Sekreti i “krye-zyrës” tiranase – Lodrat dhe ngrohtësia!

(sguraziu – ars poetica, shkurt 2019)

Kryebashkiaku i Tiranës vetë s’është ndonjë aso “fëmije i rritur” (bie fjala siç janë artistët, siç ishte Picasso dikur etj etj. Sa për Ramen – edhe ky një lloj Pikaço, artist “automatik” i pavetëdijshëm, ngjashëm si ai Pollock, me automatizmat e me spërkatjet “çarçafeske”, s’e mohon kush, edhe Rama shpesh na mahnit me lloj-lloj shkarravinash të pavetëdijshme tavolineske, e saktë, por) s’desha ta permend, për inat – jo për inat… por sepse do na zgjatej shkrimi si “mur kinez” : )

Karizma e Veliajt është e “thjeshtë”, prore i thjeshtë dhe me buzën në gaz, nuk shtiret ndonjë aso burri hijerëndë i “malcisë” (uuuu qyqja, larg qoftë, më mirë “ulok” i butë… sesa “malok” i egër – do klithnin sekretareshat e zyrës). Kryesorja është mjaftueshëm burrec sa për t’i përvjelur mëngët e politikave. Dhe kjo mjafton për t’i dashur jashtë mase fëmijët dhe nënat e tyre (dmth. si elektorat, ruana zot nga keqkuptimet), çmendet pas tyre.

Mirëpo, këtë detaj nuk e dinte një gazetar kroat (i cili – siç doli atëherë në pah – madje për ca kohë e pati konsideruar “kryebashkiak të çuditshëm” – kushedi ç’do ketë pandehur ai kroati i ngratë, uroj t’mos i ketë vajtur mendja tek Michael Jackson dhe tek akuzat ndaj tij, dmth. tek pedofilizmat).

Në një intervistë për TV-kanalin e vet nga Kroacia, në pyetje-habinë e gazetarit kroat se “përse në zyrën e tij kishte aq shuuuuumë lodra [ më shumë se ç’kanë të gjitha çerdhet e Tiranës së bashku – ok, këtë e shtova tani unë vetë : ) Veliaj sakaq qe shprehur se “zyrën e ka mbushur me lodra sepse i pret fëmijët në zyrë rregullisht”, ata janë “ambasadorët” më simpatikë të politikës tiranase, dikur kur ishte vetë fëmijë, politikanët i dukeshin si t’ardhur nga Marsi, të largët, si kukulla të ftohta, si kukuvajka të zymta [ ok, edhe këto i hijeshova pakëz vetë, pasi s’i mbaj mend 100% fjalët e tij ].

Tani duke qenë vetë politikan, do ishte aq e padrejtë që fëmijët e së sotmes ta kishin një pështypje të ngjashme për politikanët… kështu që e ka ujdisur zyrën, e ka mbushur me laryshi lodrash dhe ka vendosur t’ua shpalosë tironcave të vegjël gjithë ngrohtësinë e zemrës.

I duhet t’i fitojë zemrat e tironcave, jo gjithmonë por shpesh dashuria është diç si “bumerang”, na kthehet aty për aty. Si rrjedhojë të gjitha yllkat e fatosat e Tiranës e duan pa hile, çmenden pas tij. Ashtu-kështu në politikë gjërat janë “kauzale”, të lidhura zinxhir. I fitove zemrat e kalamajve hooop aty për aty i fitove dhe zemrat e nënave te tyre. Dihet… i fitove pastaj dhe gjithe zemrat e burrecave varg-e-varg, as votat as ëmbëlsia pastaj kurrë s’mungojnë.

Shkurt, ky pra është “sekreti” i zyrës së Kryebashkiakut, të cilin sekret… natyrisht, s’ka patur si ta dinte ai gazetari kroat. S’keni pse çuditeni as ju me “kauzalitetet”, detajin e “lodrave” fare lehtë mund t’mos e keni ditur as ju vetë, kështu që “s’ka përse” : )

Padyshim do ju kenë rënë në sy edhe “cicërimat” e Twitter, të tilla si “Bashkia tweeted” – “Pas këndeve të lojërave në Krrabë, në Dajt, në Kashar, në Farkë, tani kemi këndin e lojërave edhe në Vaqarr. Për fëmijët investojmë njësoj, si në qendër, si n’periferi të Tiranës.”

S’habitet kush nëse t’jeni habitur ju vetë; boooo si s’paskan pak “ujë në sy”, mos vallë paturpësia politike vërtet s’paska kufij. T’i fitosh “zemrat e nënave” s’është fare pak, qoftë me lodrat në zyrë qoftë me çerdhet në terren… mirëpo çfarë nëse kryebashkiaku i Londrës, i Berlinit, i Amsterdamit, Parisit, Madridit, Pragës, Vjenës, Athinës, Bukureshtit, Moskës, Nju Jorkut, Pekinit… etj. t’na mburreshin për çerdhet e metropoleve 5-10-20 milionëshe, çfarë nëse t’na vërshonin me “cicërimash” të tilla!

Epo asgjë, Twitter thjesht do ngulfatej, do i zihej fryma nga ciu-ciut e kryebashkiakëve : )

 

***
kësaj radhe Veliaj qenka fotografuar me dy trimulusha-bukurusha, anise fotografim me shkas:
Nami u befte, dola dhe une nje foto me dy super VIPa – Me Arbi dhe Dalin Sallakun, gjenerata e re e Tironsave me nam

***
Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare, ikona e humorit Skënder Sallaku – Erion Veliaj ndanë “Medaljen e Mirënjohjes” për ikonën e humorit shqiptar, një nga rrugët e Selvisë do të mbajë emrin e humoristit Sallaku (Twitter)