Arti “Lowbrow” (Pop-Surrealizmi Artistik) – Pop-Odaliskat!

(sguraziu – ars poetica, shkurt 2019 – pak fjalë…)

Odaliskë – (turqisht: Odalık) shërbëtore dhome ose femër shërbyese në një kompleks mbretëror, veçanërisht zonjat në pallatin e sulltanit. Odaliskat në artin perëndimor gjatë periudhës së Orientalizmit ishin subjekte të preferuara (shembull: “La grande odalisque” e v.1814 nga piktori i neo-klasicizmit francez, Ingres).

Arti “Lowbrow” është përshkrimi për një lëvizje artistike “underground” të artit vizual, lindi rreth zonës Los Angeles, ShBA në fund të viteve 1970. Është pra një lëvizje populiste e artit me rrënjët e saj kulturore në strip-vizatimet e nëntokës urbane, në punk-muzikën, në tiki-kulturën dhe në hot-rod (kulturën e rrugës). Derisa termi “highbrow” (vetull-lartë) është sinonimik me intelektualizmin dhe me kulturën e lartë (e ka kuptimin e “elitarizmit”, të kulturës elitare, dmth. në përgjithësi termi mbart një konotacion të kulturës së lartë) – e kundërta është “lowbrow” (vetull-ulët), e që sipas logjikës midis të dyjave do jetë “middlebrow” (dhe realisht është), diç si term ndërmjetës, duke e përshkruar kulturën që nuk është as e lartë as e ulët.

Ilustrimet e Josh Agle (Shag) janë gjithmonë “simpatike”, stili i tij është një lloj pop-thjeshtësie pozitiviste dhe origjinale, psh. ec e mos buzëqesh me ilustrimin “La grande odalisque”, kur panumër odaliska i kishim dhe vetëm nga “orientalistët”, tani kur shohim odaliskën e Shag ajo bukuroshja shpinëcullake e Ingres na del parasysh aty për aty… dhe atë jo vetëm sepse ilustrimi i Shag ka të njëjtin “grand”-titull 🙂

* “underground comix” – strip-librat e “nëntokës urbane”, (shtyp i vogël) stripet e vetë-publikuar, të cilat shpesh merren me aspektin satirik të temave sociale
* hot-rod – kultura që vërtitet zakonisht rreth-e-rrotull makinave të vjetra, ose dhe moderne amerikane, me motorë të medhenj e të fuqishëm, modifikuar enkas për shpejtësi më të madhe, për tym e për spektakël në rrugë, e nëpër eventet

Ilustrimi: Josh Agle (Shag) – “La grande odalisque