Brefix – Propozim-koment që Evropa ta aneksojë Britaninë : )

(s. guraziu – ars poetica, j 26)


…është e dhimbshme ta shohësh shtetin tim Holandën tek mban stërvitje të kushtueshme, me makineritë e rënda luftarake, me drone dhe me bomba reale, me fluturake strategjike pa pilot (të mëdha pothuaj sa Mirage, Eurofighter a F-35), është e dhimbshme ta shohësh Holandën tek i printon 20 milionë libërtha me instruksione për popullsinë që të gatitet për “skenarin më të keq”, sepse rrezikut nga “Lindja” kurrë nuk i dihet, është e dhimbshme ta shohësh Sekretarin e NATO-aleancës si u shmanget pyetjeve më të thjeshta lidhur me aspiratën e Trump për Grenlandën, është e dhimbshme që Evropa dhe NATO-ja u desh t’i rrisin shpenzimet në 5% (sipas diktateve të Trump, sipas diktateve të “industrisë ushtarake amerikane”, industri tmerrsisht e madhe, s’kanë ku i shesin armët që i prodhojnë, ia shesin Saudi-Arabisë ca qindra miliarda, shteteve të gjirit ca qindra miliarda… por tjerat duhet t’i blejë Evropa)… etj. etj.

…sipas meje, si revansh dhe si ‘kontrapunkt’ logjik politik rreth idesë së Trumpidentit lidhur me Grenlandën tashmë Evropa me plot të drejtë duhet ta aneksojë Britaninë : ) e kam me gjithë mend, britanezët “ikën” gjoja me Brexit-in, me dallavere e manipulime, por s’kanë vajtuar “larg”, akoma janë aty ku dhe ishin, Britania ishte, është dhe duhet t’jetë e Evropës, ndërsa meqë ra fjala Grenlanda kurrë s’ka qenë e Amerikës – Tajvani ashtu-kështu i Kinës, thonë kinezët, detrat, ujrat rreth e rrotull janë tonat dhe kur i mbajmë stërvitjet masive ushtarake Tajvani gjithmonë i rrethuar, nëse i pyet rusët ose Putinin, Ukraina patjetër por dhe tjerat shtete baltike me gjithë Ballkanin (ndoshta) duhet t’jenë të Rusisë, nëse e pyesim Trumpidentin, Grenlanda dhe ujrat rrotull mbushur me anije ruse dhe kineze kështu që Grenlanda i duhet Amerikës, është çështje strategjike dhe duhet filluar negociatat për shit-blerjen, njësoj siç e patën blerë Luizianën e paskajshme dikur nga Franca, disa centë për km2, madje Trumpidenti nuk e fsheh as ambicjen për ta mashtruar disi Kanadanë komplet…

…dmth. nëse Amerika paska të drejtë Grenlandën (nesër ia mësynë dhe Kanadasë 40-milionëshe, fare lehtë, me pretekstin se Kanadaja është strategjike për t’i kontrolluar të gjitha skajet e Alaskës), nëse Rusia paska të drejtë Ukrainën, ehuuu… andaj si ekspert i politikave mondiale propozoj që dhe Evropa duhet ta aneksojë Britaninë… sa më parë dhe pikë, s’ka kompromise në këtë pikë : )

…siç dihet, “ekseptionalizmi amerikan” si ide doktrinale… jashtëzakonshmëria amerikane (psh. sipas Profesorit Jeffrey Sachs, dhe sipas shumkujt tjetër) është duke e humbur “bojën” e vet, jashtëzakonshmëria amerikane është besimi se ShBA si entitet politik ishin dhe ende janë diç unike, moralisht superiore në krahasim me kombet e tjera, shpesh për shkak të parimeve themelore të demokracisë dhe lirisë, ideja e ekseptionalizmit sugjeron që Amerika e ka një rol të veçantë për të luajtur në çështjet globale – Amerika ashtu ka vepruar dhe ende do vepronte, si polic global, por me rrittjen e Kinës, Indisë 1-a-2 dekadat e fundit, me zhvillimin e globalizmit ekonomik, kuptohet tashmë gjërat janë ndryshe…

