Alice Fulton – Triptik për Zemrën Topologjike

TRIPTIK PËR ZEMRËN TOPOLOGJIKE
[ Alice Fulton, 1952 – Troy, USA ]

Na bie mbi kokë. Një vështrim i shkëmbyer, spazmë reflektuese.

Mos vallë pyetje fantastikisht e pashtresuar,
e vendosur në mish, apo Valentini tek e vesh
ajrin si veshjen e vet? Nëse e pren një zemër
nga pergameni, a është akoma zemër?
Nyjë jo e parëndësishme, ku kthesat e çdo
nuancë-shkallëzimi mund të puthin dhe të flasin.
A ka ena skaje? Apo e gjitha është lidhje,
ngulitje që duhet të shtriqet, ose përkulet.
Imagjino t’jesh njëkohësisht gjallë, lidhur
në të dy skajet si një hark! A është diakronik,
fenomeni që ndryshon me kalimin e kohës?
Pa zjarr teoria vuan. Kjo është arsyeja pse jam
mbërthyer pas teje me ngjitës të paarsyeshëm,
duke prerë vazhdimisht, duke stiluar diç të fryrë
dhe makabre në diçka të mprehtë, të pastër.
Dashuria është dhuratë që buron nga një vend
i pandriçuar. Rrëshirë dhe pendim. Edhe
kur në errësirë jam, me ty jam në errësirë.

Thuase dridhje-shkundje në vend të tkurrjes, valëvitje me çarje-plasaritje.

Mjekët e quajnë zemër festive. Dita e Shën
Valentinit – emërtuar sipas një shenjtori,
koka e të cilit nderohet në Romë – është gjithashtu
Dita Kombëtare e Donatorëve të Organeve
Njerëzore, në rregull? Jepni çokollata të errëta
anatomike me origjinalitet të vërtetë. Me piper
tymosur-kriposur, dhe verëkuqen ‘beau-jolais’
në një kuti të thjeshtë kafeje, zbukuruar
me fjalë-lavde në gjuhën romantike. Ju lutem
asnjë zbukurim me push e pelush, si gjërat
brenda një arkivoli. Thjesht jam duke u lutur.
Mund ta gjesh pulsin ose pikëthatën shkrehëse
të një gjilpëre? Thjesht them se kjo karamelinë
ka lotë brenda. Dikush do ketë derdhur djersë
të arrihet kjo. Dëgjo, z. Stetoskop,
ndodhem në fund të shpresës. Megjithatë,
do ta kultivoj dhe një tjetër buqetë-lulëzim
për atë kafkë-kurorë lulesh.

Të tjerë dhurojnë valentine të uthullta. Asnjë fjalë jastëku.

Gjembaçe të organ-zemrës së butë. ‘Froot Loop’
dhe tel artizanal i modeluar në një shaka sarkastike:
“Për Princin Tim të Xhepit”. “Nga Kurva e Shtrigëzuar”.
Gjoks-thimtha të fortë, apo jo? Disa e quajnë
ditë-festë e shënuar nga lule të tregtuara,
çokollatë detyrimi. Disa jetojnë me spërkatjesh
klinike, duke pyetur ku është festë-gostia.
Gjilpëra prej karneli me pjesëzat trasparente
që lejojnë të shohësh mekanizmin e vetëkënaqjes,
hormonet e stuhisë dhe venën e vetme pulsuese.
Ç’është në të vërtetë? Ja si qëndron puna.
Një dhuratë s’mund të jetë cinike nëse dhuruesi
nuk është cinik. Do të të paguaj ta testosh
këtë për mua. Dollapët e mëdhenj të dhuratës
me gjerësi-qëndrueshmërinë, në rastin
më të mirë, të paktën për mua, i tejkalojnë
të gjithë dollapët e tjerë të mishtë e me shpirt.
Po e nis këtë dhuratë nga memoria ime,
kokë-shkumbëzuar. Shën Valentini e intensifikon
sipërfaqësoren, zemra thellësitë.

– – –
© Alice Fulton, “Triptych for Topological Heart” – via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica