Piktura e artistit Hiremy-Hirschl na e paraqet një skenë “frymëzuar” nga mitologjia greke, pas vdekjes shpirtrat niseseshin për në botën e të vdekurve, në Hades, duke udhëtuar me lundrën e Kharonit…
Hadesi, siç quhej bota e nëndheshme e Hadesit (e vëllait të Zeusit dhe Poseidonit), bota e të vdekurve, mbretëria ku ai sundonte ishte e madhe, anise e padukshme, Hadesi ishte i rrethuar nga një Mur i Trefishtë prej bronzi, dhe ky mur i kishte 4 portale kryesore, e që ishin Porta e Agimit, Porta e Muzgut, Porta e Hijeve, dhe Porta prej Briri e Fildishi. Përjashta mureve, jo larg ndodheshin Hesperia (Ishulli i Muzgut), si dhe Kopshti i Hesperideve. Përfundi, diku tepër thellë ndodhej Humnera e Tartarosit, aty ku mbahen zotat pararendës të burgosur përjetësisht, Titanët.
Hadesi ishte njëri prej zotave më “interesantë” të Olimpit, dallonte prej të gjithëve (e ndoshta dhe më i “miri”, më njerëzori, temë mjaft interesante kjo). Ai nuk kërkonte “adhurim” as gjë tjetër, qëkur shpirtrat duhej të shkonin të gjithë tek ai, pa përjashtime. Hadesi (si emër eponimik, ose “Domos Hadou”, mbretëria sunduese e Hadesit, ose Hadit, pasi në shqip thuhet dhe “Hadi”) është domen mjaft i gjerë në vete, brenda korpusit mitologjik.
Kuptohet, si mbret-sundues i mbretërië së nëndheshme Hadesi i kishte dhe pallatet e veta… afër mendsh – përveç pallatit të Hadesit, përveç pemishteve, përveç kopshtijeve dhe korijeve të Persefonës (gruaja e Hadesit kjo, që ai e pati grabitur, e bija e perëndeshës Demetra), përveç fushave të bekuara të Elisionit, përveç fushave të zisë, përveç fushave të Asfodelit, përveç shpellës së Kronosit… etj etj. i kishte dhe moçalishtet dhe ujërat, ndër këto bënin pjesë dhe 5-6 lumenj (në disa versione 5, por nëse e shtojmë dhe Mnemozinën, atëherë 6).
Simbolikisht lumenjtë i përfaqësojnë Ujërat e Urrejtjes (ose Stiksi), Ujërat e Harresës (ose Letha), Ujërat e Kujtesës, ose Mbamendjes (Mnemozina, po ashtu kjo njihet si nëna e Muzave, me Zeusin si babai i tyre, Mnemozina i pati shpikur fjalët dhe gjuhën etj.), Ujërat e Flakëve, ose Zjarrit (Flegetoni, lum ky që shkonte deri thellë në humnerën e Tartarosit), Ujërat e Lotëve (ose Kokitosi, edhe ky derdhej në Tartaros), si dhe Ujërat e Dhimbjes, Pikëllimit (ose lumi Akheron, shpirtrat niseseshin drejt Hadesit duke udhëtuar me lundrën e Kharonit, të cilin piktura e artistit Hiremy-Hirschl e paraqet aty në qendër me rroba të zeza dhe me skeptrin…
(s. guraziu – ars poetica, t 2025)