…dhe siç bota tashmë e sheh qartë, u muar vesh universalisht, doli në sheh me fitoren e Trump, me “trumpizmin” politika amerikane i shërben kryekëput konservativizmit republikan (diç tradicionale kjo) dhe përqafimit të doktrinës multi-polare, sipas ekspertëve bota tashmë është multi-polare, s’ka më 1 “polic amerikan” që e patrollon gjithë globin dhe që i dikton “kushtet e demokracisë”, tashmë sipas doktrinës “25” dhe “trumpizmit” bota është diç si multipolaritet dhe qëllimi i Trump ishte orientimi “shtëpiak”, arritja e MAGA (Make America Great Again), bota i ka 3-4 faktorë të mëdhenj politikë, ose 4-5 sosh, këta duhet të balansohen mes vete, duhet t’i balansojnë interesat e tyre mes vete në kurriz të mbarë pjesës tjetër globale (dmth. mozomokeq për 190 shtetet e vogla ) – këta të mëdhenjtë siç dihet ShBA, Kina, India, EU, Federat Ruse do e ndajnë torten politiko-ekonomike me gjithë thërmijat makropolitike – e pamë në Davos se ç’tha Presidenti Trump, Evropës i tha troç “ju dua por jeni tëhuajsuar, jeni çoroditur, çfarë ishit dhe kah jeni nisur ruana zot, mos pyet, keq, pothuaj vështirë të njiheni se ishit dje ata që ishit, tani mozomokeq…”

***
…si përmbyllje konkluzive, le të ceket dhe një herë fakti që Evropa duhet aneksuar Britaninë sa më parë t’jetë e mundur, sepse është çështje strategjike, është largpamësi e kulluar, është mençuri-vizion a la trumpistik, imagjino bie fjala sulmon Islanda, çfarë të bëjë Evropa, do zihet galuç në surprizë, si të mbrohet me Britaninë në mes të “udhës”, nuk shihen as raketat duke ardhur, dhe nëse mendoni që Islanda me vogëlsinë e vet qesharake, disa mijëra banorë s’e sulmojnë askend… epo do gabonim sa jemi të rëndë, nuk duhet harruar as nënvlerësuar faktin që islandezët janë vikingë, edhe dikur 2-3 anijet e kohës së Ragnar Lothbrok s’i kishin kapacitetet as për 100 luftëtarë, ndoshta dhe me pak, por 100 vikingë ishin si 100 luanër, i patën tmerruar britanezët, Lothbrok me të dashurën e vet, me trimëreshën Lagertha ishin të pandalshëm, u patën nxjerr probleme mbretërve të asaj kohe, e patën poshtëruar Northumbrinë, pastaj pjesën dërrmuese të Skotlandës e madje dhe të Irlandës, e patën plaçkitur e shashtisur gjithë ishullin, e patën sunduar Londrën… madje dhe vetë Parisin (gjoja larg nga Londra, e pamundur… stereja e Evropës gjoja e paskajshme, por ja që historia nuk gënjen), islandezët pak mbase në numër por s’duhet nënvlerësuar, të gjithë janë pasardhës të Lothbrok, s’është nevoja të përmendet Thor, as Loki, as valkyreshat… aq larg s’është nevoja të spekulohet, Thor me atë çekanin simpatik të Hollivudit tashmë më shumë shtiret amerikan sesa Thor përnjemend, s’po themi se Islanda me ato vullkanet dhe erupsionet na qenkësh diç si “nxemja qendrore” e Valhalla… por askush s’ka si i garanton Evropës që nëntoka e Islandës t’mos jetë e mbushur me raketash ballistike të Amerikës, çështje strategjike të ruhen sekretet, heshtje totale, “covenant” i heshtur i supremacisë amerikane, gjoja Islanda e “pavarur” por në fakt 100% bazë amerikane etj. etj. ekzistojnë 1001 arsye që Evropa të mendojë seriozisht dhe ta aneksojë Britaninë, në menyrë që ta “lirojë” frontin e mbrojtjes eventuale strategjike…