(s. guraziu – ars poetica, mars 2026)
…dje OKB (Kombet e Bashkuara) diskutuan për një rezolutë që lidhet me “tregtinë e skllevërve” (në të kaluarën), dhe kombet afrikane kërkuan që evropianët të paguajnë për të kaluarën, sipas tyre Evropa ka borxhe të tmerrshme “historike”, dhe jam paksa i pikëlluar për historinë, për të kaluarën e popujve, sa për afrikanët mund t’i kuptoj fare lehtë…
…pra, ajo që kombet afrikane po kërkojnë është shenjë e mirë se megjithatë jemi duke u “civilizuar”, duke “vajtur” andej kah perfeksionizmi i qytetërimeve historike, apo jo – s’jam duke përdorur cinizmin dhe as sarkazmin, kurrë s’kam ndonjë qëndrim mosbesues ndaj motiveve njerëzore, kurrë dhe për asnjë kurrnjëherë, e saktë se jemi krijesa animalistike por nuk besoj se njerëzit operojnë kryesisht nga interesat vetjake (thjesht nuk mund ta besoj këtë, në asnjë mënyrë, sepse nëse po… atëherë dhe vetë do isha i njëjti, pse nuk jam dhe vetë i njëjti)…
…sikur që, po ashtu, nuk besoj se “kombet” operojnë kryesisht nga interesat vetjake, përndryshe s’do i kishim politikat, fjalët e mia nuk nënkuptojnë kurrë ndonjë mosbesim tallës lidhur me sinqeritetin, integritetin e kombeve, përndryshe s’do i kishim politikat, rregulloret, kushtetutat, as Kombet e Bashkuara, apo jo – edhe pse, si një shembull i freskët nga historia jonë politike, ne e “rezervojmë” të drejtën për ta shfarosur dhe për ta vdekur urie një komb të tërë në Gaza, imagjio… i vdesim urie 2 milionë njerëz në “pikë të ditës” politike të shekullit XXI, ne lejojmë “imponimin e ambicjeve politike” për ta marrë Grenlandën… ose çdo ishull të kësaj bote… ose për të pushtuar Ukrainën, një kombi demokratik prej 40 milionë banorësh thjesht ia imponojmë luftën shkatërruese, ose u shesim 300-400 miliardë armë Sauditëve… shteteve të Gjirit, dhe e quajmë “biznes”, ose e detyrojmë Evropën të paguajë 5% për “industrinë e uritur të armëve” të 50 shteteve, ose ose… vetë thjesht çuditem pse Evropa s’e anekson Britaninë, është një ishull tekefundit, apo jo, Evropa ka të drejtë, ashtu siç ndokush mund ta merr Grenlandën, ashtu siç Kina mund të “rrethojë” Tajvanin etj…
…ose, siç mbarë bota e qytetëruar e di, Tribunali Ndërkombëtar e shpall dikë “kriminel lufte”, mirëpo tribunalet ndërkombëtare janë “askushi”, ndërkombëtarët s’kanë autoritet, ata s’janë Kombe të Bashkuara, edhe nëse t’ishin, prapë mund ta përdorim “veton”, për fat të mirë nuk janë – kështu që, nga njëra anë, ne vetë e shpallim dikë “kriminel lufte”, nga ana tjetër i shkatërrojmë, i vdesim urie 2 milionë njerëz në Gaza, në pikë të ditës duke bërë “biznes politik” me të njëjtin “kriminel lufte”, ose i bombardojmë vendet përreth etj…
…sidoqoftë, sëpaku OKB ka të drejtë, turp na qoftë : ) tregtojmë me skllevër dhe nuk i paguajmë borxhet tona historike – tashmë OKB është zgjuar, të paktën kjo, seriozisht shenjë e mirë se do arrijmë diku, më mirë vonë sesa kurrë : )

