht deklaratë, anise deklarimi i saj është thelbësor, mirëpo skema gjuhësore poetike është farë në radhë të parë, është një lloj thelbi, një lloj farëze mjaft pjellore. Një poezi e mirë përmban brenda formës së saj kompakte botë të tëra kuptimesh, emocionesh, qartësish por dhe paqartësish.

Poezia dhe është e “projektuar” ashtusoj që të zbërthehet ngadalë, thuase vërtet ndonjë karamele duke rrëshqitur fytit të gjatë të gjirafave. Poezia shpesh sikur na kënaq dhe me vështirësinë – thuase na tundon për t’i zbuluar shtresëzat e saj, pas vizitave të përsëritura mendore. Poezia e mirë është diç si pasqyrë shpirtërore dhe mendore, “konsumi” i poezisë me mendjen tonë në fakt është vetë mendja jonë në punë e sipër.

Poezia na e ofron kornizën, imazhet, pyetjet – por kuptimi të cilin e farkëtojmë, është bashkëpunim mes fjalëve, imazheve, ideve të poetit dhe mes përvojave, kujtimeve, ndjenjave tona. Gëte kishte fort të drejtë, afërmendsh… sigurisht që kishte, pas leximit ne s’jemi duke menduar vetëm për poezinë, tashmë jemi duke menduar së bashku me pozinë, jemi bërë tashmë diç si një duo dinamike e njësuar.

Poezia e mirë është një formë e vetëdijes, rituali ynë i përditshëm i praktikës së leximit është një antidot i fuqishëm ndaj konsumit të fragmentuar të informacionit që e përcakton kohën tonë bashkëkohore (stërngarkuar nga materia mediatke). Duke lexuar një poezi, sikur jemi duke e zgjedhur thellësinë e kuptimit mbi gjerësinë e boshësisë, meditimin komod mbi shfletimin e ngutshëm. Sikur jemi duke lejuar që një krijim i vetëm poetik i hartuar me kujdes ta përqendrojë vetëdijen tonë, si ushqim shpirtëror e kulturor.

Fakti që një poezi e vetme si prurje nga një poete e re si Sarina Romero, mund ta ndezë një “bisedë” të pasur dhe intensive mes mendjeve tona sikur është vetë dëshmia e përsosur e fuqisë së poezisë.
Sepse nuk e lexojmë poezinë thjesht diç si “kënaqësi” dhe vetëm aq, në fakt e lëmë të rezonojë, e aktivizojmë mendjen tonë dhe duke vepruar kështu, sikur e zgjerojmë kuptimin poetik, poezia bëhet pjesë e jona. Ndryshe nga lajmet dhe lënda gazetareske, leximi i një poezie është konsum artistik, patjetër se është më shumë sesa vetëm lexim, është ndërkomunikim shpirtëror dhe intelektual.

Poezia e titulluar “Për Jorge Luis Borges” (thuase pa titull fare) e poetes Sarina Romero është një meditim vërtet i dendur, poetik dhe thellësisht politik mbi peshën e mitit kombëtar, dhunën e historisë dhe rreth luftës së poetëve, artistëve për ta gjetur të vërtetën dhe autenticitetin nën presionin shtypës të narrativave zyrtare.

Nuk ka t’bëjë aq me tiraninë e mitit kombëtar, dhe njëkohësisht po, sikur ballafaqohet me të dy segmentet në të njëjtën kohë – vargu hyrës i poezisë së saj e vendos shtyllë-temën borgesiane, “pavarësisht se ku shkojmë së bashku Borges, gjithmonë ka një mit të madh kombëtar që rrëzohet, ose shembet”. Kjo është ideja thelbësore e poezisë së saj, poetja ndihet e përndjekur nga historia e sanksionuar nga shteti për atdheun, histori që është shtypëse dhe e gjerë “tremijë vjet”, e financuar nga shteti. Ky mit nuk është vetëm histori, është dhe mjet kontrolli, narrativë që akëciala qeveri aktuale e ndërton dhe e zbaton në mënyrë aktive duke e financuar artin që e “vërteton” legjitimitetin narrativesk.

