(s. guraziu – ars poetica, t 2025)
Hartografikimi i mbretërisë së Hadesit s’ka nevojë të jetë ndonjë përpjekje e mirëfilltë, dhe as(fare) “hartografi” – të përpiqesh ta krijosh një hartë konceptesh dhe mitesh hadesiane, të përpiqesh ta hartosh të pahartueshmen, ta përshkruash të papërshkrueshmen, të përpiqesh ta “hartosh” vetë fantazinë mitologjike, kuptohet, absolutisht e pamundur : )
Ashtu-kështu mbretëria e Hadesit diç si mbretëri skajshmërisht e zymtë (s’ka asgjë më të zymtë, më të errët sesa mbretëria e vdekjes, apo jo). Dhe Hadesi s’është një vend i vetëm imagjinar, por koleksion rajonesh dhe konceptesh imagjinare, secili pre tyre i ndërlidhur a ndërthurur me qëllimin dhe mito-konditat e veta. Gjithsesi, s’duhet mohuar, simbolizmi mitologjik është mjaft i qëlluar dhe interesant, jo tek ashtu kot i ka intriguar gjithë artistët e kësaj bote. Sa e sa Aurorat e bukura, sa e sa Persefonat i kanë sjellur në dritë brushat e tyre, ndoshta askush s’e di saktë : )
Sipas “gjeografisë” hadesiane, në skaj të botës, lumi i madh Oqeani takohet me qiellin. Në errësirën e natës asgjë nuk piptinë. Pastaj një fluks i beftë drite e përshkon errësirën e mbushur me yje. Pothuaj diç si çarje në plafin e natës tek zgjerohet në një hark të lavdishëm, hark prej drite të gjallë. Nga brenda kësaj Porte të Eosit, rrezja e parë e diellit i përkëdhel ujërat e Oqeanit, ngadalë drita e pushton qiellin dhe e ngrohë drejtpërdrejt zemrën e botës së fjetur. Ta dëshmosh hapjen e kësaj porte do t’thotë ta perjetosh çdo ditë të re si rilindje, dhe ky Portal është diç si pragu i shenjtë i jetës. “Porta e Agimit”, porta qiellore përmes së cilës perëndia i diellit, Heliosi, shfaqet ose del çdo mëngjes nga Oqeani që e rrethon botën. Kalimi i Heliosit në qerren e tij të artë përmes portës sinjalizon fundin e natës dhe fillimin e një dite të re, duke i sjellë botës dritë dhe ngrohtësi.Me fillimin e çdo dite, perëndesha e agimit, Eosi (ekuivalenti mitologjik romak i Eosit është Aurora) e hap e Portën e Agimit, duke i lejuar Heliosit me qerren fluturuese të ngjitet qiellit. Udhëtimi nëpër qiell kalon 11+1 Orë ditore, ose Horai. Orët (Horai) janë perëndesha që vendosen përgjatë rrugës së karrocës diellore çdo ditë. Ato kujdesen për ushqimin e kuajve, ose për riparime të nevojshme të karrocës nëse eventualisht “prishet” ndonjë gjë etj : )
Rruga e diellit, ose rrugëtimi qiellor i kryer nga karroca e Heliosit ndryshon, varësisht nga stinët. Udhëtimi është më i gjatë në verë dhe më i shkurtër në dimër, Orët (Horai) ngelin gjithmonë të pozicionuara në mënyrë të barabartë mes agut dhe muzgut. Duke qenë rrugëtimi veror më i gjatë se ai dimëror, ja pse orët e verës na duken më të “gjata” se ato dimërore.
Në fund të çdo dite karroca e Heliosit arrin në Kopshtin e Hesperideve, diku në skajin më perëndimor të Oqeanit. Atje, tri Nimfa të Mbrëmjes, Aigla, Erithea dhe Hespera, kujdesen për pemën e mollës së artë. Babai i të trijave është Atlasi, i cili qëndron në majën e një mali aty pranë, duke mbajtur qiellin mbi supet. Mollët e arta si fruta hyjnore u sigurojnë kuajve fluturues të Heliosit fuqitë e tyre të përditshme. Pema dhe frutat e mollëve ruhen nga drangoi me njëqind koka i quajtur Ladon. Gjatë natës Heliosi e përdor një shteg të shkurtër nëntokësor për t’u kthyer dhe për ta filluar ciklin e ditës tjetër.
***
Pra simbolikisht Porta e Agimit është më shumë sesa vetëm “portë” mëngjesore e dritës – është vetë premtimi i ripërtëritjes tek përshfaqet, përtëritje që bëhet e dukshme. Është mentesha mbi të cilën bota kthehet nga errësira në dritë, nga qetësia në veprim, nga dëshpërimi në shpresë. Porta e Eosit përfaqëson çdo fillim të ri, sigurinë e palëkundur se edhe pas natës më të gjatë, edhe pas errësirës më të ftohtë, kthimi i ngrohtësisë dhe i dritës është i garantuar. Porta e Eosit është diç si syri i hyjneshës që hapet ngadalë çdo mëngjes për të vështruar krijimin, ringjalljen, nisjen e një dite të re.
Ndërsa aspekti tjetër, parë si “mekanizëm kozmik” (në modelin funksional kozmologjik të lashtësisë greke) Porta e Agimit është një nga dy portat qiellore (tjetra duke qenë Porta e Perëndimit të Diellit) që shërbejnë si ruta të sakta diellore. Diku në Lindjen e Largët shfaqen rrezet e para të Eosit, Horae (Perëndeshat e Orëve) qëndrojnë gati për ta përcjellur qerren, kuajt e zjarrtë të Heliosit po ashtu të gatshëm, vetë dielli niset në rrugën e tij të përditshme, duke siguruar që të ruhet rendi kozmik.
Porta e Agimit evokon Ripërtëritjen dhe Rilindjen – ciklin e përditshëm të një fillimi të ri, evokon Shpresën dhe Premtimin – sigurinë se drita e shporr errësirën, evokon Rendin Hyjnor – ritmin e strukturuar dhe të parashikueshëm të kozmosit. Porta e Eosit evokon gjithashtu Bukurinë dhe Mrekullinë – spektaklin marramendës të lindjes së diellit, krijuesit te jetës.
Në Hades, Porta e Agimit është kundërpika perfekte mitologjike e Murit të Trefishtë, teksa ky mur e përfaqëson fundin e përjetshëm dhe të padepërtueshëm, ndërsa Porta e Agimit e përfaqëson fillimin e përditshëm, nisjen e çdo dite të diellosur dhe plot shpresë.
Herbert James Draper (1863-1920) – Portat e Aurores, 1900
Georg Friedrich Kersting (1785-1847) – Apolloni dhe Orët (Horai), 1822
William-Adolphe Bouguereau – Aurora, 1881
Evelyn De Morgan – Eosi, 1895