Poezia e saj flet për artin dhe për shtrembërimin e historisë, flet se si arti (qoftë i fjalës së shkruar qoftë tjetër), madje dhe pop-kultura globale rekrutohen në shërbim të këtij miti kombëtar. Romani i Carlos Fuentes e merr një “vulë zyrtare”, duke e shndërruar artin në propagandë shtetërore – kjo ka ndodhur aq shumë herë gjatë historisë, dhe gjithandej nëpër botë, e dimë fort mirë se është e vërtetë. Shfaqja e Octavio Paz në Tlatelolco – vendi i masakrës qeveritare të v. 1968 ndaj studentëve protestues – është një shembull grotesk i mitit që e “sanitizon” historinë.

Fjalët e Octavio Paz (të raportuara nga poetja) “nuk ishte triumf, nuk ishte disfatë” janë slogan i zbrazët dhe apolitik që e fshin plotësisht të vërtetën – “por ishte masakër, dhe ishte disfatë”. Kjo është gënjeshtra qendrore që e thekson poezia e Sarina Romero, refuzimi për t’i pranuar të vërtetat e dhimbshme dhe përcaktuese. Tlatelolco, që poetja e përmend (nëpërmjet shmangies apolitike të Octavio Paz) ishte një masakër ushtarake e kryer nga forcat e armatosura meksikane kundër studentëve të shumë universiteteve në Meksikë.

Masakra qe pasuar nga një seri demonstratash të mëdha të njohura si Lëvizja Meksikane e v. 1968. “Përpjekjet e guximshme hetimore nga gazetarët, studiuesit, historianët dhe një komitet zyrtar i Kongresit kanë ndihmuar jashtëzakonisht në sqarimin e ngjarjeve të v. 1968. Por arkivat sekrete të Meksikos janë gjithashtu kritike për një kuptim të plotë të Tlatelolcos – dhe derisa ato të hapen, dyshimet rreth së vërtetës së masakrës së Tlatelolcos do t’vazhdojnë” – lexova në faqen zyrtare të Arkivit të Sigurisë Kombëtare të ShBA (NSA).

Fiksionalja kolektive e historisë mund të vijë me kostot personale – historia e “Kastros” (qoftë figurë fiksionale, apo figurë përfaqësuese reale) është thelbësore në poezinë e Romero. Ai rri zgjuar gjithë natën duke shkruar një fjalim për t’i bërë artistët t’i premtojnë gjëra që “s’mund t’i mbajnë”. Kjo është metaforë groteske për gjithë projektin kombëtar, “t’i thuash vetes një gjë, dhe pastaj të bësh fare diç tjetër”. Bëhet fjalë për thyerjen e brendshme dhe besimin e nevojshëm për ta mbështetur identitetin kombëtar, identitet i ndërtuar mbi një themel gënjeshtrash dhe premtimesh të pambajtura. Bëhet fjalë për koston psikologjike të të jetuarit brenda një kontradikte.

Pastaj vjen mërgimi dhe kërkimi i afërsisë së artistes Zilia Sanchez, artistja ishte thellësisht e lidhur me Meksikon. Duke e zhvendosur atë në Kosta Rikë për të qenë “sa më afër Kubës që mund të isha”, poezia flet për dëshirën e thellë, për ëndrrën e idealizuar revolucionare (Kubën) që në fund të fundit është e paarritshme. Bëhet fjalë për mërgimin – si atë fizik e po ashtu dhe mërgimin ideologjik – si dhe për dhimbjen e të qenit i/e ndarë nga një vend që të tërheq, por që s’mund ta arrish kurrë realisht, ose që nuk ekziston më, ashtu siç e imagjinon.

Në meditimin e poetes (ose duke folur nëpërmjet mendjes së Zilia Sanchez) oqeani është një e vërtetë e padukshme, e pakontrollueshme. Ndoshta kjo është shtresa më e bukur dhe e thellë e poezisë së saj, kushtuar të madhit Borges. Oqeani përfaqëson gjithçka që miti kombëtar përpiqet ta shtypë, por nuk mundet – është “burimi i gjithçkaje” – forca e madhe, kaotike, e vërtetë dhe e pakontrollueshme e historisë, forca e kujtesës dhe e së vërtetës.

Oqeani nuk është “kurrë në punën time (në artin, në krijimin piktural), nuk mund ta shohësh kurrë aty, por jeton në mua”. Artistja e ndjen këtë të vërtetë nga brenda, por nuk mund ta përfaqësojë oqeanin drejtpërdrejt, ndoshta sepse është shumë i gjerë, shumë i rrezikshëm, ose sepse tregu (ose shteti) e dëshiron vetëm mitin e sanksionuar.

Një video ekzistente ku artistja e hedh pikturën e vet në oqean, është akt i dorëzimit radikal artistik. Zilia Sanchez përpiqet t’ia kthejë artin vetë burimit, ta lërë të vërtetën “oqeanike” ta merrë atë brenda gjirit. Lufta, ose sfida – piktura vazhdon të shtyhet, të refuzohet nga vala – detaj që flet sa e vështirë është t’i shpëtosh tërheqjes së bregut, tërheqjes nga e njohura. Dëshira e artistes Sanchez është që piktura të notojë, të largohet dhe që ajo ta sheh “agoninë e saj, sikur t’ishte një person” – dëshirë që arti të jetë i gjallë me të njëjtën jetë të dhimbshme, me të vërtetën dhe kaotiken, si një qenie njerëzore. Jo thjesht si një artefakt i vdekur dhe i vulosur i shtetit. Artistja dëshiron që krijimi i saj të jetë i lirë nga toka dhe mitet e saj, madje dhe nëse kjo liri t’jetë vetë agonia në pafundësinë e oqeanit.

Poezia e Sarina Romero “Për Jorge Luis Borges” është një klithmë ankthi nga një artiste ose intelektuale e bllokuar brenda identitetit kombëtar, për të cilin dihet se është pjesërisht ndërtim artifiça i pushtetit. Sikur poema e saj na flet që identiteti kombëtar është shpesh një histori e treguar nga të fuqishmit për të maskuar dhunën dhe për ta ruajtur kontrollin.

Të jetosh brenda një rrëfimi të rremë krijon një ndarje të thellë psikologjike – mes asaj që e di dhe e ndjen se është e vërtetë, dhe asaj që të imponohet nga e jashtmja ta besosh. Thuase arti është vazhdimisht i “zënë” mes të qënit një mjet, vegël e pushtetit qeveritar, aparat i aparatit shtetëror (psh. romani i stampuar i Carlos Fuentes, si krenari kombëtare në shërbim të pagandës pushtetare). Dhe në rastin tjetër, një enë për të vërtetën e pakontrollueshme dhe të dhimbshme (piktura e hedhur në oqean e artistes Sanchez).

Sepse, historia e vërtetë dhe ndjenja e vërtetë janë ndoshta si vetë oqeani, një forcë e madhe, e fuqishme dhe e pamposhtur që vazhdon nën peizazhet a la artifiça të mitit kombëtar. Oqeani, ashtu si arti, tekefundit janë “kategori” mëvete – verbëria e pushteteve në kohëlinjën e historisë ndoshta asgjë më shumë por diç si gjendje efemere. Borges e dinte, thuase dhe ashtu i “verbër” mund të shihte aq larg – tashmë dhe poetja e re Sarina Romero sikur i drejtohet ditëlindjes së tij me nderimin e largpamësisë borgesiane.